Problemet dhe shqetësimet aktuale të liqenit dhe ekosistemit në Shkodër kanë qenë në qendër të konferencës “Dita ndërkombëtare e tokave të lagura”, një aktivitet tradicional me përfaqësues nga Shqipëria dhe Malit të Zi. Aktiviteti i organizuar dje nga Qendra Rajonale e Mjedisit-REC në bashkëpunim me Forumin Ndërkufitar “Liqeni i Shkodrës” është zhvilluar në mjediset e “Grand Hotel Europa”. Pas fjalës së hapjes së koordinatores së REC-it në Shkodër, Diana Bejko, aktivitetin e kanë përshëndetur autoritetet vendore të Shkodrës dhe të Cetinës. Prof. dr. Mahir Hoti, paraqiti në këtë konferencë, problemet që ka aktualisht liqeni i Shkodrës, ndërkohë që në vijim përfaqësuesi i palës malazeze, Darko Saleviç, në emër të Forumit Ndërkufitar “Liqeni i Shkodrës” bëri një përmbledhje të punës së forumit në vite. Për të pranishmit e këtij aktiviteti u prezantua filmi “Vlerat natyrore të liqenit të Shkodrës dhe rëndësia e ekosistemeve ujore”.





Ndihma ekonomike





Përfituesit, 8 mijë familje më pak në vitin 2008





Më shumë se 8 mijë familje janë larguar nga skema e ndihmës ekonomike sipas Shërbimit Social Shtetëror, pasi përfitonin abuzivisht. Në këtë mënyrë, vetëm brenda një viti familjet që përfitojnë ndihmën, janë 93 mijë nga 101 mijë.


Synimi i Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta si edhe i Shërbimit Social Shtetëror është që brenda këtij viti të arrijnë në më pak se 85 mijë, në mënyrë që të arrihet dyfishimi i ndihmës ekonomike.


“Numri i familjeve në skemën e ndihmës ekonomike deri në muajin dhjetor 2008 është 93.000 familje ku me ndihmë të pjesshme trajtohen rreth 59.600 familje dhe me ndihmë të plotë trajtohen rreth 33.400 familje, nga 101.000 familje në total që kanë përfituar nga kjo skemë në janar të vitit 2008 ose 8000 familje më pak e cila në përqindje shkon në rreth 8%”, – bëri të ditur SHSSH-ja.


Sipas Shërbimit Social Shtetëror, numri i familjeve të larguara nga skema e ndihmës ekonomike, si rezultat i inspektimeve, është rreth 5700 familje me një efekt financiar 13.300.000 vetëm në vitin 2008, ndërsa numri i personave që kanë përfituar pagesa të padrejta për PAK-un, ka qenë 1333 persona me një efekt financiar 11.378.000 lekë. Këto rezultate kanë qenë pasojë e mbi 400 inspektimeve të kryera nga SHSSH-ja, gjatë një viti.


Për shkeljet e konstatuara janë propozuar 111 masa administrative, nga këto 9 largime nga puna, 86 vërejtje me shkrim, 16 gjoba për personat përgjegjës si dhe është lënë detyrë për t’u kthyer shuma 10.725.000 lekë e përfituar padrejtësisht, sipas shërbimit.


Ulja e vazhdueshme e përfituesve të ndihmës ekonomike do të mundësojë që ndihma të arrijë në 50 për qind të pagës minimale gjatë këtij viti, që është edhe standardi i vendosur nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Bashkimi Evropian.


“Në fund të mandatit qeverisës, numri i familjeve në nevojë që mbështeten me ndihmë ekonomike, do të arrijë në 85 mijë, nga 93 mijë që janë në skemë aktualisht”, – bëjnë të ditur burime nga Ministria e Punës.