Letra të gjata, ankesa dhe diskutime të gjera mes farmacistëve.



Pranë Autoritetit Shëndetësor Rajonal çdo ditë mbërrijnë ankesa nga farmacitë e Tiranës, për biznese të tjera që duan të ngrihen fare pranë tyre, pa respektuar distancën 100-150 metra.



Nisur nga këto dhe disa mangësi të konstatuara në ligj urdhri i farmacistëve ka listuar një grup problemesh që ndesh sot shërbimi i farmaceutikës. Distanca 100-150 metra krijon amulli, konkurrencë të pandershme dhe shkel hapur parime të profesionalizmit. Këto janë disa nga konstatimet e bëra nga urdhri i farmacistëve.



Problemet



"Kriteri i distancës së farmacive, i sanksionuar në ligjin e barnave që është aktualisht në fuqi, është vendosur duke iu referuar legjislacionit europian", sqaron urdhri i farmacistëve.



Ky kriter është i zbatueshëm sot në 15 vende të Komunitetit Europian. Një kriter tjetër shumë i rëndësishëm për cilësinë dhe sigurinë e barnave e të shërbimit farmaceutik është vendosja nga Gjykata e Drejtësisë Europiane me datën 19 maj 2009, i cili ka mbështetur të drejtën e shteteve europiane, që pronari i farmacisë duhet të jetë farmacist dhe askush tjetër nuk mund të hapë farmaci apo të ushtrojë profesionin e farmacistit pa u diplomuar si i tillë.



"Ky koncept i Ministrisë së Ekonomisë, që ka vënë shenjën e barazimit midis tregtisë së lirë të mallrave dhe shërbimit me barna, tregon se politikat e barnave janë thjesht politika tregtare dhe shëndeti i njeriut është baras me mall. Ky vendim akoma nuk është njohur nga i gjithë komuniteti i farmacistëve, por kanë mbërritur me dhjetëra reagime ndaj këtij kthimi mbrapa në shërbimin farmaceutik", sqaroi kreu i urdhrit të farmacistëve, Arjan Jaupllari.



Ligji



Në një sqarim zyrtar, urdhri i farmacistëve thekson se një pjesë e ligjit është lidhur gonxhe, duke qenë se ndryshimi herë pas here i legjislacionit ka kthyer në amulli tregun farmaceutik.



Në lidhje me këtë referencë na çudit fakti që në VKM-në Nr. 583, të cituar më sipër, edhe pse në ligjin Nr. 10081, datë 23.02.2009, "Për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë", ligj mbi të cilin është mbështetur dalja e këtij vendimi nuk është shprehur në lidhje me heqjen e kriterit të distancës për hapjen e farmacive të sanksionuar në ligjin Nr. 9323.



Këtë kriter e ka hedhur poshtë nëpërmjet këtij vendimi. "Farmacitë hapen në zonat urbane, në një largësi 100-150 metra, në varësi të dendësisë së popullsisë, një për çdo tre mijë banorë". Ky përjashtim nga ana e VKM-së të këtij kriteri ligjor e bën antikushtetues këtë vendim dhe për pasojë të gjitha subjektet farmaceutike që do të licencohen duke shkelur këtë kriter do të jenë licenca të pavlefshme, por, nga ana tjetër, do të krijojë një amulli dhe çoroditje të shërbimit farmaceutik.







Barnatoret, 24 orë





ASHR, asistencë për



çeljen e aktiviteteve natën





Farmacitë e kryeqytetit janë të hapura 8 orë, 12 orë apo 16 orë. Vetëm 2 nga farmacitë e kryeqytetit japin shërbim farmaceutik 24 orë në 24. Problemin e ka vendosur në dukje Autoriteti Shëndetësor Rajonal, i cili pas kontrolleve të kryera nga inspektorët e kësaj strukture, në tre muajt e parë të vitit 2009, ka dalë në përfundimin se shërbimi farmaceutik gjatë orëve të vona të natës gjendet me vështirësi. ASHR-ja u ka bërë thirrje subjekteve farmaceutike që duan të ofrojnë këtë shërbim, se pranë saj do të gjejnë gjithë konsulencën dhe lehtësirat e duhura, me qëllim që të shtohet numri i farmacive që punojnë natën.



Në një qytet ku jetojnë mesatarisht 1 milion banorë tregtojnë barna gjatë natës vetëm dy farmaci. "Problem tjetër i konstatuar gjatë kontrolleve ishte shërbimi "farmaci roje nate", që aktualisht mbulohet vetëm nga dy farmaci, të cilat nuk mund t‘i plotësojnë kërkesat dhe nevojat e qytetarëve për këtë shërbim", ka sqaruar Autoriteti Shëndetësor Rajonal i qytetit të Tiranës.