Ekstradohet nga SHBA-ja super i kërkuari Gramoz Yzeiri. Riatdhesimi i tij është bërë në orën 23:30 të së mërkurës dhe sipas burimeve zyrtare të policisë së Fierit, Yzeiri ishte shpallur në kërkim për veprat penale: "mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake në sasi të madhe", "vrasje në bashkëpunim", "trafik lëndësh narkotike", si dhe "falsifikim të dokumenteve". Mësohet se 38-vjeçari fierak është arrestuar në Teksas të Amerikës. Ai kishte mundur të fshihej në SHBA falë dokumenteve false që kishte siguruar në Shqipëri, e më pas në disa vende të Europës Qendrore dhe asaj Perëndimore, ku ka qëndruar ilegalisht për disa kohë. Yzeiri kërkohej prej policisë për vrasjen e Xheladin Qelisë, ngjarje kjo e ndodhur 11 vjet më parë, më 13 qershor të vitit 1998. Sipas burimeve nga Seksioni i Personave të Shpallur në Kërkim pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut Fier, mësohet se në prill të vitit 2004, uniformat blu fierake, në bashkëpunim me forcat speciale RENEA, zhvilluan një operacion në lagjen "1 Maj" për arrestimin e tij, por pa rezultat. Ai mundi që t‘i largohej policisë, ndërkohë që nga kontrolli i kryer në banesën e tij u gjet dhe u sekuestrua një sasi e konsiderueshme lënde narkotike e llojit kokainë dhe përzierës, që kapte sasinë e afro 72 kg, disa armë luftarake dhe municione në sasi të konsiderueshme. Të njëjtat burime referojnë se Gramoz Yzeiri është vënë në pranga disa muaj më parë në shtetin e Teksasit, por ekstradimi i tij në Shqipëri është bërë i mundur pas plotësimit të dokumentacionit të dosjes së tij. Yzeiri ka mbërritur në Shqipëri nëpërmjet aeroportit ndërkombëtar "Nënë Tereza" dhe pasi u është dorëzuar autoriteteve përkatëse shqiptare, është dërguar në një burg të sigurisë së lartë.



Mësohet se 38-vjeçari është arrestuar në Teksas të Amerikës, në afërsi të banesës së tij, falë bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Uashingtonin dhe agjentët e ISE-ës. Ndërkohë, sipas policisë së Fierit, i ekstraduari nga Teksasi i SHBA-së, Gramoz Yzeiri, konsiderohet si mbështetës i fuqishëm i Selami Hasanit, i cili u arrestua pak ditë më parë si autor i vrasjes së kushëririt të Arben Isufajt, ose i njohur ndryshe si Ben Qimja. Po ashtu, Yzeiri konsiderohet edhe si krahu i djathtë i Renato Saliajt, i njohur ndryshe si Renato Çami. Burimet zyrtare të policisë së Fierit tregojnë për "Shqip" se Yzeiri, Saliaj dhe Hasani, prej vitesh kanë qenë bashkëpunëtorë. Të njëjtat burime pohojnë se në shumë ngjarje të ndodhura vite më parë në Fier, ku është lakuar emri i Selami Hasanit apo dhe Gramoz Yzeirit, të dy këta "aktorë" të rëndësishëm kanë pasur dijeni ose kanë qenë shumë pranë me njëri-tjetrin. Kontrolli për drogë i ushtruar në prill të vitit 2004, nga ku u sekuestrua sasia e madhe e kokainës dhe përzierësi, ka pasur si objekt pikërisht banesat e miqve të ngushtë, Selami Hasanit dhe Gramoz Yzeirit, pasi banesat e tyre janë pranë me njëra-tjetrën. Të dy këta persona kanë mbështetur njëri-tjetrin në mjaft aktivitete që policia i cilëson si të dyshimta dhe kriminale.









Ngjarja



Gramoz Yzeiri dyshohet se ka vrarë në bashkëpunim Xheladin Qelinë dhe motiv i saj ka qenë hakmarrja. Ngjarja e ndodhur në vendin e quajtur bar "Rinia", e vendosur në qendër të qytetit të Fierit, është regjistruar 13 qershorin e vitit 1998. Vrasja e Xheladin Qelisë dyshohet prej policisë se ka lidhje me një vrasje të ndodhur më parë në lokalin "Zërat e Natës", ku ka mbetur i vrarë nipi i Renato Saliajt, ose njohur ndryshe me pseudonimin Renato Çami. Kjo vrasje prej vitesh ka mbetur pa autor dhe është rihapur për t‘u hetuar në fillim të vitit 2008. Ndërkohë që për veprën penale të "trafikut të lëndëve narkotike", Gramoz Yzeiri është shpallur fajtor dhe dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Fier me 12 vjet heqje lirie.