Pas tre sondazhesh të suksesshme, televizioni Ora News dhe kompania e njohur italiane e sondazheve IPR Marketing kanë nënshkruar një kontratë të re për realizimin e një sondazhi tjetër në datën 22 qershor dhe realizimin e një exit polli datën e zgjedhjeve. Kontrata është nënshkruar nga presidenti i televizionit Ora News, Ylli Ndroqi dhe drejtori i kompanise italiane të sondazheve IPR Marketing, Antonio Noto dhe sanksionon nje bashkëpunim mes IPR Marketing , televizioni Ora News dhe universitetit Kristal për realizimin e këtij testimi kaq të rëndësishëm të votuesve shqiptarë. Sipas Presidentit të televizionit Ora News, Ylli Ndroqi, kjo kontratë i krijon hapësirën mediatike të gjithë qytetarëve për të mësuar rezultatin e zgjedhjeve parlamentare menjëherë pasi të mbyllen kutitë e votimit.

"Në orën 19:02 shikuesi do shohë fituesin e zgjedhjeve në Ora News. Ndërsa më 22 qershor do të publikohen edhe rezultatet e zgjedhjeve për qarkun e Tiranës", u shpreh presidenti i Ora News.

Ditën e zgjedhjeve do të jenë rreth 250 studentë të universitetit Kristal që do të shpërndahen në 200 qendra votimi në të gjithë vendin. Çdo përfaqësues i kompanisë IPR Marketing do t'i drejtohet në mënyrë rastësore qytetarëve që sapo kanë votuar; duke iu dhënë një fletë votimi për të shprehur qëndrimin e tyre. Të gjitha të dhenat do të dergohen në Itali ku do të përpunohen për të nxjerrë rezultatet e sondazhit me një garanci të plotë për fshehtësine e votës. "Exit polli do realizohet si zgjedhjet, pra do respektohet vota e fshehtë dhe votuesi që do zgjidhet për Exit-Pollit do ketë garancitë se vota e tij do jetë e fshehtë. Exit polli do realizohet në një kampion prej 200 qendrash votimi në gjithë territorin e vendit dhe janë përzgjedhur në bazë të rezlutateve që kanë dalë në vitin 2005 e 2007", tha Noto.

Ndërkaq drejtori i televizionit Ora News, Alfred Peza ka sqaruar se exit polli është vetëm një nga elementët që ekrani i Ora News do të ofrojë ditën e zgjedhjeve me synimin për të dhënë një imazh të plotë të zgjedhjeve parlamentare. "Një nga elementët kryesor që do përdorim për të qenë në kohë reale për informimin ditën e zgjedhjeve do jetë edhe exit polli-i. Ajo që do bëjë diferencën me televizionet e tjera informative është fakti se Ora News është i vetmi televizion informativ që firmos kontratë për Exit Poll-in", u shpreh Alfred Peza.

Kështu ditën e zgjedhjeve pas orës 19:00, televizioni Ora News është i vetmi televizion informativ që do të shpallë se kush i ka fituar zgjedhjet parlamentare.