23/09/2009  Debate mbi mungesën e maketit dhe perspektivës së qytetit


FIER- Ka kaluar me debat të ashpër mes këshilltarëve, specialistëve ish-kryebashkiakëve fierakë miratimi i planit rregullues të qendrës së qytetit të Fierit ditën e djeshme. Në takimin e zhvilluar në Bashkinë e Fierit kanë spikatur një maratonë e gjatë pyetje-përgjigje mes qytetarëve, por edhe ish-kryetarit Agron Milaj dhe studiuesve dhe projektuesve të këtij plani.


Debatet


Ish- kryebashkiaku Milaj është shprehur se nuk është paraqitur një maket për qendrën e qytetit të Fierit, sikurse ka ndodhur një dekadë më parë, ndërkohë që qendra e qytetit shtrihej më parë në 80 ha dhe jo në 25 ha siç është paraqitur tashmë. Ndërkohë është kërkuar nga të pranishmit kapaciteti sizmologjik i tokës për ndërtimet shumëkatëshe, të cilat janë paraqitur në këtë projekt. “Specialistët duhet t’i kishin studiuar studimet urbanistike të dekadave më parë, por edhe në kohën kur kryebashkiaku ka qenë Nikollaq Koshovari, ka pohuar Agron Milaj ish-kryebashkiak i Fierit, dhe pasi ti studionin të gjitha të vendosnin projektin më të përshtatshëm. Specialistët nuk kanë përgatitur një maket ta shikojmë, sepse maketi ua thjeshton më mirë përfytyrimin qytetarëve, sepse maketi është shumë i rëndësishëm”. Nga specialistët e projektimit të qendrës së qytetit u bë e qartë se është marrë informacioni nga studioja e projektimi dhe në qytetin e Fierit mund t’i bëhet ballë një tërmeti 8 ballë, kjo për qendrën e qytetit, dhe ndërtimi i godinave shumëkatëshe nuk përbën rrezik. Për sa u përket fëmijëve ne menduam se në Fier ka mjaft parqe, megjithatë ne do të shikojmë edhe për këndet e fëmijëve, por kur këtu diskutohet se do të ketë 3 ha park, nuk diskutohet që do të ketë edhe në zona të tjera parqe të gjelbra.


Plani


“Ne kemi menduar se e kemi ndryshuar me këtë projekt identitetin e Fierit, kanë pohuar specialistët, pikat referuese të qytetit të Fierit mbeten përsëri”. Është lumi Gjanica, e cila tani është e padukshme dhe ne e kemi rivitalizuar, zonat industriale të qendrës nuk ndryshojnë, sistemi rrugor dhe lëvizja është po ai”. Plani rregullues pas fazës së njohjes me qytetarët do të kalojë për miratim në Këshillin e Rregullimit të Territorit në Bashkinë e Fierit dhe më pas në atë të Republikës. Fituesi i tenderit për qendrën e qytetit të Fierit ka qenë studioja me 2 personat fizikë, Elona Vladi dhe Elida Pajoka. Vlera e këtij plani ka shkuar vetëm 10 milionë lekë të reja. Debatet nuk kanë munguar në miratimin e këtij plani rregullues të qendrës së qytetit të Fierit. Ky prezantim është konceptuar nga Bashkia me pjesëmarrje të qytetarëve specialistëve dhe grupeve të interesit për të dhënë mendime dhe propozime mbi variantin e paraqitur nga studioja e projektimit duke qenë kështu pjesë e ndryshimit të madh në këtë qytet. Në fjalën e tij kreu i Bashkisë Fier, Baftjar Zeqaj, ka vlerësuar këtë moment që do të bëjë të mundur zhvillimin urban të qytetit”. “Duhet të bëjmë hapa të matur, ka thënë Zeqaj, pasi do të na mundësojë të ardhmen e tij pas 100 viteve të ardhshme”. Qendra e qytetit sipas variantit të parë nuk do të prekë ndërtimet e mëparshme, madje synon ndërtime të reja dhe moderne që do të ngrihen deri në 22 kate siç është qendra e biznesit në qendër të qytetit, por nuk do të mungojnë hapësirat e gjelbëruara, sistemi i lumit Gjanica si dhe monumente kulture etj. “Në këtë studim e kemi bërë duke pasur parasysh edhe rritjen e popullsisë fierake sipas dekadave në 22%, ndërsa në vitin 2020 popullsia e qytetit do të shkojë rreth 94 mijë banorë”, tha Zeqaj.