Mali i Zi pret panairin tradicional të librit "Ulqini 2009". Panairi, i cili do të nisë më 27 korrik, për të përfunduar më 2 gusht, ashtu si edhe çdo vit do të presë në qytetin e Ulqinit jo vetëm librat nga Shqipëria, por edhe ato nga Kosova, Mali i Zi, Bosnja dhe pakicat e tjera kombëtare të kësaj republike. Mbi 60 botues do të jenë gjatë ditëve të panairit, ose do të dërgojnë botimet e tyre më të mira të përfaqësuara nëpërmjet agjencive të shpërndarjes së librit. Në edicionin e nëntë të Panairit të Librit në Ulqin parashikohet të ekspozohen dhe të ofrohen për shitje mbi 6000 tituj librash, nga të cilët mbi 500 janë tituj të rinj. Letërsi artistike, autorë shqiptarë e të huaj, histori, botime enciklopedike, guida turistike e harta të çdo lloji, letërsi për fëmijë, fjalorë e metoda për mësimin e shqipes dhe të gjuhëve të huaja, libra utilitarë për zanate e profesione të ndryshme, albume e katalogë do të jenë librat që do të paraqiten para lexuesve ulqinakë e pushuesve të huaj. Ndërkaq, prej organizatorëve, Komuna e Ulqinit si dhe Shoqata e Botuesve Shqiptarë, kanë menduar që të ftuarit e veçantë të jenë akademikët Ali Aliu nga Shkupi, Shefkije Islamaj nga Prishtina dhe shkrimtari, studiuesi dhe eseisti nga Mali i Zi, Andreji Nikolaidis. Presidentët e Republikave të Shqipërisë dhe Malit të Zi, Bamir Topi dhe Filip Vujanoviq, do të jenë gjithashtu të ftuar me rastin e ceremonisë së çeljes së Panairit të Ulqinit.