Jonida Tashi



Shpallen zyrtarisht emrat e pedagogëve të rinj në katër departamente të Fakultetit Ekonomik të Tiranës. Pas përzgjedhjes së bërë nga komisioni i vlerësimit në këtë fakultet, emrat e përzgjedhur kanë marrë dje edhe firmën e rektorit të Universitetit të Tiranës, Dhori Kule. Nëntë emrat e pedagogëve të rinj, që do t’i shtohen stafit akademik në Fakultetin Ekonomik janë bërë publik nga kreu i këtij fakulteti Omer Stringa.

Dekani

Dekani i Ekonomikut, bën të ditur për gazetën “Albania” se procesi i rekrutimit të pedagogëve të rinj në këtë fakultet është drejt përfundimit. Sipas tij, në ditët në vijim do të shpallen edhe pedagogët e rinj për Departamentin e Menaxhimit dhe Departamentin e Financës. Gjithashtu, Stringa sqaron se nuk ka përfunduar ende rekrutimi i pedagogëve të rinj në filialet e Fakultetit Ekonomik në Kukës dhe Sarandë. Aktualisht, në Universitetin e Tiranës janë shpallur pedagogët e rinj për katër fakultete. Përkatësisht janë shpallur pedagogët e rinj për Fakultetin e Shkencave të Natyrës, Fakultetin e Mjekësisë dhe Fakultetin e Gjuhëve të Huaja si dhe së fundi në Fakultetin ekonomik. Rektori Kule sqaron se në ditët në vijim do të shpallen pedagogët e rinj edhe për katër fakultetet e tjera të Universitetit të Tiranës.

Departamentet

Departamentet në të cilët janë shpallur pedagogët e rinj në Fakultetin Ekonomik janë: Departamenti Ekonomik, Departamenti i Kontabilitetit, Departamenti i Marketingut

Departamenti Matematikë-Statistikë-Informatikë e zbatuar.

Rektorati i Universitetit të Tiranës ka bërë dje emërimin e nëntë pedagogëve të rinj për departamentet e mësipërme. Kontrata e punës për të gjithë pedagogët e rinj që do të japin mësim në fakultetet e UT-së për vitin akademik 2008-2009 do të jetë 1-vjeçare. Emërimet në departamentet përkatës të fakulteteve janë bërë jo vetëm sipas nevojave të tyre për pedagogë, por edhe sipas kritereve që plotësojnë kandidatët e shpallur fitues. Trupës pedagogjike të Universitetit të Tiranës këtë vit akademik do t’u bashkëngjiten 160 pedagogë të rinj. Shtimi i stafit pedagogjik pritet të mbyllë vakuume jo të vogla të stafit mësimdhënës në universitet. Nisur kjo edhe nga fluksi i madh i të rinjve që çdo vit regjistrohen në fakultetet e Universitetit të Tiranës.



Emrat fitues

Departamenti Ekonomik

Aida Gjika

Arjan Tusha

Adela Sheraj



Departamenti i Kontabilitetit

Gentiana Filipi

Rezart Demiri



Departamenti i Marketingut

Artan Duka

Adela Llatja



Departamenti Matematikë-Statistikë-Informatikë e zbatuar

Elida Hoxha

Erion Zoto





MASH-UNICEF: Projekt për të reduktuar dhunën e mësuesve ndaj nxënësve



Dhuna e mësuesve kujdestarë ndaj nxënësve pritet të reduktohet. Pikërisht për të minimizuar këtë problem Ministria e Arsimit në bashkëpunim me UNICEF-in kanë nisin zbatimin e një projekti. Plani COMBI, (Komunikimi për një Impakt të të Sjellurit), është një program i përbashkët mes Ministrisë së Arsimit dhe UNICEF-it, që synon që përmes një mjeti disiplinor në Shqipëri, të reduktohen rastet e dhunës të mësuesve kujdestarë ndaj nxënësve. Projekti ka nisur të zbatohet që në muajin maj të vitit 2007 dhe do të përfundojë në vitin 2011. Ky projekt u ndërmor, pas rasteve të dhunës në shkolla dhe në familje, mbi bazën e të dhënave të raportit “Dhuna ndaj fëmijëve në Shqipëri”, përgatitur nga UNICEF-i. Mbrojtja e fëmijëve nga dhuna e çdo forme, parashikohet në Konventën e të drejtave të Fëmijëve si dhe në Kushtetutën e Shqipërisë. Në përfundim, pas një periudhe 4-vjeçare, pra në vitin 2011, mësuesit kujdestarë, por dhe nxënësit e arsimit 9-vjeçar, do të jenë në gjendje që të zgjedhin metoda alternative disiplinimi, në vend të përdorimit të dhunës fizike dhe psikologjike ndaj nxënësve.





ISHP, mjekët e laborantët në protestë për shtesën e pagës



Mjekët dhe laborantët e Institutit të Shëndetit Publik (ISHP) prej katër muajsh nuk kanë marrë shtesën prej 10 për qind të pagës në bazë të vendimit të Këshillit te Ministrave, i cili ka hyrë në fuqi që në muajin korrik. Pikërisht për këtë arsye, ata kanë pezulluar dje punën për një orë duke e cilësuar harresën, një padrejtësi, pasi nga ky vendim kanë përfituar të gjithë mjekët e spitaleve, përveç tyre. Kryetari i sindikatës së punonjësve shkencore të ISHP-së, Dritan Ulqinaku, i ka kërkuar Ministrisë së Shëndetësisë të ndërhyjë për zbardhjen e vendimit sa më parë.







9 Tetor 2008