Shteti më i ri në botë hyri në grupin e institucioneve financiare ndërkombëtare me papunësi të tmerrshme, rritje ekonomike të dobët dhe rritje marramendëse të popullatës. Shkurt, hyri me statusin e vendit më të varfër në Europë. PBB e Kosovës rritet mesatarisht me 4 për qind në vit, por popullata e saj nuk e shijon shumë këtë rritje, për shkak se edhe numri i banorëve rritet me 1.7 për qind. Kosova ka një produkt të brendshëm bruto vjetor prej rreth 4 miliardë eurosh, e cila furnizohet para së gjithash me të ardhurat e emigrantëve prej 400 milionë eurosh në vit. Popullata prej 2.2 milionë banorësh vuan një normë të paimagjinueshme papunësie prej 60 për qind. Vetëm 200 mijë kosovarë janë të punësuar në sektorë privatë. Gjatë viteve të fundit, ekonomia ishte rritur si pasojë e miliardave të eurove që ndërkombëtarët shpenzuan në Kosovë, por me rënien e pranisë së ndërkombëtarëve dhe tërheqjen graduale të trupave të huaja, kërkesa është dobësuar. Këtë vit, FMN-ja parashikon uljen e inflacionit me minus 2.1 për qind, ndërkohë që konsumi privat i popullatës pritet të tkurret me 0.5 për qind.



Buxheti i qeverisë së Kosovës zë rreth 23 për qind të PBB-së, ose rreth 1 miliard euro. Qeveria e Kosovës ka vendosur të rrisë shpenzimet në maksimum këtë vit, duke përdorur kursimet e realizuara gjatë viteve të shkuara, por kjo politikë duket se shkon më shumë me logjikën e bixhozit. Baza e ekonomisë së Kosovës, të ardhurat nga ndihmat ndërkombëtare, vlerësohet se do të fillojnë të tkurren, duke filluar nga viti i ardhshëm. Problemi më i madh i Kosovës mbetet sistemi pothuajse inekzistent i energjisë elektrike. Megjithëse e pasur me burime, Kosova ka nevojë për qindra milionë euro për të ndërtuar rrjetin e vjetër dhe të amortizuar të trashëguar nga koha e ish-Jugosllavisë për të përballuar rritjen e konsumit që krijohet nga rritja ekonomike.





Dritat



KEK, problemi më i madh i Kosovës



Puna më urgjente që duhet të bëjë qeveria e Kosovës, sipas FMN-së, qëndron në reformimin e sektorit të energjisë, gjë për të cilën është diskutuar gjerësisht edhe gjatë vizitave të misionit në Prishtinë. Aktualisht, qeveria e Kosovës shpenzon 3.5 për qind të PBB-së, ose 15 për qind të buxhetit të vet për të mbuluar humbjet e Korporatës Elektroenergjetike të Kosovës dhe kjo kosto po rritet. Për më tepër, Prishtina është vënë përballë dy strategjive konkurruese, njëra e përgatitur me ndihmën e USAID dhe tjetra me ndihmën e Bankës Botërore, ndërsa FMN-ja këshillon që zgjedhja e strategjisë të kryhet sa më parë. Gjithsesi, ndonëse mbetet neutrale, FMN-ja këshillon që qeveria të marrë parasysh kostot fiskale që mbart secila prej strategjive. Kosova ka një çmim të ulët të shitjes së energjisë me pakicë, një pjesë e popullatës nuk e paguan faturën e dritave për arsye nga më të ndryshmet, ndërkohë që KEK detyrohet të paguajë (njësoj si Shqipëria), çmimin më të lartë të energjisë së disponueshme në Ballkan. Megjithatë, Kosova mund të transformohet në një vend të rëndësishëm transit për tregtinë e energjisë elektrike, gjë që mund të ndryshojë shumë gjëra në qarkullimin e energjisë në rajon.