Autori i Lajmit: Redaksia
Panairi i Klik Ekspo Group lë gjurmë që vlejnë 365 ditë të vitit për Shqipërinë. 350-400-450 ekspozues lënë vulën e tyre në ekonominë shqiptare, gjallërojnë Tiranën, amplifikojnë turn-overat e hoteleve, restoranteve, transporteve. Mbi 30% të ekspozuesve rikthehen, 80% nënshkruajnë kontrata bashkëpunimi apo presin feedback nga sipërmarrësit shqiptarë, mbi 20% e pjesëmarrësve nga ky panair instalohen në tregun shqiptar.



Zonja Agolli, këtë vit të bën përshtypje pjesëmarrja e biznesit të huaj në panairin e Klik Ekspo Group. Cilat mendoni që janë arsyet që ekonomia jonë ka shfaqur interes?



Është fakt që më tepër se 85% të ekspozuesve përfaqësojnë Ballkanin, Evropën Qendrore, Evropën Juglindore. Sigurisht që pika kyçe e tërheqjes të ekspozuesve të huaj është një klimë e mbarë ekonomiko-politike, e cila po përçohet përtej kufijve falë një PR dhe komunikimi goditës të qeverisë shqiptare; statistika të rritjes të shkëlqyera, kriza globale nuk e ka prekur vendin tonë, e për më tepër anëtarësimi në NATO, mbeten sigurisht shtylla, tek te të cilat sipërmarrësit e huaj mbështeten për të ndërmarrë projekte e nisma të përqendruara tek Shqipëria. Por, përkrah një terreni të favorshëm të krijuar nga imazhi i përmirësuar i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, shtysa parësore e sipërmarrësve të huaj për të marrë pjesë në Panairin Ndërkombëtar të nëntorit, mbeten ofertat joshëse dhe prezantimi ndjellës servirur nga organizatori. Një përzgjedhje e qëlluar e ekspozuesit potencial në nivel individual, por deri dhe tek organizmat shtetërore ndërkombëtare (Dhoma Tregtie, Ministri të Ekonomisë etj) për të cilët, Panairi Ndërkombëtar i Klik Ekspo Group është garantuesi i vetëm i një depërtimi të shëndetshëm në tregun shqiptar, por pse jo edhe për një marketing me vlera afatgjata. Duhet theksuar gjithsesi që këto organizma apo sipërmarrës individualë nuk zgjedhin një panair në Tiranë, por zgjedhin në mënyrë të përsëritshme Panairin Ndërkombëtar të Klik Ekspo Group.



Si janë organizuar forumet, duke parë që ju e keni konceptuar si pikë takimi për biznesin?



Organizimi i forumeve, apo i aktiviteteve dytësore që marrin jetë në njëkohësi me ekspozimin ka qenë përherë një nga thekset e Panairit Ndërkombëtar të nëntorit. Por, është e vërtetë që në këtë edicion të 16-të, Forumet dhe aktivitetet paralele janë parë në një këndvështrim më të gjerë si në shpeshtësinë e organizimit ashtu dhe në temat dhe argumentet që janë trajtuar. I pari në radhë, është Forumi i Tretë Ekonomik Greko-Shqiptar, parë si i një rëndësie të veçantë edhe nga autoritetet shtetërore. Një seri e plotë aktivitetesh si seminare, uorkshope, firmosje kontratash etj. Faktikisht janë negociuar dhe më parë këto kontrata, por tanimë gjetën terrenin për tu bërë publike dhe për tu përfunduar në panair. Ndërkohë, po zhvillohen përgjatë këtyre ditëve, duke e konsideruar panairin si një moment të rëndësishëm për të sjellë në qendër të vëmendjes të një publiku më të interesuar dhe autoritar për bizneset e ndryshme.



Cila është tendenca e këtij viti?



Këtë vit, si dhe në herët e shkuara kemi organizuar një sërë forumesh përgjatë gjithë ditëve të Panairit. Po kështu, këtë vit, çdo pavijon shteti ka aktivitete të ndryshme me medien, me bizneset, apo dhe me institucionet qeveritare shqiptare. Ndërkohë, si sektorë pjesëmarrës, ka një tendencë të theksuar të sektorit të ndërtimit, me të gjithë gamën e aksesorëve. Industria agroushqimore po ashtu është e përfaqësuar më së miri, duke nisur që nga prodhimet e paketimit dhe ruajtjes, deri të ushqimet e ndryshme. Ka dhe prezencë shumë të mirë të industrisë kimike, asaj të ruajtjes së ambientit apo ekologjisë.



Cilat biznese përfaqësohen më shumë. A mund të na rendisni disa nga kompanitë më të mëdha që marrin pjesë në panair?



Duhet të prisni mbylljen e panairit ndërkombëtar kur ne, besoj do tu surprizojmë me shifra dhe të dhëna për kompanitë që marrin pjesë në panair. Ka shumë kompani me xhiro dhe fitime vjetore befasuese për tregun shqiptar.



Pavijoni i Mbrojtjes dhe Sigurisë është një risi këtë vit. Mund të na thoni si lindi ideja dhe çfarë synohet të arrihet përmes këtij reklamimi në panair?



Nuk është zgjedhja e jonë prania e Republikës Çeke këtu. Janë ata që erdhën në këtë treg që e shohin si pjellor dhe të suksesshëm në vitet e ardhshme. Në fillim ishte ideja që të organizohej panairi “Ushtari i shekullit 21”, që do të përfshinte të gjitha pajimet e një ushtari. Që nga veshjet, armatimet, e deri te nevoja më e vogël. Parathënia e këtij ushtari tashmë është në pavijonin çek. Prezantimi i datës 23 nëntor, në Zall Herr ishte një minishfaqje e asaj çka do të ndodhë në tetor të vitit 2010, kur do të zhvillohet ALMEX. Ashtu si çdo aktivitet i rëndësishëm, dhe për ALMEX, ne kemi rreth dy vjet që punojmë, për të pasur sukses. Kemi menduar për momentin e lançimit dhe realizimin në mënyrën më të përkryer, ashtu si e kërkon një eveniment i këtyre përmasave.



Keni deklaruar në hapje të panairit se "Klik Ekspo Group" do ti bashkohet së shpejti UFI-t (Unioni Botëror i Panaireve), duke u bërë anëtarja e 84-të. Si mendoni ta arrini këtë qëllim?



Jemi krijues, lider në këtë sektor, pavarësisht terrenit jo të mirë dhe mungesës së disahershme të përkrahjes nga sektori shtetëror. Gjithsesi është një bashkim i sakrificës, vullnetit, dëshirës së mirë për të kontribuar në zhvillimin e vendit. I gjithë aktiviteti do të kalojë në procesin e auditimit të specialistëve të UFI-t. Do të testohen ekspozuesit, vizitorët, çdo segment i panairit, në fazën përgatitore, fazën e zhvillimit dhe deri në folloë-up me mbarimin e tij. Por gjithsesi, shpresat për tu anëtarësuar janë të shumta, cilësia e aktivitetit duket qartë, standardet puqen dita-ditës. Gjatë vlerësimit do të merret patjetër parasysh edhe terreni në të cilin organizohet panairi, një industri e re me një operator të vetëm që mund të arrijë standardet e kërkuara, ndaj dhe gjatë ekzaminimit do të merret parasysh edhe trajektorja e gjatë 16-vjeçare e organizatorit, që nga pikënisja e deri në pikarritjet e tij më domethënëse. Gjithsesi, rruga nuk është e lehtë, ka në të edhe defekte që kemi mësuar ti përmirësojmë me kohën, të kthejmë risinë në traditë, e tradita të na shtyjë për anëtarësime të këtij rangu.



Si e masni suksesin apo mossuksesin e këtij evenimenti të përvitshëm, përveç pjesëmarrjes së biznesit?



Duke huazuar një shprehje të popullit, fshati që duket, nuk do kallauz. Suksesi është i dukshëm sapo i afrohesh strukturave të ekspozimit. Gjithçka flet për sukses, shumësia e produkteve të ekspozuara, larmia e ngjyrave të logove te pranishme. Zona e ndërkombëtarizuar e Pallatit të Kongreseve tregon gjerë e gjatë mbi suksesin e Panairit Ndërkombëtar të Nëntorit. Në vazhdimësi ka tentativa nga organizatorë apo organizma për të ndërmarrë nisma të tilla, publicizohen si mbarsje malesh, por në fakt hapen e mbyllen, pa lënë gjurmë, pa bërë zhurmë, pa rezultate të mirëfillta biznesi. Ndërkohë, Panairi i Klik Ekspo Group lë gjurmë që vlejnë 365 ditë të vitit për Shqipërinë, 350-400-450 ekspozues lënë vulën e tyre në ekonominë shqiptare, gjallërojnë Tiranën, amplifikojnë turn-overat e hoteleve, restoranteve, transporteve. Mbi 30% të ekspozuesve rikthehen, 80% nënshkruajnë kontrata bashkëpunimi apo presin feedback nga sipërmarrësit shqiptarë, mbi 20% e pjesëmarrësve nga ky Panair instalohen në tregun shqiptar: Delta e Euromax; Panaphone; Gruppo Becketti, Edison, Ducros, Enel, etj., janë shembuj kuptimplotë.



Për sa i përket pjesëmarrjes së bizneseve, cili është trendi që paraqitet nga viti në vit?



Pakësohet numri i sipërmarrjeve të vogla, duke i lënë hapësirën atyre të mesme, gjigantëve nacionalë e multinacionalë, investitorëve me shifra të konsiderueshme biznesi etj. Mallrat agro-ushqimore zëvendësohen pak nga pak nga industria e përpunimit dhe paketimit, ndërkohë që evoluon ndërtimi dhe ndërtimtaria, infrastruktura, përpunimi i mbetjeve urbane dhe shërbimet për qytetin, zgjidhje për energjinë dhe burimet alternative të energjisë, industria kimike, makinat dhe automjetet etj.



Sa për qind e kompanive të biznesit marrin pjesë për herë të parë në këtë panair?



Një përqindje e konsiderueshme sipërmarrësish shqiptarë, që e konsiderojnë panairin e Klik Ekspo Group si trampolina me e drejtpërdrejtë nga ku mund të promovojnë dhe promovohen, e po ashtu dhjetëra sipërmarrës të huaj që i lënë stafetën njeri-tjetrit në pavijonet shtetërore të organizuara në mënyrë institucionale, si pavijoni i Kroacisë, Serbisë, Bosnje Hercegovinës, Belgjikës, Greqisë, Maqedonisë, Kosovës, etj.



Sa për qind e kompanive janë besnike dhe marrin pjesë çdo vit në panair?



Besniket janë kryesisht kompanitë e instaluara në tregun shqiptar, qofshin ato prodhuese, distributore, koncensionare etj. Anas, Yldon, Porsche Albania, etj. janë kënaqshëm ndër më të përsëriturat në listat e ekspozuesve, të cilët nuk e kuptojnë komunikimin dhe marketingun e tyre pa përfshirë në të Panairin Ndërkombëtar të Klik Ekspo Group. Distributorët e automjeteve, presin Autoshoë për tu ekspozuar ndaj syve të blerësve.



Panairi ka pasur edhe vëmendjen e përfaqësuesve më të lartë të politikës. Pse mendoni se ky panair shfaq kaq shumë interes?



Është normale që çdo sinjal zhvillimi të perceptohet si i “përbashkët” sipërmarrësi dhe politika në një. Janë po ashtu sinjalet e politikave të mbara të Ministrisë së Ekonomisë dhe organizmave shtetërore, që e bëjnë tërheqëse Shqipërinë. Dhe, nga ana tjetër, është forca e Klik Ekspo Group që këto sinjale i dërgon në vendin e duhur, në mjedisin e duhur ku gjallojnë sipërmarrësit dhe donatorët që shohin drejt nesh me interes. Me shume se çdo gjë tjetër, edicioni i këtij viti, ashtu si përherë, dëshmon mbarësi ekonomike dhe një tendencë drejt zhvillimit pozitiv.



Kompanitë e biznesit, a kanë pasur tendencën për tu paraqitur me ulje çmimesh?



Nuk është ky qëllimi. Nuk shihet në këtë këndvështrim pjesëmarrja në Panairet e Klik Ekspo Group. Megjithëkëtë, ato sipërmarrje tregtare apo artizanale, që me mallrat e tyre u drejtohen blerësve të shpejtë, janë të mirëpritur, edhe pse në numër të pakët, por janë ata që i shtojnë segmenteve të caktuara të panairit shije dhe ngjyra. Në fund të fundit janë të domosdoshëm për një publik më të gjerë.



A ndihet kriza ekonomike ne produktet dhe shërbimet që ofrojnë kompanitë pjesëmarrëse?



Fakti që interesi i pjesëmarrjes është në rritje, fakti që produktet e ekspozuara janë të përzgjedhura dhe të mirëklasifikuara, shumëllojshmëria e sektorëve dhe nënsektorëve, tregojnë që ndoshta kriza është e vetmja “cilësi” ndërkombëtare që ekonomia shqiptare nuk ka.



Për sa i përket vizitorëve, a ka pasur fluks këtë vit dhe cili është raporti në krahasim me vitin e shkuar?



Nisur nga një seri standardesh që Klik Ekspo Group ka qëllim të arrijë, është punuar fort edhe në drejtimin e vizitueshmërisë së Panairit. Është lehtësuar hyrja për vizitorin e specializuar me anë të ftesave e fletëhyrjeve të posaçme (të cilat lëshohen me plotësimin e skedave të veçanta), ndërkohë që seria e aktiviteteve paralele me ekspozimin, ëorkshope, festivale, prezantime etj, e bëjnë Panairin e Nëntorit pikëtakimin me të frekuentuar të këtyre ditëve festive.

Ky lajm është publikuar: 29/11/2009