Ulja e rrezikut për t‘u prekur nga sëmundjet ngjitëse gjatë jetës bëhet nëpërmjet vaksinave, ose siç quhet ndryshe programit imunitar. Secili shtet ka në kalendarin e tij një listë vaksinash periodike, për të cilat nënat e reja marrin informacion dhe programojnë periudhën kohore për fëmijët e tyre, në konsultoret e lagjeve. Para viteve 1990, në këtë kalendar ishin parashikuar më pak vaksina sesa sot, ndërsa pritet që kësaj liste mbrojtëse t‘i shtohet edhe vaksina e meningjitit. "Pas situatës së përfolur për meningjitin, prindërit kanë kërkuar të marrin vaksinën për parandalimin e kësaj sëmundjeje. Këtë vaksinë e presim të na vijë këtë vit, megjithatë mund të themi që lloji i sëmundjes që kanë prekur pacientët nuk është virusal dhe nuk rrezikon epidemi", tha mjekja e Poliklinikës 5 në Tiranë, Yllka Poçi. Sipas saj, edhe pse në listën e vaksinave ende nuk është parashikuar mbrojtja ndaj meningjitit, një pjesë e prindërve që kanë mundësi financiare e kanë blerë jashtë vendit.

Kalendari i mbrojtjes

Çdo fëmijë që nga lindja e deri në adoleshencën e hershme merr një listë vaksinash për të parandaluar sëmundje, të cilat mund të sjellin defekte në organizëm, apo mund të shkaktojnë probleme të rënda infektive. "Që në lindje, fëmijët kryejnë vaksinime dhe rivaksinime, sipas një periudhe të caktuar kohore. Vaksina e parë që marrin është BCG, e cila merret për të parandaluar tuberkulozin. Kjo bëhet vetëm një herë. Më pas kryhet vaksina dhe rivaksina e Hepatitit B. Kjo ka hyrë në kalendar në vitin ‘94", sqaroi mjekja Poçi. Sipas saj, veç Hepatitit, vaksinë e re pas viteve ‘90 ka qenë ajo e rubeolës në vitin 2000 dhe e shytave në 2005-ën. Sipas Institutit të Shëndetit Publik, në muajin mars do të nisë edhe vaksinimi për sëmundjet respiratore dhe meningjitin. Kjo vaksinë përfshin 3 doza dhe nuk ka nevojë për rivaksinimin. Ai nis në moshën dymuajshe, doza e dytë në moshën 4-muajshe dhe në moshën 6-muajshe doza e tretë.

Vaksinat

Vaksinat janë preparate biologjike, të cilat përgatiten nga bakteret e gjalla dhe të vdekura, ose nga helmet e tyre. Sipas përbërjes ato mund të jenë unike, të përcaktuara vetëm për një sëmundje ngjitëse, por mund të jenë edhe të kombinuara, për dy dhe më shumë sëmundje ngjitëse. Vaksinat janë preparate biologjike dhe për këtë nevojitet që të ruhen në ambiente të posaçme vetëm në spital, por njëkohësisht lipset ruajtja e tyre edhe gjatë transportit. Vaksinat janë të ndjeshme në temperaturë, dritë, lagështi, mjete kimike. Sipas mjekëve, këto medikamente mbrojtëse që merr aktualisht popullata janë të një cilësie të lartë dhe vaksina e fundit që do të vijë në dhjetor është një nga më të mirat. Sipas ISHP-së, vetëm një e treta e vendeve në zhvillim kanë arritur ta bëjnë vaksinën HIB pjesë të kalendarit të vaksinimit. Kjo dozë do të shërbejë jo vetëm për parandalimin e meningjitit, por njëkohësisht edhe për shtimin e mbrojtjes së organizimit nga sëmundjet respiratore dhe pneumonia.

Praktika

Sipas praktikës, çdo nënë e re paraqitet në konsultore sipas periudhave të caktuara kohore. Nëse ndonjëra prej tyre nuk ka marrë informacionin e nevojshëm janë mjeket dhe infermieret e lagjeve të cilat i njoftojnë në shtëpitë e tyre se duhet të vaksinojnë fëmijën. "Kjo edhe si një traditë e vendit, por edhe si pjesë e një përgjegjësie të sistemit parësor ka arritur të çojë në 98 për qind masën e popullsisë të vaksinuar për vitin 2007", sqaroi drejtori i Autoritetit Shëndetësor Rajonal, Mhill Gecaj. Sipas tij, kalendari i vaksinimit në vendin tonë është i miratuar sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë.


Të gjitha vaksinat, pa pagesë


Të gjitha këto vaksina, të cilat bëhen në sistemin publik, janë pa pagesë, pasi përballohen nga fondet e shtetit. Në periudha të ndryshme, këto lloj vaksinash janë financuar nga projekte për ndihmë të fëmijëve dhe programe të cilat parandalojnë shfaqen dhe përhapjen e sëmundjeve ngjitëse. Që nga viti 2000, në kalendarin tonë të vaksinimit janë futur 3 vaksina, ajo e rubeolës, parotitit (fruthit) dhe së fundi HIB, për të cilin aplikimi në GAVI ka nisur dy vjet më parë. GAVI, (Aleanca Globale për Vaksinat dhe Imunizimin ka financuar për vendin tonë po për një periudhë 5-vjeçare edhe vaksinën e Hepatitit B. Financimi i ndërkombëtarëve prej 2.3 milionë dollarësh do të shkojë për aplikimin e vaksinës HIB. Kjo është një përpjekje shumë e rëndësishme për të parandaluar sëmundje mjaft serioze te fëmijët si meningjiti apo pneumonia, që shkaktojnë numrin më të madh të vdekjeve në moshat e vogla.



Tabelë



Skeda


Vaksinat që duhet të bëjnë

fëmijët nga lindja deri 14 vjeç



BCG - vaksina që bëhet pas lindjes, për parandalimin e Tuberkulozit (0 vjeç)


Hepatiti B- vaksina që parandalon prekjen nga sëmundja e Hepatitit B


DTP - Vaksina që bëhet për mbrojtjen nga difteriti, tetanosi, pertuzi (kolla e mirë) (3 doza)


Vaksinimi bazal (në 6 muaj bëhen 3 doza)


Vaksina e poliomielitit (2 muajsh)


Vaksina e rubeolës dhe parotitit (fruthit)


Vaksina e shytave (12-15 muajsh)


dT - vaksina e fundit (bëhet në moshën 14-vjeçare)




Kalendari


Vaksina e detyrueshme



Mosha Poliomieliti Difteriti Hepatiti Fruthi


3 muajsh x x x x


5 muajsh x x x


11 muajsh x x x


12-15 muajsh


3 vjeç x


5-6 vjeç x


12 vjeç x






Tabelë


Sëmundjet



Tuberkulozi


Sëmundjet e tuberkulozit janë sëmundje ngjitëse kronike, që shkaktohen nga mikrobi tuberkle bacillus. Nga kërkimet shkencore rezulton se një pacient, që vuan nga tuberkulozi i mushkërive, mund t‘ia ngjisë këtë sëmundje 10 deri në 15 vetave brenda një viti.



Hepatiti B


Përhapet nëpërmjet seksit, shiringave dhe nga nëna shtatzënë te bebja. 1-2 për qind e të sëmurëve bëhen bartës kronikë të virusit, përqindja është më e lartë në të sëmurët me mangësi imune dhe te fëmijët. Deri në 90 për qind të bebeve të lindura nga nënat me hepatit B bëhen bartës kronikë



Poliomeliti



Është një sëmundje infektive e shkaktuar nga një virus, i cili pushton sistemin nervor dhe mund të shkaktojë paralizën totale brenda pak orësh. Zakonisht prek fëmijët nën pesë vjeç. Simptomat fillestare janë temperatura, lodhja, dhimbja e kokës të vjellat dhe mpirja e qafës dhe e gjymtyrëve.



Difteria


Është një sëmundje që provokon formimin e një shtrese të dendur myku që mund të sjellë probleme në frymëmarrje, paralizë, madje dhe vdekje. Tetanosi është një tjetër sëmundje që shkakton një mpirje të fortë të muskujve, në përgjithësi në tërë muskujt e trupit. Mund të shkaktojë një bllokim të nofullës, kështu që i sëmuri nuk është në gjendje të hapë gojën dhe as të përtypet.