Ani Jaupaj

Identifikimi i një karakteri ngjyroset e merr pamje nga detajet fare të vogla, që me një shikim të shpejtë të duken shpërfillëse. Kupton më pas që, tek e fundit, janë ato që dallojnë njërin nga tjetri. Fjala bie, që dikush të mos mbaj asnjëherë çadër me vete, si personazhi ynë, edhe pse nuk është kushedi çë për t’u zbuluar, ngelet detaj vetëm i tiji. Supersticiozët i veshin elementë të tillë me gjithfarë misteresh që zbresin nga yjësitë, por nuk po nisim të zbërthejmë këtë. Janë të tjerë, më të rëndësishëm, tiparet dallues. Te Enkeleda Olldashi, pasojë ndoshta e profesionit të saj si pedagoge, çka nënkupton së pari komunikim të mirë, ndërthurej një buzëqeshje thuajse fëminore me elokuencën e një profesoreshe që është përditë, për orë me radhë, përpara studentëve. Ajo vetë, e quan fat apo më mirë rastësi faktin që i qëlloi të japë lëndën “E Drejta Romake” në Universitetin e Drejtësisë. Natyra filozofike e lëndës e bën atë, tok me studentët, të vrapojë e të luajë në labirintet e mendimit, aq sa për të mos i bërë asnjëherë rutinore, qoftë ditët qoftë orët e mësimit. Sepse nuk është pak që të numërosh 14 vite mësimdhënie në profesion. Por avantazhi i punës së preferuar, bën që të mos duken as të shumtë.
* * *
Enkeleda Olldashi, habitet edhe vetë me dëshirat, apo më mirë prirjet ekstreme që kishte që në kohën e gjimnazit, kur i duhej të zgjidhte për studimet e larta. Matematikë, jurisprudencë, letërsi! Asnjëra që t’i qasej tjetrës. Gjeometria nuk mund ta linte asnjëherë indiferente por, ndërkaq, as frymëzimi me të cilin e mbushte letërsia dukej sikur nuk shteronte. Por ja që ishte e thënë t’i binte për hise pikërisht dega e drejtësisë, e cila më vonë do ta bënte të kuptonte që nuk paskësh qenë fare e rastësishme. Pas atij vendimi gjysmë të sajin e gjysmë të atyre që vendosnin për të drejtën e studimit, fshihej, njëfarësoj, fati i mëtejshëm. Sepse ku ta dinte Enkeleda që aty, mes studentëve, do të gjente edhe bashkëshortin e saj të ardhshëm. Me Ministrin e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashin, ishin moshatarë, një brez, brezi i parë i studentëve pas ndryshimit të sistemeve qeverisëse. Komoditeti i të qenit moshatar, janë ato bisedat e përditshme, ndonjëherë edhe të kota, temat e përbashkëta, shoqëria e njëjtë. Askush nga të dy nuk ka nevojë të përshtatet apo sforcohet për hatër të tjetrit. Ata të dy, ende edhe sot, kanë të njëjtët miq, po ata, të dikurshmit. Natyrisht që secili ka të tjerë, të rinj, për shkak të drejtimeve që secili do të merrte vite më vonë.
* * *
Me t’i dhënë fund studimeve, rrugët e të dyve nuk do të ndesheshin më si çdo mëngjes, në oborrin e fakultetit. Sokoli kishte nisur të bënte gazetarin në ATSH e më pas në gazetën “Albania”, kur Enkeleda u emërua juriste në Rektoratin e Universitetit të Tiranës dhe pedagoge e jashtme në Fakultetin e Drejtësisë(1995-2001). I shoqi vazhdoi me gazetarinë dhe më pas u bë pjesë aktive e politikës, ndërsa ajo, pas vitit 2001, kohë në të cilën kishte përfunduar dhe studimet pasuniversitare, do të emërohej pedagoge e brendshme në bankat, ku pak vite më parë, ishte ulur vetë. Këtu, do niste të plotësohej tabloja e plotë e pedagoges. Studentët dita ditës do njiheshin me ‘huqet’ e zyshës. Do mësonin që duhej vëmendje për ta ndjekur në ato ecejaket, vajtje-ardhjet, e mendimit që i shkaktonte lidhja me filozofinë. Do mësonin për ngurrimin e gjithëkohshëm për të botuar një libër, ngase i duket se duhet gjithnjë të mësojë edhe më, por do mësonin sidomos, nëse dikujt do i duhej t’i eci përkrah për ta pyetur, se ecën shumë shpejt...

Brenda dhe jashtë politikës

Të qenit gruaja e një politikani, nuk ia ndryshoi ndonjëherë ritmin e ditës Enkeleda Olldashit. “Sokoli nuk bën kurrë biseda pune në shtëpi dhe mua nuk më pëlqen t’i ndërhyj”. Enkeleda është nga ato që pohojnë fort se të gjithë kanë të meta, të gjithë kanë merita. Duke qenë pjesë e një profesioni publik, natyrisht që mbështet politikën si të tillë, por nuk ngre zërin asnjëherë për politikanin. “Përpiqem ta ndjek politikën nga pozicioni i qytetarit dhe jo i bashkëshortes së politikanit. Edhe kur më duket e arsyeshme t’i përcjell diçka tim shoqi, kjo është ajo që unë mendoj si qytetare dhe ajo çka unë vjel nga një brez me të cilin kam kontakt të përditshëm, studentët”. Dhe në fakt, bisedat politike qëndrojnë jashtë pragut të shtëpisë. “Mjaftohem me lajmet ato publiket, me ato që dinë të gjithë. Vetëm në raste të veçanta, nëse e shoh të shqetësuar, e pyes tim shoq. Jo për shkakun, por nëse ka një zgjidhje”. Nuk do ta cenojë kohën që ka për familjen me “punë”. E është pikërisht rëndësia e kësaj kohe që e ka bërë të zgjedhë mësimdhënien si një profesion me orare të mirëpërcaktuara. Paçka se studimet individuale, kërkimet, zënë kohën e tyre, por të paktën do të jetë në shtëpi, askush nuk do t’i vendos orare për këtë.