Objektivë e medias dhe gazetarëve është dhe duhet të jetë, që t’i ofrojnë një shoqërie apo shteti informata, edukim, lajme dhe ngjarje kualitative, përveç tjerash. Këto informata duhet të jenë aktuale, të paraqiten në mënyrë objektive, profesionale dhe duke iu përmbajtur etikës gazetareske dhe duke respektuar të drejtat e të tjerëve. Qëllim tjetër është që informatat dhe lajmet të paraqiten në mënyrë të paanshme dhe lexuesit, bartësit e jetës politike, institucionale, ekonomike, kulturore, sportive etj., të trajtohen me respekt, në mënyrë të ndershme dhe të hapur. Aspekt tjetër i rëndësishëm është evitimi i konflikteve të interesit dhe bindjeve personale e politike gjatë punës dhe sfidë për gazetarët paraqitet raportimi dhe informimi objektiv, i paanshëm, jotendencioz dhe pa ngjyrime politike. Sigurisht që rëndësi e veçantë i kushtohet edhe marketingut dhe anës ekonomike të sigurimit të të ardhurave për të siguruar ekzistencën vepruese. Po ashtu pavarësia nga grupet e interesit dhe politika sikurse edhe përgjegjësia e fjalës publike janë çështje kyçe për gazetari të avancuar, moderne dhe profesionale. Kuptohet që roli i medias në përgjithësi është shumë i rëndësishëm dhe i pazëvendësueshëm për funksionimin e një shteti demokratik, për informimin e drejtë të opinionit publik, për edukimin e publikut, për korrigjimin e gabimeve apo lëshimeve që i bëjnë qeveritë në pushtet si dhe për avancimin e fjalës së lirë në një vend të hapur dhe transparent. Ja çka thuhet në Preambulën e Kodit të Etikës së shoqërisë së gazetarëve profesionistë amerikanë: "Informimi dhe ndriçimi publik është pararendës i drejtësisë dhe themeli i demokracisë. Detyra e gazetarit është që të arrijë këto caqe, duke kërkuar të vërtetën dhe duke siguruar informim të plotë dhe të ndershëm të ngjarjeve dhe fakteve me rëndësi. Gazetarët dhe specialistët nga të gjitha mediat dhe fushat përpiqen t'i shërbejnë publikut me ndershmëri dhe saktësi. Integriteti profesional është boshti i kredibilitetit të gazetarëve". Kritikat dhe vërejtjet që i bëjnë gazetarët kudo në vendet demokratike në shumicën e rasteve janë të qëlluara dhe konstruktive dhe përpjekjet shtesë nga mediat serioze bëhen që lëshimet dhe gabimet nga ana e gazetarëve qoftë më qëllim apo jo të minimizohen sa më shumë, deri në eliminimin e plotë të tyre. Gazetat moderne si p.sh. “New York Times”, BBC etj., u përmbahen këtyre parimeve etike përgjegjësisë ligjore, morale dhe standardeve më të larta të gazetarisë moderne, të lirë dhe të hapur, por edhe të përgjegjshëm. Gazetat ndërkombëtare që kanë emër dhe që janë serioze i kushtojnë rëndësi dhe prioritet absolut objektivitetit dhe raportimit profesional dhe kjo jo vetëm për shkak të frikës së humbjes së besimit dhe autoritetit, por edhe për shkak të përgjegjësisë para ligjit dhe ndëshkimeve në rast të shpifjeve të ndryshme apo të gënjeshtrave dhe raportimit tendencioz dhe fyes ndaj personave të caktuar. Informatat nuk mund të keqpërdoren nga gazetarët e gazetave serioze për qëllime personale, klanore, partiake apo grupore dhe neutraliteti e objektiviteti janë pika reference për këto institucione të përgjegjshme publike. Pastaj askush nuk mund dhe nuk ka të drejtë të bëjë shkrime të pabaza, tendencioze dhe akuza pa mbështetje, sepse në shtetet e së drejtës ata/ato përballen me drejtësinë e vendit dhe paguajnë çmime të larta për pasaktësi dhe të pavërteta eventuale. Mosndërhyrja në jetën private e cila garantohet me ligje, jodëmtimi i burimeve të informimit, joshantazhimi ndaj njerëzve apo profesionistëve të ndryshëm janë disa parime tjera serioze që ndiqen nga gazetat dhe gazetarët e përgjegjshëm, profesionalë në vendet me traditë demokratike, me kulturë institucionale e politike, si dhe me etikë institucionale e gazetareske. Respektimi dhe përmbushja e detyrimeve ndaj ligjeve në fuqi gazetarët e NYT p.sh. janë të detyruar t’i nënshtrohen ligjit gjatë mbledhjes së informatave dhe raportimit. Ata nuk mund të shpifin të dhëna, nuk mund të gënjejnë, nuk mund të fyejnë persona të tjerë qoftë zyrtarë, kolegë të tyre apo njerëz të thjeshtë. Ata nuk kanë të drejtë të incizojnë biseda me njerëz të ndryshëm pa e marrë pëlqimin e tyre paraprakisht, nuk munden të hyjnë dhe të vjedhin të dhëna nga kompjuterë apo dosje të huaja dhe e kanë të ndaluar të hulumtojnë e-mail-et dhe postat e të tjerëve, përveç të tjerash. Gazetarët e përgjegjshëm dhe që respektojnë ligjet e një vendi nuk marrin dhurata, bileta udhëtimi, para apo beneficione të tjera nga individë, as nga grupe interesi apo organizata dhe institucione të tjera qoftë publike apo private. Në vend të përfundimit mendoj që shumica absolute e këtyre gjërave (me ndonjë përjashtim eventual) që i përmendëm më lart do të duhej të vlenin edhe për shtetet që kanë dalë nga komunizmi këtë dekadën e fundit siç është p.sh. Kosova, Shqipëria etj. Me gjithë vështirësitë e shumta që këto media i hasin në këto vende si nga aspekti financiar, ai i pengesave eventuale burokratike, ndikimeve të grupeve të biznesit si dhe politikës etj., ndoshta një aspekt tjetër është që të provohet t'u iket "temave sensacionale dhe spekulative, por nganjëherë edhe tendencioze", që më shumë ndoshta hasen në disa gazeta në Shqipëri, por nganjëherë edhe në disa media edhe në Kosovë. Ka studime ndërkombëtare që tregojnë se informimi real, objektiv dhe profesional i opinionit publik është edhe detyrë dhe obligim kombëtar i gazetarëve përveç aspektit etik dhe moral që u trajtua më lart dhe kujtoj se me këtë konstatim do të pajtoheshin shumica absolute e gazetarëve, intelektualëve dhe akademikëve seriozë.