“Reformat janë të jashtëzakonshme dhe në drejtimin e duhur. Qasja juaj politike dhe ekonomike është bashkëkohore dhe e ka shndërruar Shqipërinë një vend atraktiv në botë”



Kryeministri Berisha mori pjesë, sot paradite, në Konferencën e dytë sektoriale Shqiptaro – Gjermane, “Perspektivat e tregut në Shqipëri; Energjetika – Mjedisi – Ndërtimi”. Të ftuar në këtë konferencë ishin z. Hartmut Schauerte, Sekretar Shteti pranë Ministrisë Federale të Ekonomisë dhe Teknologjisë të Gjermanisë, Ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë, z. Bernd Borchardt, përfaqësues të Dhomave të Tregtisë së të dy vendeve, sipërmarrës të mëdhenj vendas e të huaj.

Z. Hartmut Schauerte, Sekretar shteti pranë Ministrisë Federale të Ekonomisë dhe Teknologjisë të Gjermanisë, vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve, duke theksuar se Gjermania e ka mbështetur afrimin e Shqipërisë drejt standardeve europiane, në hapjen e dyerve drejt Europës. “Procesi i Asociimi-Stabilizimit të Shqipërisë me Bashkimin Europian dhe marrja e ftesës për anëtarësim në NATO janë një dëshmi shumë e mirë dhe kjo nuk është thjesht e thënë, por tashmë është e realizuar”, u shpreh ai.

Z. Schauerte vlerësoi se reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare “janë të jashtëzakonshme dhe në drejtimin e duhur”. “Qasja juaj politike, pa diskutim, është bashkëkohore, moderne dhe efikase, në çdo formë dhe e ka shndërruar Shqipërinë një vend atraktiv në botë”, vijoi Z. Hartmut Schauerte. Ai inkurajoi investitorët gjermanë që të vijnë dhe të investojnë në Shqipëri, duke theksuar se “një vend i vogël si Shqipëria mund të ofrojë mundësi më të mira”.

Sekretari i Shtetit pranë Ministrisë Federale të Ekonomisë dhe Teknologjisë të Gjermanisë, u shpreh se dy vendet tona duhet të bashkëpunojnë më tej, duke pasur besim tek njëri –tjetri. “Ky është një vend ideal për njerëz të cilëve Gjermania u duket shumë e madhe ose shumë e vogël dhe për njerëz të cilët kërkojnë tregje të reja dhe potenciale të reja. Pra, e theksoj, ia vlen të hedhim sytë nga Shqipëria. I uroj vendit tuaj një zhvillim të mirë dhe Ju, një qeverisje të mirë dhe të gjatë”, përfundoi ai.

Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen për mbështetjen e gjithanshme të Gjermanisë në çdo sektor të zhvillimit dhe për vendosjen e Shqipërisë në vendin e parë, për sa i përket ndihmës ekonomike për frymë.

Kryeministri u ndal në një sërë nismash të ndërmarra nga qeveria në këto tri vjet, për krijimin e një klime pozitive për investimet e huaja, si lehtësimi i barrës fiskale, ndjekja e politikave të taksave të ulëta, “One stop shop” për regjistrimin e biznesit, prokurimet on – line, taksa on – line, krijimi i një legjislacioni lehtësues për investitorët, reduktimi i lejeve dhe licencave, etj. “Ju siguroj se kemi punuar dhe po punojmë shumë në çdo element të klimës së biznesit, për ta bërë Shqipërinë një nga vendet më tërheqëse në botë për investimet e huaja.

Për të gjitha këto reforma, theksoi Kryeministri, Shqipëria u vlerësua nga raporti “Të bësh biznes” vendi i dytë në botë për reformat e ndërmarra në klimën e biznesit, për vitin që kaloi.

Më tej, Kryeministri theksoi se, krahas gjithë potencialeve të mëdha natyrore dhe suksesit të reformave, pasuria më e madhe e Shqipërisë janë vet shqiptarët, “njerëz të cilët kanë një shpirt solid në iniciativën e lirë, njerëz që punojnë shumë, që sakrifikojnë, që kanë një ambicie të madhe për të mësuar dhe për të ndryshuar jetën e tyre”.

Duke u ndalur në përpjekjet e mëdha të qeverisë për forcimin e sistemit arsimor në vend, Kryeministri u shpreh se “tre vjet më parë, Shqipëria ishte në fundin e renditjes botërore, për sa i përket përdoruesve të internetit, por, me programet ambicioze të qeverisë, vitin e kaluar kemi pasur rritjen më të lartë në Europë dhe këtë vit do të jemi gjithashtu vendi më i lartë në Europë. Ne po ecim me shpejtësi drejt moshës dixhitale, në mënyrë që t’u ofrojmë shqiptarëve shërbimet më të mira, t’i aftësojmë ata në këto kushte”.

Gjithashtu, Kryeministri nënvizoi se një faktor i rëndësishëm në thithjen e investimeve të huaja është edhe ndryshimi total i infrastrukturës së vendit. “Infrastruktura e vendit po ndryshon kudo dhe janë mijëra kilometra rrugë në ndërtim e sipër, ujësjellës, kanalizime, etj” tha Kryeministri Berisha. .

Duke siguruar edhe njëherë vëmendjen e plotë të qeverisë në lehtësimin e punës dhe krijimin e një klime mbështetëse për çdo investitor, Kryeministri Berisha u shpreh se krahas gjithë faktorëve realë të përmendur, çdo sipërmarrës ka dhe një faktor shtesë për të ardhur në Shqipëri, “një mik të vërtetë, të vendosur për të kontribuar në suksesin e tyre dhe ky mik është qeveria shqiptare”.



Fjala e plotë e Kryeministrit Berisha

Kryeministri Berisha: \"Së pari, dëshiroj t’ju falënderoj me përzemërsi për organizimin e kësaj konference jashtëzakonisht të rëndësishme për vendin tim. Unë sapo jam kthyer nga një vizitë në Republikën Federale Gjermane, ku pata nderin dhe privilegjin të pritem në takim nga Kancelaria Merkel, Ministri i Jashtëm gjerman Steinmeier, Setretari i Shtetit Schauerte, në një vizitë të shkëlqyer. Në takimin dhe konferencën për shtyp që pata me Kancelaren Merkel, ajo i vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve tona si të shkëlqyera, sikundër ajo theksoi se Gjermania e ka ndihmuar Shqipërinë dhe do ta ndihmojë edhe më shumë.





Unë shfrytëzoj rastin t’i shpreh edhe njëherë mirënjohjen më të thellë qeverisë gjermane, Kancelares Merkel, taksapaguesve gjerman, të cilët, gjatë këtyre 20 viteve kanë vendosur Shqipërinë dhe shqiptarët në vendin e parë, për sa i përket ndihmës ekonomike për frymë. Ata kanë akorduar gjatë këtyre viteve mbi 800 milionë euro, në dhjetëra e qindra projekte që mbulojnë të gjitha fushat dhe të gjitha hapësirat e vendit tim. Në mënyrë të veçantë, kanë ndihmuar në fushat që janë të lidhura ngushtë me nevojat jetike të qytetarëve, si furnizimi me ujë, me energji elektrike, kanalizimet, por pa shmangur dhe fusha të tjera si, arsimi, mbrojtja, shëndetësia, mjedisi. Nuk ka ndonjë fushë që ndihma gjermane të mos jetë konkretizuar me projekte të shkëlqyera.



Gjatë këtyre tre viteve, së bashku me ambasadorin gjerman, ne kemi inauguruar një seri projektesh që kanë ndryshuar thelbësisht jetën e qytetarëve dhe komuniteteve dhe distrikteve ku ato janë zhvilluar. 3-4 ditë më parë, ne inauguruam sistemin e kanalizimeve në Liqenin e Ohrit. Ata që e njohin liqenin, bukurinë mahnitëse të tij, e kuptojnë se sa rëndësi të jashtëzakonshme kishte ky projekt për mbrojtjen e Liqenit, për jetën e atyre qytetarëve. Projekte të tilla me impakt të madh, po zhvillohen në të gjithë vendin. Një impakt jashtëzakonisht të madh do të ketë linja energjetike Tiranë- Podgoricë, linja Tiranë – Prishtinë. Këto linja i japin mundësinë, jo vetëm Shqipërisë, të furnizohet shumë më mirë me energji elektrike, por janë një kontribut thelbësor në tregun energjetik ballkanik, në liberalizimin real dhe të vërtetë të këtij tregu, i cili ka shtrëngim të madh, për shkak të mungesës së linjave të interkonjeksionit.



Të gjitha këto projekte janë të një rëndësie të dorës së parë, për ta bërë Shqipërinë më të përshtatshme, më tërheqëse, për investitorët vendas dhe të huaj.



Tre vjet më parë, qeveria ime përcaktoi një objektiv madhor; Shqipëria vendi më tërheqës për investimet e huaja. Ne e shpallëm këtë objektiv në një kohë kur vendi ishte më pak tërheqës së çdo vend tjetër për investimet. Kemi punuar me seriozitetin më të madh. Kemi vendosur rendin dhe qetësinë në vend. Sot, treguesit e kriminalitetit në Shqipëri janë qartësisht më të ulët se mesatarja e këtyre treguesve në vendet e Bashkimit Europian.



Këtë vit vendi pati mbi 2 milionë turistë, kundrejt vetëm 300 mijë turistëve që pati në vitin 2004, ndërkohë që sezoni turistik kaloi në një siguri të plotë.



Për të realizuar objektivin, ne ndërmorëm reforma të thella, së pari, për të lehtësuar barrën burokratike të biznesit. Këto reforma kanë dhënë rezultate. Në vlerësimin e Bankës Botërore, në raportin “Të bësh biznes”, Shqipëria u vlerësua vendi i dytë në botë për reformat e ndërmarra në klimën e biznesit, për vitin që kaloi. Kështu, në procedurat e regjistrimit të biznesit, ne kemi lënë pas 167 vende të botës. Tashmë biznesi mund të regjistrohet brenda gjysmë ore, nga 42 ditë kohë që duheshin më parë dhe mund të regjistrohet me koston 1 euro, nga mbi 3-4 mijë euro që ishte kostoja më parë.



Shqipëria është një vend i sigurt për investimet e huaja, për sa i përket legjislacionit dhe masave që ka marrë. Në këtë kontekst, ne lamë pas 164 vende të botës.



Shqipëria ka një nivel kreditimi të admirueshëm për ekonominë dhe lehtësi për marrjen e kredive. Në këtë kontekst, ne lëmë pas 169 vende të botës.



Këto që ne kemi arritur përbëjnë thjesht një platformë për të realizuar ambiciet tona shumë më të mëdha. Unë ju siguroj se kemi punuar dhe po punojmë shumë në çdo element të klimës së biznesit, për ta bërë Shqipërinë një nga vendet më tërheqëse në botë për investimet e huaja.



Gjatë verës që kaloi, ne kemi hequr 2/3 e lejeve dhe licencave dhe i kemi shndërruar ato vetdeklarime. Ato që mbeten, do t’i grupojmë në ‘One stop shop” për lejet dhe licencat, duke vendosur afatet më optimale për t’iu përgjigjur kërkesave tuaja. “Heshtja është miratim” do të jetë parimi që do t’i japë frenim burokracive, duke mos zgjatur dhe munduar bizneset.



Qeveria ime ka bërë dhe po bën përpjekje të mëdha për të lehtësuar barrën fiskale. Unë besoj në politikën e taksave të ulëta. Kjo ndodh, jo sepse qeverisë shqiptare nuk i duhen të ardhurat nga taksat, por sepse unë kam bindjen se, për shoqërinë shqiptare paratë, kontot dhe projektet tuaja, janë më të dobishme. Ndaj, ne kemi ndërmarrë një reformë të thellë fiskale, kemi ulur me 50 për qind taksën e biznesit të vogël, kemi ulur nga 23 për qind në 10 për qind taksën e të ardhurave personale, kemi ulur nga 25 për qind në 10 për qind tatim –fitimin, kemi ulur nga 30 në 20 për qind taksën e sigurimeve shoqërore për sipërmarrësit dhe, në 1 janar, kjo taksë do të zbresë në 15 për qind.



Me shumë të drejtë, ju mund të pyesni; cilat janë rezultatet e këtyre nismave?



Kam kënaqësinë t’ju informoj se rezultatet janë unike në Europë. Si në asnjë vend tjetër, Shqipëria ka rritur të ardhurat çdo vit, këtë vit janë rritur me 22 për qind, krahasuar me një vit më parë. Çdo vit kemi dërguar në parlament një buxhet suplementar në muajin qershor.



Në tre vjet, duke luftuar evazionin, informalitetin, kontrabandën dhe duke ndjekur politikën e uljes së taksave, ne kemi pasur të ardhura 3.2 miliardë dollarë më shumë se në tre vite me taksa të larta.



Kemi vendosur taksën on – line. Gjatë këtij viti dhe 2-3 muajt e parë të vitit që vjen, kjo taksë do të shtrihet në të katër anët e vendit. Kemi thjeshtuar sistemin e taksave, nga 23 në 6 taksa kombëtare. Do të vendosen edhe procedura të tjera që t’i lehtësojnë punën çdo biznesmeni në pagesën e tij.



Shqipëria ka ndërmarrë një reformë të thellë në luftën kundër korrupsionit. Në vitin 2005, sipas raportit të Transparency International, vendi im renditej në 24 vendet më të korruptuara të botës, duke u renditur në vendin e 127. Sot, ne kemi lënë pas 95 vende të botës dhe këtë vit jemi grupuar në 10 vendet me luftën më të suksesshme kundër korrupsionit, për vitin 2008. Korrupsioni është një kancer që duhet luftuar çdo minutë, çdo orë, çdo ditë. Ambicia ime është; Shqipëria në grupin e 20 vendeve të para të Europës, të pastra, pa korrupsion. Ky është një objektiv shumë i vështirë dhe që nuk mund të realizohet në 2 apo 3 vite, por objektiv që mund të realizohet plotësisht. Reformat janë rruga më e sigurt e luftës dhe parandalimit të këtij fenomeni.



Në rast se deri dje, korporatat tona publike ishin të korruptuara, ne i privatizuam me sukses të plotë të gjitha ato, sistemin e rafinerive, telekomunikacionin, sistemin e shpërndarjes së energjisë, ndërkohë, do të privatizojmë sistemin e kontrollit të automjeteve dhe do të shkojmë drejt dhënies me konçension të të gjitha shërbimeve. Kjo është një mënyrë shumë efikase për të luftuar korrupsionin. Korrupsioni ka edhe kapitullin tjetër, atë të ndëshkimit të çdo akti të tillë. Me dhjetëra e dhjetëra zyrtarë janë ndëshkuar për veprën e korrupsionit. Qeveria qëndron në një luftë të vendosur kundër këtij fenomeni.



Shqipëria është një vend i vogël dhe në hartë nuk të ngacmon aq shumë, për sa u përket përmasave të saj. Por, në rast se ndaleni në brendësi të këtij vendi, do të konstatoni se ai është një vend me potenciale të jashtëzakonshme, i përshtatshëm për veprimtari dhe fitim për të gjitha kompanitë e mëdha të botës. Vendi ka një potencial të pakrahasueshëm turistike, brigjet më të bukura, malet më të virgjëra, një vend me potencial turistik për të gjitha sezonet. Shqipëria është një lloj “Zvicre” me det, për sa i përket natyrës. Malet e saj janë intakte dhe presin investime për t’u bërë nga malet më tërheqëse për turizmin malor.



Shqipëria është një vend plot me ujëra dhe janë rreth 400 hidrocentrale të përmasave të ndryshme, që do të ndërtohen. Njëri prej tyre po ndërtohet nga një konsorcium, ku merr pjesë dhe Deutsch Bank, në zonën jugore të vendit. Kompani të tjera të mëdha, gjithashtu po tregojnë interes të madh në këtë drejtim. Ambicia e madhe e qeverisë që unë kryesor është ta shndërrojmë Shqipërinë në një superfuqi të vogël energjetike. Janë mbi 20 bilionë kilovatorë ujëra për t’u shfrytëzuar. Vendi ka lartësinë mesatare më të madhe në Europë mbi nivelin e detit dhe gjithashtu, ka një platformë ere mahnitëse. Ndaj, ne mbetemi të hapur për prodhimin e energjisë nukleare, si dhe për të gjitha format e tjera të energjisë. Shqipëria është një vend me male që mbajnë në gjirin e tyre depozita, nga më të mëdhatë, të kromit, nikelit, bakrit, hekurit.



Por, pasuria më e madhe e Shqipërisë janë vet shqiptarët, njerëz të cilët kanë një shpirt solid në iniciativën e lirë, njerëz që punojnë shumë, që sakrifikojnë, që kanë një ambicie të madhe për të mësuar dhe për të ndryshuar jetën e tyre. Në këtë kontekst, qeveria po bën përpjekje të mëdha. Kemi dyfishuar investimet për arsimin dhe buxhetin për të. Tre vjet më parë ne ishim në fundin e renditjes botërore, për sa i përket përdoruesve të internetit, por, me programet ambicioze të qeverisë, vitin e kaluar kemi pasur rritjen më të lartë në Europë dhe këtë vit do të jemi gjithashtu vendi më i lartë në Europë. Ne po ecim me shpejtësi drejt moshës dixhitale, në mënyrë që t’u ofrojmë shqiptarëve shërbimet më të mira, t’i aftësojmë ata në këto kushte.



Ekonomia shqiptare është e re, dinamike. Eksportet “Made in Albania” këtë vit, janë rritur me 42 për qind. Inflacioni vjetor është 2.7 për qind. Rritja ekonomike e gjashtëmujorit është 11 për qind.



Ne nuk jemi të shkëputur nga universi, por sistemi bankar i vendit është i stabilizuar.



Infrastruktura e vendit po ndryshon kudo. Janë mijëra kilometra rrugë në ndërtim e sipër, ujësjellës, kanalizime.



Qeveria është angazhuar për ndërtimin e 6 parqeve industriale në vend, në të cilat ju siguroj se do të gjeni kushtet më optimale për investimet tuaja.



Edhe njëherë, ju falënderoj shumë për këtë pjesëmarrje dhe ju rikujtoj se të gjithë faktorët që unë përmenda më sipër janë realë, por keni edhe një faktor shtesë, një mik të vërtetë, të vendosur për të kontribuar në suksesin tuaj dhe ky mik është qeveria shqiptare.



Faleminderit!”



...