09/05/2005  Tre piktorë kanë fiksuar në celuloid pikat më të ndotura dhe pasojat


ELBASAN - Qyteti që “kryefjalën” e tij ka ndotjen industriale, është fiksuar në objektiv nga tre artistë, të cilët kanë menduar që të sjellin momentet më të ndjeshme të ndotjes së mjedisit, duke i stampuar ato në fotografi. Janë rreth 30 fotografi, të cilat sjellin momente nga ajo që shihet me sy, për ndotjen e mjedisit në Elbasan dhe rrethina, por edhe imazhe të së shëmtuarës të shkaktuar nga ndotja, siç janë bagëtitë e cunguara apo njerëzit që shpesh jetojnë mes plehrave.


Pikërisht në këto momente janë mbështetur Fatmir Dardha, Gentian Mema dhe Enkeleas Mullalli, tre piktorë të afirmuar në qytetin e Elbasanit, për të prezantuar një ndër ekspozitat e rralla të shfaqura ndonjëherë, kushtuar tërësisht ndotjes së mjedisit. Tre artistët kanë lënë penelat dhe bojërat e tyre, për t’u mbështetur tek objektivi i aparatit fotografik, i cili sipas tyre, të jep mundësinë për të qënë realist dhe për të transmetuar atë, çfarë në të vërtetë ndodh, pa ndërhyrë me ngjyrat apo me fantazinë.


“Ajo që na nxiti, shprehen artistët, ka qënë shqetësimi qytetar për dëmet që shkakton tek organizmi i njeriut, shkarkimi i pluhurave dhe faktorëve të tjerë të ndotjes”.


Hapja e ekspozitës në ambjentet e Hotel “Skampa”, ka tërhequr vëmendjen e shumë qytetarëve, të cilët kanë parë nga afër të gjitha fotografitë, në fushën e mbeturinave, nga Uzina e Çelikut dhe nga forma të ndryshme të kufomave të kafshëve, apo njeriu, që jeton mes ndotjes.


“Qëllimi jonë, janë shprehur autorët e kësaj ekspozite, është që të sensibilizojmë në këtë formë opinion publik dhe sidomos, ata që kanë në dorë të bëjnë diçka, pushtetarët, të cilët duhet ta shikojnë më me vëmendje këtë ekspozitë”.


Gentian Mema


“Imazhet, dëshmi e realitetit të sotëm, por edhe për brezat që do të vijnë”


ELBASAN - Një ndër protagonistët e ekspozitës me titull “Ndotja”, Gentian Mema, tregon për gazetën “Metropol”, si lindi ideja për këtë ekspozitë, duke shtuar gjithashtu se, ndotja e mjedisit bën më shumë përshtypje kur shikohet nga këndvështrimi i një artisti. Ai ka rrëfyer përse, së bashku me shokët, ka lënë penelin e piktorit, duke vënë gishtin pikërisht në njërën nga “plagët” më të mëdha të Elbasanit.


Pse menduat një ekspozitë fotografike për ndotjen?


Së bashku me dy shokët e mi, menduam të marrim aparatet fotografike, duke kërkuar imazhe të shkaktuara nga ndotja e mjedisit për të cilën flitet pothuajse në çdo ambjent në Elbasan. E përfolur shumë në media, në shtyp, apo edhe në institucione, kjo çështje nuk mund të rrinte pa u trajtuar edhe nga pjesa e artistëve, por me anë të fotografisë. Menduam të marrim momentet më të këqia të ndotjes, duke i fiksuar në objektiv. Më pas i stampuam dhe menduam që të hapim edhe ekspozitë me këto fotografi, të cilat janë realizuar me kujdes, për të sjellë realitetin e ndotjes së mjedisit në Elbasan.


Përse përdorët fotografimin dhe jo penelin?


Peneli është shumë pak i besueshëm për njërëzit, duke patur idenë se me të piktori luan dhe gjithashtu, mund të manipulojë realitetin. Fotografia në mënyrë të pashmangëshme sjell realitetin që jetojmë, edhe me ndotjen që karakterizon Elbasanin. Industria e rëndë me tymin që shkakton, mbeturinat që shpesh digjen dhe sjellin edhe më tepër probleme për mjedisin apo edhe imazhe të tjera të ndotjes në qytet dhe rrethina, do të bashkoheshin në një ekspozitë me qëllimin e vetëm, për të sensibilizuar edhe më tepër opinionin, për dëmin që po shkakton industria e rëndë, djegia e mbeturinave apo edhe papërgjegjshmëria e qytetarëve.


Cili ishte qëllimi i prezantimit të kësaj ekspozite?


Qëllimi është prezantuar nga vetë fotografitë, të cilat nuk paraqesin vetëm idenë e realizimit artistik por edhe sensibilizimi për të ndryshuar këtë imazh të keq. Shpresojmë që ta kemi arritur këtë duke bërë të mundur gjithashtu, edhe gjetjen e formave, për të rregulluar diçka nga ky realitet i fiksuar në fotografitë tona. Këto imazhe të cilat janë një mënyrë për të ndryshuar diçka në mjedisin e Elbasanit dhe ndoshta në të gjithë Shqipërinë, do të mbeten dëshmi e realitetit të sotëm por, gjithashtu, do të jenë një dëshmi e asaj ku jemi realisht dhe çfarë duhet të bëjmë, për të ndryshuar këtë situatë, për të cilën brezat që do të vijnë, do të jenë mirënjohës, por edhe do t’i shikojnë këto fotografi si një e kaluar e keqe.