Prof.As.Dr.Romeo Hanxhari Prej disa kohësh, sa herë që dëgjoja debate kundërshtuese ndaj idesë së energjisë bërthamore edhe në Shqipëri, bindja veten që ky ishte një kundërshtim politik dhe jo shkencor, pra kundërshtim që bëhej thjesht për kapital elektoral. E rrjedhimisht, nuk ia vlente sqarimi teknik. Sepse, në këto lloj kundërshtimesh edhe vetë ata që kundërshtojnë e dinë fare mirë që e bëjnë kot, për tym. Por, kohët e fundit, ky kundërshtim është “trashur” disi edhe me gjoja argumente të llojit “shkencor”, ndaj tani mendoj se duhen vënë disa pika mbi i, sidomos për sa i përket aspektit mjedisor si aspekti më sensitiv në këtë histori. Pra, a rekomandohet energjia bërthamore nga mjediset e shëndetshme shkencore të botës, dhe në çfarë konteksti? Absolutisht në të gjitha dokumentet e rëndësishme shkencore që studiojnë problemet e teknologjive më të përshtatshme për prodhimin e energjisë në kuadër të shqetësimit aktual të ndryshimeve klimatike, energjia bërthamore rekomandohet si njëra nga zgjidhjet. Rekomandohet në raporte të BE-së, në raporte të EPA-s, në raporte të OKB-së, në raporte të Komisioneve a Konferencave për Klimën, etj etj. Ekspertët që punojnë me sektorin e energjisë së lidhur me mjedisin, apo anasjelltas, i njohin mirë këto dokumente, sepse ato janë të pranuara zyrtarisht si pika referimi për vendimmarrjet në këta sektorë. Rrjedhimisht presupozohet që i njohin këto dokumente edhe politikanët, apo vendimmarrësit e këtyre fushave, …përfshirë edhe ata të opozitës. E, nisur nga kundërshtimi i bërthamorit, s’jam i sigurt nëse i njohin këto dokumente këta politikanë në Shqipëri, por jam fare i sigurt që politikanët normalë (përfshirë edhe ata opozitarë) në vendet normale të botës i njohin mjaft mirë. Madje, jo vetëm që i njohin, por edhe u binden prerë atyre. Kështu, edhe Samiti i Kopenhagenit që mblodhi në Dhjetor 2009 gjithë kokat e botës, bazohej pikërisht në njërin prej këtyre dokumenteve, më të rëndësishmin në fakt: Raporti AR4, ose ndryshe Raporti i 4-t i Vlerësimit, i IPCC – bërë publik në vitin 2007. Pikërisht këtë dokument do të citoj, mes gjithë të tjerëve që e rekomandojnë energjinë bërthamore.  Raporti AR4 në fakt mund të konsiderohet absolutisht si “Kushtetuta” e njerëzimit për problemet e ndryshimeve të klimës dhe masave kundër tyre. Raporti hartohet nga IPCC - Paneli Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike, organizëm i krijuar nga OKB që në 1995, i cili bashkon mbi 10.000 shkencëtarët më të mëdhenj të klimës dhe gjithë fushave që kanë lidhje shkak-pasojë me të. Këtij raporti, më prestigjiozit në botë për klimën, i referohen të gjithë liderët botërorë, përfshirë pra edhe ata që u mblodhën në Kopenhagen. çfarë thotë konkretisht Raporti AR4 për energjinë bërthamore? Në këtë raport, në kapitullin e fundit renditen dhe analizohen “teknologjitë dhe praktikat, të disponueshme tashmë nga njerëzimi, që janë kyç për zbutjen e ndryshimeve klimatike”. Këto teknologji pasqyrohen për një sërë sektorësh, si prodhimi i energjisë, transporti, ndërtimet, industritë, bujqësia, pylltaria, mbetjet. Në pjesën që trajton sektorin e “prodhimit të energjisë”, energjia bërthamore renditet ndër teknologjitë më të rëndësishme dhe më të përshtatshme në këtë aspekt. Energjia bërthamore renditet, në rend rëndësie, menjëherë pas praktikës së “përmirësimit të efiçensës së prodhimit dhe shpërndarjes së energjisë” dhe pas asaj të “kalimit nga prodhimi me qymyr, tek ai me gaz natyror” (kalim që duhet ta bëjë edhe Shqipëria menjëherë sapo të disponojë në treg gazin natyror). Madje, në këtë listë rekomandimesh për sektorin e energjisë, energjia bërthamore vendoset edhe përpara praktikës së “ngrohjes dhe energjisë së rinovueshme (hidro, solar, erë, gjeotermal, dhe bioenergji)”, përpara “kombinimit të ngrohjes me prodhimin e energjisë”, si dhe përpara “aplikimeve të para të teknologjisë së kapjes dhe stokimit të dioksidit të karbonit - CCS”. Për  ata që duan ta konsultojnë këtë raport në përmbledhjen për vendimmarrësit (Summary for Policymakers – SfP), rekomandimi për energjinë bërthamore gjendet në faqen 17. Po pse në dokumentin AR4, energjia bërthamore rekomandohet si njëra nga rrugët e zgjidhjes së këtij problemi? Për shkak se energjia bërthamore aktualisht është teknologjia më serioze dhe e realizueshme që disponon njerëzimi për të përballuar njëkohësisht të dyja problemet më urgjente: së pari, nevojën në rritje për energji sidomos të vendeve në zhvillim, dhe së dyti, nevojën ulëritëse të njerëzimit për të reduktuar një orë e më parë emetimet e dioksidit të karbonit në atmosferë. Lidhur me argumentin e parë, teknologjia e energjisë bërthamore është sot për sot burimi i vetëm i sigurt në nivel industrial që mund të përballojë rritjen me 5 % çdo vit të nevojës për energji. Pjesa e luanit në këtë rritje të nevojës për energji e kanë në fakt vendet në zhvillim, ndryshe nga ç’mund të mendohet. është një nga parimet e zhvillimit të qëndrueshëm global që “vendet në zhvillim kanë të drejtën e rritjes ekonomike duke synuar standardet jetësore të vendeve të zhvilluara”. Ai që guxon t’ua mohojë vendeve në zhvillim të drejtën jetike për t’u zhvilluar, bie në pozitat e atij që është quajtur eko-imperializëm, i cili duke abuzuar me argumente “mjedisore”, synon të vendosë kufij gjoja mjedisorë për vendet e reja që janë futur në rrugën e zhvillimit. Thënë kjo, në niveli aktual të zhvillimit të teknologjisë, asnjë burim energjie nuk ua plotëson dot vendeve në zhvillim nevojat për energji të sigurt në nivel industrial. Teknologjitë e energjive të ripërtëritshme fatkeqësisht janë ende shumë të pafuqishme për këtë, ende shumë të shtrenjta, dhe nga ana tjetër edhe këto lloj energjish kanë nevojë për energji të sigurt në prapavijën e sistemit energjetik. Lidhur me argumentin e dytë, pra atë që energjia bërthamore bën të mundur reduktimin e shpejtë të emetimeve të dioksidit të karbonit, përllogaritjet janë të thjeshta: industria e prodhimit të energjisë bërthamore emeton sasi krejt minimale dioksidi karboni për njësi energjie të prodhuar. Nëse vlerësohet sasia e karbonit në të gjithë ciklin jetësor (pra që nga nxjerrja e lëndës së parë, e deri te çmontimi i centraleve në fund të ciklit të tyre), sasia që emetohet nga bërthamori është e njëjtë me atë të emetuar nga energjia hidrike dhe ajo eolike, madje është më e ulët se sa karboni i emetuar nga teknologjia fotovoltaike (diellore). Kjo është tashmë e njohur dhe e pranuar në të gjitha mjediset shkencore të botës.  Në parantezë, duhet thënë që teknologjia bërthamore natyrisht paraqet edhe një sërë sfidash teknologjike e mjedisore, të cilat janë zgjidhur dhe po zgjidhen përfundimisht shkallë-shkallë. Prandaj lloji i teknologjisë bërthamore që rekomandohet për përdorim nga vendet në zhvillim apo nga vendet e zhvilluara, është teknologjia bërthamore e brezit të tretë, i cili është aktualisht disponibël teknologjikisht. Bërthamori i brezit të tretë është ai me sigurinë më absolute kundër aksidenteve të paqëllimshme, sabotimeve të qëllimshme, apo rrezatimit të rastësishëm. Ndërkohë, nëse teknologjia e brezit të katërt do të jetë disponibël përpara vitit 2020 në botë, atëherë ajo do të jetë për njerëzimin një lëvizje vendimtare për zgjidhjen përfundimtare të gangrenës së energjisë dhe të klimës në botë: emetime karboni zero, lëndë e parë minimale, mbetje minimale dhe që rihyjnë në procesin e prodhimit të energjisë. Sigurisht që edhe Shqipëria, e cila vështirë se e zhvillon dot industrinë e vet bërthamore përpara vitit 2025, me siguri që do të përfitojë nga bërthamori i brezit të katërt, si teknologjia me siguri absolute dhe me efiçensë të jashtëzakonshme. Përfundimisht pra, e vërteta është se preokupimet mjedisore, të cilat në vitet ’80 patën nxitur braktisjen e rritjes së sektorit bërthamor në botë, tashmë janë bërë vetë shkak që njerëzimi t’i rikthehet atij sektori në një nivel tjetër të përparimit të shkencës. Pra, nëse njerëzimi, bazuar në shkencën mjedisore, po e zgjedh që tani këtë teknologji që ndihmon të shpëtojë planetin nga katastrofa klimatike e që ndihmon vendet në zhvillim të ecin me këmbët e tyre, pse duhet t’i mohohet Shqipërisë pjesëmarrja aktive në këtë pozicionim të përgjegjshëm sa moral aq edhe strategjik? E nëse vetë ambientalistët realistë dhe me etikë mjedisore në botë e kanë pranuar energjinë bërthamore si kompromisin më të pranueshëm për të luftuar që tani ndryshimet klimatike, si do të mund të konsiderohej kundërshtimi a priori që u bëhet përpjekjeve për të promovuar këtë lloj energjie edhe në Shqipëri? Kam përshtypjen se ky do të jetë nga ata lloj debatesh jo serioze sipas të cilëve “kur jam në opozitë të them se është gabim kjo që po bën, ndërsa sapo vij në pushtet të akuzoj se pse nuk e ke bërë më shpejt të njëjtën gjë”. E vërteta është që Shqipëria mund dhe duhet të bëhet pjesë e zgjedhjeve jetësore që po bën njerëzimi, sepse zhvillimi i energjisë bërthamore në këtë kontekst përfaqëson sa interes kombëtar, aq edhe përgjegjshmëri planetare.