Blendi FevziuFatos Nano, ish-drejtuesi historik i Partisë Socialiste dhe disa herë kryeministër i vendit, rrëfen gjithë jetën e vet, duke e nisur që nga fëmijëria. Si u shndërrua nga një nëpunës i panjohur në kryeministër të gjithë shqiptarëve, si pak muaj para zgjedhjes detyrohej të zinte radhën e qumështit në 2 të natës... Kohët e vështira e të vrullshme kur Partia e vjetër e Punës u konvertua në Parti Socialiste, protagonistët dhe bisedat e panjohura mes tij dhe Ramiz Alisë, përshtypjet për Nexhmije Hoxhën dhe të tjerët. Intervista u transmetua gjatë mbrëmjes së djeshme nga Tv. KLAN në minutazhin e emisionit "Opinion" të gazetarit Blendi Fevziu.  Fevziu: Zoti Nano, si ka qenë fëmijëria juaj në një lagje të dominuar nga tirons të vjetër, tradicionalë, dibranë të ardhur në Tiranë pas Luftës së Parë, apo gjatë Luftës së Parë Botërore, në një lagje ku nuk ndihej shumë gjurma e pushtetit komunist të kohës ose ndihej më e lehtë...Nano: Ndihej shumë më pak se në bllok sigurisht. Unë jam lindur dhe rritur në një lagje pranë xhamisë së vjetër, me teneqe, të Derhemëve, midis sheshit "Avni Rustemi" dhe rrugës "Bardhyl" të sotme, në rrugicën e një shkolle të njohur për periudhën dhe historinë e arsimit shqiptar, që ishte shkolla "Hoxha Tahsin"...Fevziu: ...Një prej shkollave më të vjetra të Tiranës...Po, unë e kalova fëmijërinë dhe rininë në shtëpinë e një ish tregtari këpucësh dibran, të sekuestruar nga pushteti i pasluftës, për arsye se nuk kishte paguar tatimin e jashtëzakonshëm të luftës. Jetova aty, (pa tre vjet që i kalova në një apartament në Elbasan (1975-1978)), deri në një periudhë që më lëshoi në jetën publike, në moshën 39 vjeç, pra, deri në vitin 1991, kur u bëra drejtues i Qeverisë shqiptare për herën e parë. Në atë lagje të vjetër tiranase, sigurisht, krijova shoqëritë e para të fëmijërisë, bëra arsimin parashkollor dhe fillor, njoha zënkat dhe dashuritë e para, u rrita dhe ndesha vështirësitë e para të jetës. Më duhet të mos harroj që, përgjithësisht, arrita të krijoj marrëdhënie të shëndosha njerëzore me shumë personazhe të njohura sot, qe kanë qenë shokë të lagjes sime...Përpara se ata të shndërroheshin në personazhe publike..?Patjetër. Fatkeq ose fatmirë, produkte të ngjarjeve historike që kanë formuar jetën tonë të përbashkët, e cila, po të më lejoni ta ndërtoj të gjithën midis ekstremeve, se ekstremet në komunizëm ishin të ngjashme, rrjedh nga triskat te tollonat. Unë jam lindur në shtator të vitit 1952, pra kishte mbaruar lufta, prindërit e mi ishin dhe partizanë. Nëna, pjesëtare e lëvizjes guerilase në qytetin e Elbasanit, babai, i rritur jetim - prindërit i kanë vdekur herët, - nga ish-mësues në fshatrat e Vlorës, doli malit në 1943, pra, pak përpara kapitullimit të Italisë fashiste, apo ardhjes së nazistëve në Shqipëri. Kjo i çoi dhe në dasmën që solli lindjen e katër fëmijëve, nga të cilët unë jam i treti midis tre motrave. Jam lindur në një periudhë kur kishte kaluar entuziazmi i parë i pasluftës dhe ishin prishur marrëdhëniet me Jugosllavinë. Fiksoj këtë gjë, sepse periudha e parë deri në 1948, me thoshin se kishte pasur më shumë ushqim, apo mallra në treg, për shkak të marrëdhënieve të kliringut të parë me fqinjin më të zhvilluar. Unë u linda në periudhën e triskës, -  natyrisht, kishte tre kategori të triskës, ishte triska A për nomenklaturën e lartë, nomenklaturën e lartë politike të kohës, apo Qeverinë, derisa u legalizua Partia Komuniste më 1948. Ishte triska B, për rangun e dytë, intelektualë, nëpunës, drejtues institucionesh, siç ishte ATSH, apo me vonë edhe RTSH, ku im atë ka qenë drejtuesi i parë dhe themelues. Nëna ime, Maria, mësuese anglishteje e dalë nga shkolla e mesme amerikane e Kavajës, pas luftës, në rangun më të lartë, arriti pedagoge e anglishtes në shkollën ushtarake "Skënderbej". Dhe prandaj, një numër i madh gjeneralësh të  pluralizmit, të të gjitha shtabeve të përgjithshme që kanë drejtuar procesin e reformave të integrimit tonë në NATO, e kanë mësuar anglishten nga nëna ime, të cilën e vlerësonin si mësuese rigoroze dhe kërkuese. Edhe unë prej saj e kam mësuar, por ata kanë pasur më shumë favore sepse e njihnin nënën time vetëm si mësuese. Kurse, në familje, nënat nuk kanë asnjëherë kohën e nevojshme që ta ushtrojnë të gjithë profesionin tek fëmijët e tyre. E treta ishte triska e kategorisë C, për punëtorët dhe popullin e thjeshtë.Kategoria që ishin ish-të përndjekurit nuk ekzistonin fare... Pra ata që ishin goditur nga regjimi i kohës nuk merrnin fare triskë...Në atë kohë kur linda unë nuk duhet të ishin aq shumë, por ata për fat të keq u shtuan shumë më vonë dhe ka një proporcion që pasqyron logjikën politike të komunizmit: sa më shumë shtoheshin të persekutuarit, aq më shumë pakësoheshin burimet e ushqimit dhe të zhvillimit të vendit, në thelb. Ishte një përkim apo një ligësi...Me sa duket ishte një pasojë e pashmangshme e asaj mënyrë të arsyetuari politik dhe të atyre marrëdhënieve që lindën brenda kornizës dhe mureve që karakterizojnë të gjithë lindjen ish-komuniste. Natyrisht komunizmi mbaroi me tollona dhe unë nuk mund të mos fiksoj ose të fotografoj në këtë bisedë publike, faktin që jeta ime në komunizëm lëvizi midis triskës dhe tollonit. Por tolloni i viteve 80-te nuk kishte më kategori, duhej te stërmundoheshe që të ushqeje veten dhe fëmijët...Si për ju që ishit kryeministër i Shqipërisë...Mu desh ta administroj pjesën e fundit të krizës, siç e sollën tollonat, si kryeministër natyrisht. Tolloni i fundit ishte vërtetë i dhimbshëm dhe vrasës.Përse?Më lejoni t'jua përshkruaj me jetën time familjare dhe personale. Nëna ime e datëlindjes 1917, në vitet 80 ishte afër 70 vjeç, vazhdonte të bënte rolin e amvisës edhe për të psonisur, nga tregu fshatar i sheshit "Avni Rustemi" deri te tortura e qumështit që kërkonte të sakrifikoje gjumin e natës dhe të zije radhën në 2-3 të mëngjesit. Në vitet e fundit ajo filloi ta manifestojë lëngimin e zemrës, ishte e sëmurë nga zemra. Unë vendosa si djali i vetëm i familjes, ta zëvendësoj. Kisha një biçikletë kineze...Cili vit ka qenë?1987-1990. ... Një nga biçikletat kineze të kohës, se në rrethin e atëhershëm familjar, pavarësisht se regjimi i priste duart vjedhësve, na kanë vjedhur 7 biçikleta nëpër vite.Megjithatë unë ju mbaj mend me një biçikletë shumë të bukur në atë kohë...Ishin ato të kohës, por nuk e di cila nga ato që na u vodhën ju kujtohet juve. Natyrisht biçikleta kineze 26 ose 28-she. Unë ngrihesha në orën 2, kur zëvendësoja nënën në pazarin antitollon, një herë në tre ditë dhe me aq "hile" sa të lejonte kjo situatë, për shkak të biçikletës vendosja shishe bosh të qumështit në radhë në tre dyqane, duke kuptuar përpara se cilat ishin oraret e furnizimit të lokaleve. Pra ndiqja edhe unë makinën e furnizimit, nga "Shkolla e Kuqe" ku ishte dyqani më i afërt, deri afër zyrave të "Klanit" të vjetër, diku tek rruga e Elbasanit dhe arrija të merrja deri në orën 4 e 30 të mëngjesit, 9 shishe qumësht. Ne ishin një familje prej 8-vetësh, familja konsumonte rreth 3 litra në ditë, nga kosi deri tek qumështi i nevojshëm për të rritur fëmijë nga dhjetë deri në një mijë muajsh.Dy herë në javë ju punonit turni i tretë siç quhej në atë kohë...Po. Kjo përfundoi papritmas dhe pa parashikuar, në detyrën time të Kryeministrit për herë të parë, kur mua m'u desh të marr në dorëzim shtetin në shkurt të vitit 1991. është një episod unikal, kur pasi u mor vendimi, tani unë nuk dua ta përmend në këtë rrëfim për jetën aspektin zyrtar të historisë që njihet, por dua të them se si u bë dorëzimi i detyrës së Kryeministrit nga Adil çarçani tek unë. Si u bë, Adil çarçani ishte në detyrë prej 9 vitesh......në fakt që prej para lindjes sime. Ishin njerëz të luftërave që nuk e dorëzonin kurrë pushtetin. Papritur unë u ndodha në momentin që (rrethanat do t'i shpjegoj më pas), do të merrej detyra nga Adil çarçani dhe kisha hyrë në Qeverinë e Adil çarçanit disa muaj më parë, me kërkesë të Ramiz Alisë, i cili më njohu si një nga ekonomistët me prirje liberale. Kjo përkoi me momentin që Ramiz Alia nga halli, donte të merrte disa masa të cilat ai nuk i dinte se cilat ishin, dhe u hap ndaj disa ekonomistëve liberalë që nga unë tek Gramoz Pashko. Masa që nuk i mori dot kurrë...... Nuk i mori plotësisht dhe nuk pati kohë ta mbyllte këtë cikël. Unë e kushtëzova pranimin për të hyrë sekretar i Përgjithshëm dhe pastaj zëvendëskryeministër në Qeverinë çarçani, me një mandat të përcaktuar qartë për reforma dhe ndryshime ekonomike.Meqë jemi këtu, një ndërhyrje të vogël. Si funksiononte? Ju ishit një ekonomist që vinit nga një rini kryesisht moderne, ishit njeri që sikurse thatë kishit kaluar 3 vjet duke psonisur vetë në 2 të natës; moderne për kohën që ishte, sidomos në kontrast me klasën drejtuese komuniste, që ishte krejtësisht e atrofizuar, ju vetë thatë, kishin dalë nga lufta dhe nuk i përshtateshin më zhvillimeve të kohës. Si funksiononte kontakti ose marrëdhënia juaj me Adil çarçanin që ishte përfaqësues i një klase krejtësisht jashtë realitetit...?Dua të rrëfej këtu thjesht pjesën e panjohur të marrëdhënieve brenda zyrave që kanë shkruar historinë e njohur  publikisht. Kur hyra në Qeverinë "çarçani" unë konstatova që kjo klasë e atrofizuar politike, tek personazhi i Kryeministrit të kohës, (ju studentët i thoshit atëherë Tao-Tao, sipas një personazhi kartonësh kineze të kohës), funksiononte në një mënyrë çuditërisht vulgare, sepse i fundit që hynte në zyrën e Adilit formonte mendimin dhe vendimin e tij. Unë fillova me përkushtimin e një ekonomisti me prirje. T'i kthehemi rrëfimit. Në momentet e para që i them tim ati që nesër më duhet të takoj Ramiz Alinë, ishte fundi i vitit 1989, më thotë: Ki kujdes djalë, sepse siç të kam thënë, nuk e lexon dot drejtpërdrejt.Ai kishte një eksperiencë pune të gjatë me Ramiz Alinë...Po, dhe e pyes, ku e ke fjalën? E detyrohem ta them publikisht, është skile - më tha babai.Ishte realisht?Le të themi që ishte skile e plakur.Që do të thotë?Që do të thotë se unë e takova për herë të parë në një tryezë ku edhe mua më ishte kërkuar mendim ekonomistësh që do të takoheshin me Ramiz Alinë për të folur për nevojën dhe shkëmbyer idetë e para për reforma në ekonomi. Ishim në kushtet e harxhimit të rezervave valutore për ushqime. Midis tyre ishin nga personalitete të njohura si profesorët Hekuran Mara, Abdyl Backa, Nexhmedin Dumani, deri tek Arben Bakllamaja, një shok i klasës sime që punon me Bankën Botërore, Agim Shehu, prapë një ish-shoku i klasës sime në ekonomi-politike, Anastas Angjeli, Leontiev çuçi nga fakulteti, apo Paulin Radovani nga Shkodra etj. Ishim rreth 10 veta dhe unë rastësisht, ose jo rastësisht me të thënë të vërtetën, ulem në fund, në mbyllje të tryezës që kryesonte Ramizi, ishte një tryezë ovale, 5 veta nga të dyja anët, Ramizi në krye dhe unë në fund. Përkimet e fatit janë të çuditshme...Për çudi, kështu i ka qëlluar edhe tim ati. E kanë thirrur në Qeveri në 1976, kur diskutohej buxheti i nevojshëm për futjen e televizionit me ngjyra. Praktika e qeverive dhe mënyra procedurale ka qenë e njëjtë, agjencitë dhe institucionet jashtë Qeverisë thirreshin në atë pikë të rendit të ditës kur bëhej buxheti i tyre, ose problemi i tyre për vendimmarrje. Ishte banka e fundit, ku uleshin edhe sekretarët, ndihmës të Qeverisë, por edhe të ftuar. Im atë qëllon përballë Mehmetit kryeministër. Vjen radha që drejtori i Radio Televizionit të mbrojë kërkesën për fonde që ishin paraqitur në projektbuxhet dhe Mehmeti i hakërrehet: ore Thanas, kush e drejton mbledhjen, ti apo unë? Shoku Mehmet, përgjigjet Thanasi, më thatë që të përfaqësoj institucionin dhe kërkesa jonë minimale për të bërë televizionin me ngjyra është kaq. Dil përjashta, i thotë Mehmet Shehu. Dhe im atë më thotë që dola jashtë, shkova në zyrë dhe fillova të shkruaja dorëheqjen, se po të thoshte Mehmet Shehu dil jashtë, mbaroi historia. Në momentin që po e mbyllte dhe po e paloste në zarf, sekretarja merr në telefon dhe thotë të pret kryeministri në zyrë. Vajti. Ai thotë, hajvan, nuk kërkohen fondet në mbledhjen e hapur të Qeverisë, ja ku e ke vendimin tani, bëni televizionin me ngjyra! Kjo më ndodhi mua me Ramiz Alinë 14 vjet më vonë.Që do të thotë?Unë preferova të mos flasë para të ftuarve dhe Ramizit i dogji, se njëri nga ekonomistët që ia kishin rekomanduar si më të aftë, po heshtte në atë mbledhje. Ne fund më pyet, Nano çfarë thua ti? Unë i përgjigjem: kam përshtypjen se të gjitha idetë janë me interes dhe meqë ne duhet të respektojmë miqtë, na lejoni t'i filtrojmë, t'i klasifikojmë dhe t'ua japim sugjerimet racionale që dalin prej tyre në një material. Dhe papritmas unë kisha bërë konkluzionet që do të bënte Ramizi. Dhe përgjigjja e tij ishte: Jo more, qenke i mençur ti!, gjë që kishte ndodhur edhe me Thanasin më parë, në takime me Ramizin. Cila ishin përshtypjet e para për Ramiz Alinë?Nuk mund të krijohej që në këtë takim përshtypja, sepse pastaj filluan një numër kontaktesh, kur m'u kërkua në fund të vitit 1990 të krijoja një grup ekonomistësh që do të shkonin për të marrë përvojën e reformave ekonomike, në tre vende të ish bllokut lindor: Poloni, Hungari dhe çeki dhe unë krijova grupin që do të kryesoja vetë. Në përbërje të të cilit ishin, përveç meje, Bakllamaja, çuçi, Shehu dhe Angjeli. Ditën që grupi do të nisej, mua më thonë: ti nuk do të nisesh dhe këta do të ikin vetëm. Sepse u ftova të hyj në qeveri dhe udhëtimi i tyre do të ishte tre javë. Unë jam bashkuar me ta në javën e fundit në Budapest, në detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm për të na pritur zëvendës kryeministri Hungarez. Një takim shumë instruktiv, ku unë nisa të kuptoj se ku ishte dallimi mes Ramiz Alisë dhe udhëheqësve të tjetër të bllokut lindor.Ku ishte dallimi?Po ky ishte një jurist, që nuk ishte anëtar i nomenklaturës apo Partisë Komuniste dhe kishte mbërritur në udhëheqjen e qeverisë, zëvendëskryeministër, pas rënies së Murit të Berlinit, me formatin e parë të liberalëve që me një revolucion të kadifenjtë, arritën të zëvendësojnë regjimin e Janosh Kadarit. Dallimi ishte se ky ishte shumë më reflektues ndaj përvojës dhe historisë, gabimeve të regjimit komunist dhe nevojës për të ruajtur asetet e krijuara si një mundësi për konkurrencë dhe ekonomi të hapur. Tek Ramizi unë nuk i gjeta dot këto gjëra, as tek përfaqësuesit e tjerë. Ramiz Alia, ishte produkt i një historie të gjatë në komunizëm që solli shumë skartime në radhët e brezit që bëri luftën dhe dorëzoi pushtetin në pluralizëm. Valëve të spastrimeve dhe grupeve armiqësore, Ramizi u kishte shpëtuar të gjithave. Nuk e paragjykoj këtë gjë dhe nuk jam as në pozitën, as si familje dhe as në moshë, të njohjes së gjithë detajeve se si ka ndodhur kjo gjë, por Ramizi u shpëtoi të gjitha këtyre dhe unë di nga babai dhe historia që lidhet me këtë brez, që Ramizi kishte arritur të kristalizohej si një takticien i shkathët, që pas vdekjes së Hysni Kapos i shpëtoi ndëshkimit të Mehmet Shehut dhe doli më afër Enver Hoxhës se konkurrentët brenda shtresës së dytë të udhëheqjes, ku u konsolidua me vetëvrasjen e Mehmet Shehut. Me vdekjen e Enverit, Ramizit i ngeli në dorë si i vetmi i mundshëm, e gjithë trashëgimia problematike e 40 viteve komunizëm. Kjo ndodhi në një periudhë kur nevoja e ndryshimit kishte nisur që të shfaqej, jo vetëm në të gjithë lindjen komuniste por edhe në Shqipëri, jo vetëm tek një brez i tërë njerëzish që jetonin në të gjitha mjediset e shoqërisë komuniste, por edhe intelektualësh dhe administratorësh që nga kooperativa në industri, që nga fakultetet, ku kishte një brez të shkëlqyer në atë kohë, që nga ministria e jashtme dhe diplomatët, që kishin nisur të flisnin dhe të shtronin e të përcillnin idetë dhe nevojën për ndryshim. Në këtë kohë, Ramiz Alia kishte shanset që t'i merrte vendimet më parë se të tjerët. Nuk i mori. Nuk ishte strateg, por takticien, historia nuk e bëri dot as lider komunist, prandaj mbeti hezitant, i dyzuar dhe u shmangej vendimeve strategjike kur koha i shtroi ato si imperativa historike dhe kombëtare.Ishte i lirë Ramiz Alia në vendimet e veta? Ka një teori se ishte i kontrolluar nga e veja e Enver Hoxhës.Ai ishte mjeshtër i manipulimit të mendjeve. Bënte atë që vendoste të bënte. Askush nuk e kufizonte dot, as Nexhmie Hoxha nuk e kufizonte dot, sepse ka pasur më shumë kulturë dhe buonsens se Ramiz Alia apo anëtarët e tjerë të byrosë, si Lenka, Pali etj. Nexhmie Hoxha, pasi i vdiq i shoqi, sidomos me largimin nga data e vdekjes së të shoqit, me afrimin ndaj viteve 90, u zhvesh nga nostalgjia e humbjes së themeluesit të shtetit komunist dhe nisi të dëgjojë me vëmendje zëra të rinj të nevojës për ndryshim. Për shembull, kur unë dhashë intervistën në 2 gusht 1990 tek Zëri i Amerikës, të nesërmen, dokumenti i parë ku u pasqyrua intervista ishte Buletini rezervat i ATSH. Harilla Papajorgji, zv. drejtori i Nexhmijes, i shkon në zyrë asaj të nesërmen: Ja çka thënë ky revizionisti! Për çudi, Nexhmija përgjigjet: Ore, është larg koha kur burgosnim dhe largonim njerëz për krime verbale. Në fund te fundit, është nevoja për ndryshime dhe reforma dhe nëse ke ti ndonjë mendim tjetër, dil e thuaje ti aty, se pale ta hapin ata! Dhe me kaq u mbyll historia. Dua të përmend tani, atë që unë njoh si kulm të pavendosmërisë dhe të shanseve të humbura që lidhen me Ramiz Alinë dhe historinë e tranzicionit. Historia në fund të fundit është njerëzore, është kollaj të gjykosh sot. Por unë kam jetuar dhe punuar, shyqyr zotit pa vrarë njeri politikisht, në një regjim ku ishin të gjithë, të kufizuar, të dënuar për mbijetesë gjithashtu, dhe jam munduar e përpjekur të bëj maksimumin e mundshëm për vendin tim, në limitet e asaj çka ka sjellë jeta edhe fati. Mua më solli jeta, në periudhën e fundit të komunizmit, tek mundësia profesionale për të ofruar dhe marrë përsipër, duke kushtëzuar madje nevojën që kishte regjimi për fytyra të reja, me një mandat për reforma të ekonomisë së tregut. Në këtë proces, në fillim të vitit 1988, caktohem si pjesëtar i një grupi pune, drejtuar nga Abdyl Backa, sekretar për Ekonominë i Ramiz Alisë, për të pritur në Tiranë, drejtorin për Marrëdhëniet me Evropën, në Ministrinë e Ekonomisë te RFGJ. Në një javë pune, tek ish protokolli i tregtisë së Jashtme, ai na shpjegoi, mekanizmat, principet dhe programet e politikës së Bashkimit Evropian për vendet mesdhetare. Ishte një oportunitet që na ra qielli papritmas!A pati ndonjë ofertë nga Gjermania Perëndimore, në atë kohë për t'u bashkuar me BE-në, sidomos në rrafshin ekonomik?Unë isha i familjarizuar dhe  i njohur me problematikën që po përcillte drejtori gjerman. Ai krijoi afrimitet me mua se ja merrja fjalën nga goja kur shpjegonte. Më thotë veç, e shoh që nuk jeni të panjohur me këtë gjë dhe ju duhet të merrni një vendim politik. Unë për këtë kam ardhur, që ju të merrni një vendim politik, ta pranoni këtë gjë dhe ne t'ju mbështesim që të ecni më tutje. Pas tre muajsh, vjen ftesa që ne të vizitonim, Republikën Federale Gjermane. Meqë unë nuk kisha asnjë status zyrtar, nuk mund ta kryesoja unë atë delegacion dhe vendosën zv.kryetarin e Komisionit të Planit të Shtetit - Luan Shahollarin në krye. Ishte një udhëtim pune i jashtëzakonshëm dy javor, në pesë lande-shtete të RFGJ-së, nga Munihu në Hamburg, në takime me botën akademike, me drejtuesit e kompanive më të mëdha gjermane, dhe me zyrtarët e ekonomisë dhe ministrisë së jashtme. Mesazhi politik i Bonit zyrtar për Shqipërinë, që ne e përcollëm në zyrën e Ramiz Alisë me një raport prej 20 faqesh pasi u kthyem, ishte: Merrni një vendim politik për të vendosur marrëdhëniet me Brukselin, ne do t'ju marrim për dore dhe do t'ju tregojmë se në cilën zyrë duhet të trokisni, do t'ju presin mirë dhe do të keni akses në programet mesdhetare të Bashkimit Evropian, sepse Gjermania e vlerëson si prioritar, rolin dhe pozicionin e Shqipërisë në raport me Ballkanin dhe Evropën Lindore për hapjen e saj dhe BE-së me rajonin!Ia referuat Ramiz Alisë këtë?Raporti shkoi në duart e Ramiz Alisë, në fillim të marsit 1989 dhe në fund të dhjetorit, kur takova për herë të parë Ramiz Alinë, arrita ta pyes: çfarë bëtë me raportin që ju dorëzuam para gjashtë muajsh. Ai më tha, kaq i rëndësishëm ishte ai, se ma humbi Hekuran Isai nëpër sirtarë?! Mbaroi kjo histori me këtë mesazh fatzi! Kjo për mua e mbyll gjithë eksperimentin e dështuar të Ramiz Alisë. Do të kishim kapur trenin evropian para rënies së Murit të Berlinit dhe nuk do të kishim nevojë për çarjen e ambasadave, duke ndërtuar marrëdhënie me BE dhe Perëndimin para vendeve të tjera ish-komuniste!Zoti Nano, në 2 gusht 1990 ju dhatë një intervistë për Zërin e Amerikës, dhjetë ditë më pas në 12 gusht, në takimin me intelektualët ju nuk reaguat, si shpjegohet që nuk përsëritët tezat tuaja atje?Unë nga profesioni, jam kërkues, ekonomist dhe kërkuesi punon më mirë në kushte të ballafaqimit me informacionin, dokumentacionin dhe trurin e tij për të formuluar rekomandime me vlerë për publikun. Unë kam folur tek Zëri i Amerikës sapo isha kthyer nga plazhi, në piskun e vapës dhe kur bie telefoni në sallonin e shtëpisë sonë, unë isha vetëm me pantallona të shkurtra kur e kapa receptorin... Vjen një zë nga larg: Elez Biberaj jam, doja të flisja me Zotin Nano! Përshëndetje Elez, i them, Fatos Nano jam. Dhe ai stepet dhe më thotë: A jeni i gatshëm të jepni një intervistë për Zërin e Amerikës? Po, i thashë, pa problem, menjëherë! Ai u gjend në kushte befasie, nuk priste që unë të pranoja menjëherë, sa që më kërkoi ndjesë t'i jepja kohë që të shkonte në studio e të përgatiste regjistrimin. Kjo më dha kohë mua të lajmëroja prindërit që i kisha gjallë, që të merrnin nga një karrige e të uleshin aty si spektatorë dhe të dëgjonin çdo të ndodhte. Pas pesë minutash nis intervista, të cilës iu përgjigja me kurajën e profesionistit dhe të eksperiencës që më kish ofruar jeta ime, që edhe në atë kohë ishte ndërtuar me cikle 3-4 vjeçare: 4 vjet fakultet, 3 vjet në metalurgji, 3 vjet në institutin e studimeve marksiste-leniniste, 3 vjet në kooperativën e Priskës në një stazh partie, ekonomist sektori. Ndërsa, si Kryeministër, arrita të plotësoj një mandat 3-vjeçar vetëm në periudhën e fundit 2002-2005. Midis tyre kam dhe katër vjet në burg dhe më pas 4 vjet tërheqje. Pra ne VOA, me 2 gusht 1990, fola me eksperiencën e jetës, akademinë e burgut s'e kisha bërë ende. Fola hapur për nevojën e liberalizimit të ekonomisë, të jetës politike në dobi të pluralizmit edhe elektoral dhe të krijimit të një klime ku këto çështje duhet të debatoheshin në liri të shprehjes që të dilnin zgjidhjet e përshtatshme për vendin. Në studio isha unë me Elezin, pas meje dhe prindërve të mi ishte e panjohura, se si do të reagonte sistemi. Në takimin me intelektualët desha të nënvizoja se unë e kam pasur shumë të disiplinuar mosbërjen e protagonizmit pa shkak. I respektoja shumë intelektualët, veçanërisht ata që flisnin me profesionalizëm për çështje të fushës dhe nuk e quaja veten si të privilegjuar për të folur ndër të parët në atë takim.Intelektualët nuk janë përçarë mes tyre, ata ishin për ndryshim, se klima ishte e rëndë, nuk ka pasur ndarje..çuditërisht intelektualët i përçau pluralizmi. Në një kohë që duhet të ndodhte e kundërta. Pra ai solidaritet i intelektualëve përballë regjimit komunist, i paorganizuar dhe organik për jetën e tyre dhe të shoqërisë, u thye nga pluralizmi se hynë interesat e pushtetit që u lëshua nga Byroja Politike. Për shkak se u krijuan hapësirat e kandidimit nëpër parti, edhe në këtë rast mua më është dashur të vazhdoj të kultivoj tek vetja mungesën e aventurizmit për protagonizëm dhe qëndrova në të majtë. Pse, sepse unë kam qenë në mitingun e shpalljes së pluralizmit dhe themelimit të PD-së me studentët e mi. Se nuk mund të mos e jetoja këtë ngjarje unike në historinë e vendit me studentët e mi, kam qenë 15 vjet pedagog në 7 fakultete dhe nuk mund të braktisja këtë pjesë jetike të karakterit tim! Unë vendosa të qëndroj në të majtë, për të reformuar të majtën si domosdoshmëri e një balance pluraliste në shoqërinë demokratike evropiane ku po hynim, kur u ndodha përballë rendjes së të njomëve dhe të thatëve për djathtas, për tek PD. Deri anëtarë të Komitetit Qendror te PPSH shkuan djathtas dhe tek unë, si kërkues dhe studiues i lidhur me jetën dhe me njerëzit e thjeshtë, dominoi arsyetimi i ekuilibrit politik në demokraci, përballë tufës së minjve që po braktisnin anijen që e çuan vetë në mbytje. Kush ju propozoi për të qenë kryeministër i Shqipërisë në shkurt të vitin 1991, në vitet më të vështira të Shqipërisë?Natyrisht ma kërkoi Ramiz Alia, me një mandat si Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave dhe më pas si zëvendëskryeministër, kur u duk qartë se nuk funksiononte në qeverinë e Adil çarçanit, as një mandat i precizuar për reforma ekonomike. Në 25 shkurt unë mora qeverinë në kushte emergjence. Shumica e qeverisjeve të mia kanë qenë në kushte emergjence, edhe në '97, edhe në 14 shtator 1998. E vetmja periudhë kur unë munda të qeveris në mënyrë normale dhe në përputhje organike me mandatin e programit, ishte periudha 2002-2005.Zoti Nano kur morët propozimin për t'u bërë kryeministër, në një kohë që gjysmën e Shqipërisë e dominonin vullnetarët e Enver Hoxhës, një pjesë tjetër punëtorët dhe intelektualët e PD që shpërthyen në greva, a hezituat të bëheshit kryeministër?Ajo që njihet publikisht si hezitimi im ishte marrja e postit të kryetarit të Partisë Socialiste, jo të kryeministrit. Unë priresha për karrierë ekzekutive, pra administrative dhe jo politike. Unë hyra në qeveri me vullnetin e ekonomistit politik për reforma të ekonomisë së tregut. Meqenëse arrita ta krijoj këtë hapësirë qysh me mandatin e Sekretarit të Përgjithshëm të qeverisë, nuk mund mos e pranoja organikisht ardhjen në krye të qeverisë. Unë përfaqësova i pari Shqipërinë në Forumin Ekonomik Botëror të Davos-it në Zvicër më 1991. U nisa si Sekretar i Përgjithshëm nga Tirana dhe më priti sekretarja e Forumit Ekonomik, për të më dhënë lajmin: Mirë se erdhët zoti zëvendëskryeministër! Gjatë kohës që unë udhëtoja, kishte dalë dekreti dhe unë nuk e dija. Ishte një eksperiencë e jashtëzakonshme ky forum. Në këto kushte, nuk mund të mos e pranoja mandatin e kryeministrit për të vazhduar misionin e reformatorit.Kur ju e morët mandatin duke e lidhur me reformat ekonomike, mbi të gjitha në vend mbetej çështja e sigurisë. Ministri i Brendshëm në atë kohë u emërua Sekretari i Parë i Tepelenës, Gramoz Ruçi. Ju nuk e njihnit deri në atë kohë?Jam njohur me të rastësisht nga viti 1988, por nuk e njihja më parë. Unë jam nga fshatrat e Gjirokastrës me origjinë, por kam lerë e jam rritur në Tiranë, Gramozi ishte nga Tepelena. Njohja e parë me të ndodhi kur unë shkova me një grup pune që do të shihte gjendjen e tregut në Tepelenë, dhe ai ishte sekretar i propagandës. Ky labi Gramoz, që ka pasur tangërllëk që atëherë, nuk më priti dhe më nxori një instruktor. Unë i them do vijë ai të bëjë detyrën, apo të kthehem mbrapsht unë dhe ta gjejë belaja atë që nuk na priti. Më pas vjen ai dhe donte të na jepte drekën por unë s'e hëngra, për të larë këtë shpërfilljen labe të fillimit. Gramozi ishte më lart se mua në nomeklaturë. Unë isha në institut kur Gramozi erdhi në grupin e instruktorëve në Komitetin Qendror pranë Lenka çukos. Punonte dhe babai i Dritan Priftit, aty ku merrnin nga rrethet disa kuadro i mbanin nja një vit, i formonin dhe më pas i dërgonin për Sekretarë të Parë. A ishte përfaqësues i një rryme konservatore Gramozi në atë kohë apo jo?Ishte një produkt i brezit të mesëm të kuadrove të regjimit komunist. Natyrisht nuk ishte pjellë e nomenklaturës qendrore, por i nomenklaturës vendore. Gramozi fitoi pikë sepse drejtoi seancën e dënimit të përjashtimit të Byrosë Politike në kongresin e 10 të Partisë së Punës, sepse nuk doja ta drejtojë unë. Kodet se si duhet të sillej me njërin dhe me tjetrin ia pëshpëritja në vesh, në presidium. I thashë që kërkoi Ramizin, të flasë. Ai nuk e kishte kurajën të sfidonte hapur ish- udhëheqjen dhe ja bën me shenjë e më pas më thotë mua, se nuk do të flasë. Ramizi nuk foli në këtë seancë, për të përdorur alibinë e fundit: shikoni me kë kam punuar. Dua të them se Gramozi fitoi pikët e një njeriu luajal që përjashtoi Byronë pas pilafit dhe që e ruajti Ramizin.Pse ju refuzuat që të bëheshit Sekretar i Parë dhe kryetar i Partisë Socialiste më pas?Ramizi la vendin bosh dhe nuk la asnjë gjë mbrapa. Gërmadha do shembej, dhe nuk do të doja të isha drejtues i një shtëpie të prishur. Unë kisha idetë e mia dhe kisha rrethin dhe brezin tim që punonin për të siguruar një koncept tjetër për majtën në kuadër të shpalljes së pluralizmit, për krijimin e një të majtë të re socialiste. Ajo që dominonte tek unë, pavarësisht nga kjo koshiencë politike e brezit, ishte elementi profesional. Unë isha i arsyetuar që mund t'i kontribuoja reformimit të shoqërisë së tranzicionit me ekspertizë dhe reforma sa më pak të dhimbshme dhe profesionale. Kjo më afronte më shumë me administratën se sa me partinë. Unë me të ndjerin Gramoz Pashkon, kombinohesha shumë mirë sepse ai njihte doktrinat dhe botën më shumë se sa unë dhe unë njihja jetën dhe ekonominë shqiptare. Arritëm ta përfaqësojmë Shqipërinë në mënyrë dinjitoze në Konferencen e parë Ekonomike Rajonale, në Athinë më 1989. Unë dhe Gramozi rrezikuam shumë, se flisnim hapur, edhe me të huajt, në kafenetë e Hotel Dajtit, ku përpunoheshin opinione, në prani të sigurimit dhe pinjollëve të nomenklaturës. Unë isha i prirur që, në kundërshtim me afinitetin profesional dhe social, apo të gjeneratës që kisha me Pashkon, të qëndroja në të majtë, kur Gramozi iku shumë kollaj djathtas bashkë me të tjerët dhe me shumë dinjitet gjithashtu shkroi programin e PD-së, sepse isha i bindur që intelektualët e pakët që kishin arritur të krijonin një alternativë arsyetimi të paktën ndaj regjimit komunist para dhjetorit 1990, duhet të ruanin edhe balancën politike në kushtet e pluralizmit. Mbi këtë bazë refuzova ftesën e Ramizit për të drejtuar partinë. Ka qenë një ftesë mes jush të dy, apo dikush tjetër jua ka thënë?Ka qenë kryesisht një bisedë midis nesh. Dhe kur është një bisedë mes kryeministrit dhe presidentit të kohës, është e tepërt të dëgjosh kush paska ndërhyrë tjetër. Unë e refuzova. Largimi im nga qeveria në 4 qershor 1991, ishte dështim i së majtës së vjetër dhe jo i imi. E majta e re nxori një kryeministër kaq shumë konkurrues si Nanua, por mandati im ishte i parakohshëm dhe duhej të ndërpritej. Në agimin e ditës që kam dhënë dorëheqjen pas disa muajsh punë në kushte të pamundura, pa gjumë dhe pa buxhet, në orën 4 të mëngjesit i këshillova të shkojnë në shtëpi një turmë të rinjsh "vullnetarë të Enverit" që më kërkonin armë tek parlamenti dhe, pasdite arrita të dal i çliruar në plazhin e Durrësit për të pirë një kafe në tarracën e turizmit të vjetër, te "Adriatiku". Kamerieri sjell një dopio uiski për mua dhe Leontjev çuçin që ishte me mua, nga një tavolinë tjetër. Ishte Fiqiri Xibri, pjesë e grevës së urisë së minatorëve në Memaliaj, që rrëzoi qeverinë time. Ai kishte dalë nga greva e urisë siç dola unë nga ngujimi i qeverisë. I them çne? Vijnë më përqafojnë dhe më thonë, shef, vetëm personale mos e merr, ashtu e donte puna politike. Ai kishte marrë detyrën që të rrëzonte qeverinë. Sa mirë do të ishte që me këtë frymë bashkëjetese t'i kishim bërë të gjitha reformat e mëdha që na shkatërruan shumë gjëra. Pra unë nuk pranova drejtimin e partisë së re, sepse doja të vazhdoja të kontribuoja profesionalisht në administrimin e tranzicionit. Nuk më ka thyer askush nga politika në këtë qëndrim, aq më pak Xhelil Gjoni!Ja propozuan dikujt tjetër përpara jush?Po, Maqo Lakrorit, pastaj u futëm në një zhvillim të panjohurash. Maqo Lakrori sikur në fillim e pranoi, më pas pyeti të ndjerin, të atin e vet dhe refuzoi. Nuk e di pse. Ishim në një terren të panjohurish, partia nuk dinte kujt do t'i ngelte. është fryt i papërgjegjshmërisë dhe i reformave të munguara të asaj klase politike.Dhe si qëlloi që ju ngeli ju?Në Kongresin e 10 te Partisë zgjedhjet dhe propozimet për kryetar do të bëheshin pasdite. Në momentin që dola nga shtëpia pas drekës, më përcjell nëna në korridor me lot në sy dhe më thotë : "Bir, në duart e kujt do të na lesh?". Ajo ka qenë partizane, ish mësuese dhe vetëm ajo më theu. Unë me lotët e nënës mora vendimin. Mora vendimin që kishte koshiencën e sakrificës përfshirë dhe burgun brenda. U ndava nga lotët e nënës dhe iu dorëzova koshiencës dhe inkoshiencës se ekslamacioneve të sallës, që thërriste  "Fatos Nano! Fatos Nano!" Seanca u ndërpre për të formuluar propozimet. Në këtë ndërprerje mua më rrethuan shumë përfaqësues të delegatëve në rrethe. Ramizi nuk afrohej. Unë, tashmë me vendim të marrë, u përpoqa të ruaj racionalitetin e arsyetimit dhe të vë kusht se me kë do të punoja.Me kë biseduat?Nuk mbaj mend kush ka qenë rrotull, por ishin pak nga ata që ishin të përfshirë në listën e kandidatëve për forumet drejtuese. Unë thashë se pranoj që të jem kryetar me kushtin që nënkryetarë të jenë Servet Pëllumbi, Spiro(Dede) dhe Ismail (Lleshi). Nuk u kontestua.Pati një bisedë me Ramizin kokë më kokë në këtë moment?Jo në këtë moment nuk kishte as vend as kohë. Ramizi u çlirua nga ankthi i vakumit që kish krijuar vetë dhe papritur po mbushej. është e vërtetë që Spiro Koleka dhe Rita Marko u shprehën në Kongres: Ku po na lë ne Ramizi?Ndoshta, por unë s'kam qenë prezent. Ishte një konfuzion i plotë. Ndërsa biseda midis kryeministrit Nano dhe presidentit Alia janë bërë shumë. është e vërtetë që Ramiz Alia  kërkoi të bëhej anëtar i PS-së, pasi iku si president?Po dhe ma kërkoi mua. Më tha: Po për mua ke ruajtur ndonjë teserë rezervë? I thashë: Do na lësh të punojmë tani? Ai kërkoi të jetë pjesë e PS-së, pasi dha dorëheqjen si president me pak shantazh në një bisedë të drejt për drejt me mua, në vilën e presidentit. Më kërkoi që të mbaj qëndrim nëse duhet të jepte dorëheqjen ose jo. Në prill të vitit 1992.A ju kërkoi garanci për veten Ramiz Alia?Natyrisht ai garancinë nuk mund ta kërkonte nga opozita, do ta kërkonte nga qeveria. I ka pasur dyert të mbyllura nga qeveria, me presidentin e ri gjithashtu. Marrëdhëniet e Berishës me Alinë kanë qenë të vështira, mos them të pamundura. Por grupi i bllokmenëve që u dënuan në kongresin e 10-të, çfarë reagimi patën ndaj transformimit të partisë së punës?Unë mora vendim si Kryeministër për t'i nxjerrë nga blloku. Ikën me bisht ndër shalë në shtëpi të tjera me përjashtim të Spiro Kolekës dhe ndonjë tjetri. E kini parasysh Spirua, ndërtuesi i të gjitha "kutive" 50 m2 të strehimit në komunizëm, që kishte një vilë super të bollshme, me thënë të drejtën nuk e di se kush e ka sot. Më shkruan një letër, fletore aritmetike me katrore, 16 faqe me shkrim dore, ku më thoshte se jo vetëm se nuk duhet të dilte, por kishte nevojë për strehim suplementar se ishte bërë gjysh dhe po i rriteshin fëmijët e fëmijëve. Si përfundim, në bashkëpunim me gardën e shtetit, me hir e me pahir, u shoqëruan në apartamentet e reja normale, ku u futën edhe familje të persekutuara në të njëjtën kohë. Një nga kuriozitetet në këtë histori është se shkresën e firmosur në vendimin e qeverisë nga unë, ma kthejnë me shënimin e Pali Miskës, ku thoshte se nuk lëviz nga shtëpia edhe sikur topat të bien. Vetëm topa s'kishte Pali, se duhen topa për të përballuar topa.Zoti Nano, jemi sërish te ky moment, si arritët ju si kryetar i PS-së, që nuk arritët që të kishit një marrëveshje, nuk pati një bisedë kokë më kokë midis jush dhe Ramiz Alisë për tranzicionin. Si arritët ta bënit tranzicionin e Partisë së Punës në Parti Socialiste. Aq më tepër sikurse thatë, nuk pranuat që Ramiz Alia të ishte anëtar i Partisë Socialiste dhe byroistët e famshëm, ajo kastë që kishte drejtuar për pothuajse 40 vjet u larguan, ju ishit madje agresiv me ta...Atëherë, më është dashur të përballem me sfida të paqena si zbrazja e bllokut, apo gërdufja për topa njerëzve pa topa dhe për shembull, mora pjesë në disa plenume të fundit të ish-Komitetit Qendror të ish-Partisë së Punës, në procesin e tranzicionit drejt Kongresit të 10-të, ku krijuam Partinë Socialiste. Një nga të spikaturit dhe në vëmendjen e historisë politike të 20 viteve të fundit, gjithashtu është ai i 20-shkurtit, kur u rrëzua busti i Enver Hoxhës, shtatorja, në të cilin siç ka edhe shumë dëshmi të tjera, unë do të them atë pjesë timen. Unë isha ulur pranë Haxhi Lleshit, isha kandidat i plenumit prej disa javësh, si zëvendëskryeministër i projektuar për Qeverinë dhe pasi u anonçua lajmi në një fletushkë që i erdhi Ramiz Alisë, që u rrëzua edhe busti, që shumë e interpretojnë si një strategji në mes të pamundësisë për të reaguar. Domethënë, mbajti plenumin të mbledhur që lajmin e pashmangshëm të rrëzimit të shtatores ta sillnin aty. Në të vetmin mjedis politik që po ai drejtonte, asnjë tjetër, këtu filluan reagimet e para, përgjithësisht atmosfera ishte që pritej të ndodhte. Ata që janë  quajtur si korifenj të ish-byrosë politike dhe kjo shprehet më në fund se Partia Komuniste është në përqindje nën zero, të papërfillshme elektorale edhe sot kësaj dite. Tani, me gjithë respektin, poeti Hysni Milloshi nuk mund të mbledhë asnjë komunist, ky është avantazh për pluralizmin shqiptar. Në vend të tyre, çuditërisht, reaguan në mënyrë tragjikomike disa nga ata që nuk deshën të dilnin nga blloku. Më kujtohet Spiro Koleka, në moshën e tij të thyer edhe në atë kohë, nuk e di a është gjallë, por ka jetuar gjatë, ngrihet edhe thotë me zërin dhe dridhjet e një plaku të moçëm, papritmas: Të luftojmë deri në pikën e fundit të gjakut. Dhe unë i bie me bërryl Haxhiut, që të paktën kishte një karakter burrnor, jo vetëm nga historia e luftës, por edhe si President, apo si kryetar i Presidiumit i Kuvendit Popullor për mjaft kohë, nuk ishte ndonjë figurë lepitke. I them, xhaxhi Haxhi, ky me mua e ka, pres që të luftoj unë, i thashë. E mo trim i xha Jahos, mos i merr seriozisht, më thotë Haxhiu. Domethënë, më falni, po ta shikoje Kolekën, me siguri nuk kontrollonte pikat në pantallona dhe kërkonte që të luftonte deri në pikat e fundit të gjakut, nuk e di, të sigurimit, të ushtrisë apo të rinisë. Ose në sallën e Kuvendit të parë Pluralist, të 1991, kur Partia e Punës fitoi 2/3 e vendeve. Unë sërish, për koincidencë, isha ulur në bankën e parë të rreshtit qendror, pranë Haxhi Lleshit sërish.Ju ishit i vetmi deputet që fitoi në Tiranë, ku u këput edhe Presidenti i vendit ose sekretari i parë...Tani, kopshtet nuk përtërihen pa krasitje, pluralizmi gjithashtu. Në një moment ku shumica e deputetëve të maxhorancës së madhe, të ish-Partisë së Punës, të pa mësuar me debatin pluralist dhe sulmet e opozitës që ishin shumë të forta dhe më efektprurëse se sa dimensioni prej 1/3 e tyre në sallën e Kuvendit, prej 250 deputetësh. Mbizotëronte heshtja, po fliste dikush nga korifenjtë e themeluesve të Partisë Demokratike, jo Sali Berisha, por Ruli, Zogaj dhe dikush tjetër ose Pashko, ose Ceka. Prapa nesh rrinte Flamur çani, deputeti i Gjirokastër, ish-kryetar i komitetit ekzekutiv, një trup i bëshëm, në ato banka të ngushta, të cekëta, tani vonë janë zëvendësuar, që nuk lejonin të shtrinin këmbët, e shprehu sikletin në të cilin ndodheshin përfaqësuesit e Partisë Punës përballë opozitës së re, në atë sallë që ata e quanin të patjetërsueshme, duke zgjatur këmbët dhe duke i rënë kompensatës së tavolinës. Në heshtje, kumbimi i saj ishte si një shpërthim dhe Haxhi Lleshi që ishte pranë meje, reagoi me dorën nën pistoletë... Ishte me pistoletë me vete?Hynin deputetët me pistoleta në sallat e atëhershme edhe në Kuvendin e pas 1992-it madje, derisa u vendosën rregullat moderne, krahas teknikës moderne. Për çudi ka hyrë edhe Pjetër Arbnori, kryetari i Kuvendit të parë pluralist me pistoletë.Me pistoletë edhe Pjetër Arbnori?Diku e mbante, jo në brez si Haxhiu, por ishte rregull i trashëguar, ende në fuqi. I them Haxhiut, qetësohu se është Flamuri prapa, nuk është ndonjë atentat kundër pushtetit. Qeshi... ...Në lidership, por në bazë u krijua një parti e re, apo ishte një vijim i Partisë së Punës? Ky është një proces që është i kotë të hymë në detaje, u bë siç mund të bëhej, domethënë si u bë, ju po më thoni se çfarë u bë me komitetin e vjetër të Partisë së Punës. Komitetet e vjetra të Partisë së Punës, edhe nga pikëpamja materiale si godina, u bënë streha të partive të reja që u formuan në pluralizëm... Kështu që, edhe programi, pavarësisht se nuk kishte asgjë të bënte me ndonjë jo thjesht reminishencë, por më parë programet u kopjuan jo vetëm nga ne, por edhe nga PD. Në partitë e majta i gjeje referenca e teorisë marksiste, siç i patëm ne nga programet italiane, greke apo edhe suedeze të kohës, të majtës së demokracisë. Madje edhe sot në Harvard nuk mund të marrësh diplomën pa studiuar një pjesë të doktrinave të një pjesë të kapitalit. është një tjetër arsyetim, arsyetim shkencor dhe jo ideologjik. Programet ishin pa asnjë lidhje me programet e Partisë së Punës, siç ishte Kushtetuta apo dispozitat transitore të Kushtetutës pa asnjë lidhje me Kushtetutën e 1976. Natyrisht që kishte një mungesë thelbësore njohurish, programesh, apo doktrinash të Shqipërisë në demokraci. Natyrisht një pjesë dërrmuese e tyre u zëvendësuan me asistencën e huaj. Natyrisht PD ishte mençurisht e prirur për të qenë agresive në marrjen e pushtetit se kishte të sigurt se granti i plotësimit të programeve dhe formulave qeverisëse do të vinin nga Evropa dhe Amerika, siç edhe ndodhi, nga institucione ndërkombëtare. Shpesh kam arsyetuar sidomos me dhe pas takimit të famshëm të Triestes, përse nuk arriti Berisha asnjëherë të dëgjonte zërin e arsyes së tij, apo të rrethit të tij shoqëror, që nuk shquhet për ndonjë aventurizëm, për të paktën sa e di unë. Apo të ne interlekutorëve politikë dhe intelektual të skenës së parë pluraliste në Shqipëri pas partisë së komunizmit për më pak agresivitet, edhe për më shumë racionalitet në administrimin e tranzicionit. Pikërisht ishte ngutja për të kapur pushtetin dhe pra formulat e gatshme të qeverive perëndimore, të cilat po të kishin më shumë qetësi dhe një mjedis për arsyetim midis partnerëve politik dhe profesionist, pavarësisht se çfarë rreshtimi i përket, do të ishin bërë shumë më efikase në kushtet tona, nuk u kontestua pa arsye efekti tepër negativ i teorisë së çekut të bardhë, të Pashkos.vijon nesër