Fshati Madhesh


MAT/ Vdes në vend 27-vjeçarja. Arrestohet pas 3 orësh në mal autori.


Vëllai vret motrën, se banorët e fshatit flisnin keq për të. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 10:30 në fshatin Madhesh të komunës Ulëz, 2 kilometra larg rrugës nacionale Burrel-Milot.

Zyrtarë të Komisariatit të Policisë Mat, që janë njoftuar nga banorë të zonës gjysmë ore pas krimit, thanë se kanë mbërritur shpejt në vendin e ngjarjes dhe kanë konstatuar se 27-vjeçarja Shqiponja Miza kishte vdekur për shkak të plagëve të marra, pas dy të shtënave me çifte. Në momentin e ngjarjes së rëndë në shtëpi ka qenë nëna e viktimës, kunata dhe një vëlla i paralizuar. Kunata R.Miza ka treguar për grupin hetimor ngjarjen. Sipas saj, Mirash Miza, 38 vjeç, ishte kthyer nga emigracioni në Greqi një javë më parë. Nga dita e parë dhe deri kur vrau të motrën, vetëm zihej me pjesëtarët e familjes. Pinte raki gjithë ditën dhe debatonte me të gjithë. Nëna e Shqipes po pastronte në shtëpi, vëllai ishte në karrocë brenda banesës dhe unë e Shqipja ishim në oborr. Krejt papritur del nga shtëpia Mirashi me çifte në dorë. Në moment Shqipja vrapon për tu larguar në livadhin poshtë shtëpisë. Mirashi e ndjek këmba-këmbës dhe gjuan dy herë mbi motrën e tij. Ajo ra përdhe. Unë dhe nëna e saj mbërritëm shpejt pranë saj, por Shqipja kishte vdekur. Mirashi la çiften në oborrin e shtëpisë dhe iku malit. Ky është rrëfimi i dëshmitares së vetme të ngjarjes. Pak minuta më vonë, për ngjarjen është njoftuar babai i vajzës, i cili kishte vajtur në komunë për të plotësuar disa dokumente të ndihmës ekonomike. Pas marrjes së informacionit, shefi i Komisariatit të Matit, që e kishte ditën e parë të punës në këtë rreth, Asllan Shyti, së bashku me zyrtarët vendorë të Policisë lokale Sami Neli e Musa Skura, si dhe efektivë të policisë, kanë nisur kërkimet për kapjen e autorit të krimit makabër. Të paktën tri orë kanë zgjatur kërkimet në malet e Madheshit. Autori nuk mbante telefon dhe nuk kishim asnjë mundësi komunikimi me të. Pas tri orësh arritëm ta gjejmë në mal. Pasi e prangosëm, e sollëm në Komisariatin e Policisë Burrel, thanë për Panorama burime policore. Burime pranë organit të akuzës thanë se nga hetimet paraprake rezulton se Mirash Miza ka deklaruar se kishte dëgjuar fjalë jo të mira për motrën, prandaj e kishte kryer krimin. Ai është shprehur se nuk është penduar për vrasjen e motrës.


Ekspertiza

Pas kapjes së autorit të ngjarjes, Policia ka urdhëruar dërgimin e viktimës në morgun e spitalit të Burrelit, mirëpo fillimisht prindërit e vajzës e kanë kundërshtuar një gjë të tillë. Ajo ka vdekur, pse duhet ta çoni në morgun e spitalit, janë shprehur babai dhe nëna e vajzës së vrarë mëngjesin e djeshëm. Mirëpo policia ka ndërhyrë dhe e ka dërguar kufomën në morg. Mungesa e mjekut eksperto-ligjor ka bërë që viktima të qëndrojë disa orë të tjera në morg, duke krijuar tjetër shqetësim për të afërmit e saj.


MAT/ HASAN PASHA