06/02/2009  Rilindja Kombëtare, kjo lëvizje e fuqishme dhe e gjithanshme politike, shoqërore, kulturore, ushtarake, në përpjekjet e saj për pavarësinë e Shqipërisë i dha një rëndësi të madhe edhe ngritjes lart të figurës së Skënderbeut në kulturën dhe artet shqiptare. Krahas shkrimtarëve dhe poetëve edhe artistët e arteve pamore nuk mbetën pas në këtë fushë. Në këtë kuadër, përveç piktorëve dhe skulptorëve edhe fotografët shqiptarë të fillimshekullit XX e vlerësuan dhe identifikuan shqiptarizmin me personalitetin e Skënderbeut, duke e trajtuar atë me shumë të drejtë si simbol të kombit të shqiptarëve.


Fotografët e kuptuan me intuitë se arti i tyre komunikonte më lehtë me publikun sesa piktura dhe skulptura, po të kemi parasysh këtu qarkullimin e vlerave kulturore. Për këtë qëllim fotografët shfrytëzuan fotografinë, këtë demokrate të madhe e të heshtur për të ngritur lartë frymën atdhetare. Kartolinat postare ishin krijime shumë të përshtatshme të lëmit të fotografisë. Ata përdorën piktura dhe grafika të ndryshme me portretin e Skënderbeut për të krijuar kolazhe, që në përgjithësi janë një lloj shkrirjeje e fotografisë me pikturën ose të fotove të ndryshme, duke formuar një të vetme në formë dhe përmbajtje. Përbën një meritë të veçantë të këtyre fotografëve krijimi i kolazheve si një zhanër i artit fotografik. Ato, në fund të fundit, përbëjnë fotokompozime të mirëfillta e, si të tilla, janë të parat në historinë e fotografisë shqiptare, që ndryshe mund t’i quajmë hapat fillestarë të “instalacioneve” ose performancave të sotme. Ato më pas shtypeshin në fotografi të posaçme, e paskëtaj shumëfishoheshin në kartolina. Sidomos me të dytën Heroi Kombëtar “hynte” lehtësish e mirëpritej në shtëpitë shqiptare, duke u bërë kësisoj një figurë familjare. Mjaft kolazhe të asaj kohe vendosnin pranë portretit të Heroit tonë portretin e Princ Vidit, mbretit të Shqipërisë të caktuar nga Europa më 1914. Emri i mbretit të ri (“mbret” do titullohej pas një viti qeverisje), i cili, ndonëse nuk njihej ende mirë, u lindi atyre shpresa të mëdha për krijimin e shtetit mbretëror. Shqiptarët e pritën ardhjen e tij me ngazëllimin e kthimit përsëri të “Motit të madh të Arbrit” (periudha e Skënderbeut, shekulli XV).


Nga një pikëshikimi tjetër mbështetja për mbretin e ri tregon vizionin e fotografëve shqiptarë në atë kohë të trazuar, ashtu si edhe të rilindësve të tjerë për kthimin e Shqipërisë pas katër shekujve përsëri në familjen europiane (disa kohë më parë ishte folur për një princ turk në fronin mbretëror shqiptar).


Në kolazhet, ashtu si dhe në kartolinat, përveç patriotizmit të spikatur ndihet sensi i hollë artistik dhe mjeshtëria profesionale. Këndvështrimi estetik në të dyja rastet nuk shfaqet vetëm në pikësynimin fotografik, që edhe ky është në nivel të kënaqshëm, por edhe në tekstet shoqëruese. Ato janë thirrje patriotike, por edhe vargje të zgjedhura atdhetare nga poetë të shquar të Rilindjes Kombëtare, si dhe këngë me përmbajtje shumë frymëzuese për lirinë e vendit, që sapo kishin filluar të këndoheshin.


Një fotokompozim interesant me “ngjyrosje” atdhetare ka krijuar edhe fotografi i njohur korçar Vani Burda (1875–1949) nga kolonia shqiptare e Bukureshtit, i cili, kur u kthye në atdhe (1925), hapi në Korçë një studio fotografike. Ai është autor i fotopllakatit të parë shqiptar (kushtuar 6 dëshmorëve të Ormën-Çifligut, 1911) dhe ka sjellë në Shqipëri fotografitë e Frashërllinjve të mëdhenj. Në kolazh shihen të vendosura përballë njëra-tjetrës figura e Skënderbeut (e fotografuar nga ndonjë pikturë) dhe fotografia e Princ Vidit. Skënderbeun këtu e shohim më tepër si politikan e diplomat, madje edhe si mbret, sesa si luftëtar. Kjo jo vetëm në saje të veshjes civile, por sidomos nga qëndrimi e shikimi. Piktori, e si pasojë edhe fotografi, e kanë paraqitur me përkrenaren aq luftarake e të veçantë, që edhe në atë moshë të thyer i ka hije. Ajo është diçka organike e figurës së tij. Mbretin e madh dhe Princ Vidin i ndan dhe i bashkon një shqiponjë dykrenore në fluturim me krahë hapur. Ndonëse shqiponja është vizatuar thjesht, ajo merr vlera simbolike në kolazh. Si të gjithë shqiptarët në atë kohë, edhe fotografi Burda e priti me gëzim të madh emërimin dhe ardhjen e mbretit të ri. Mbi kokën e shqiponjës shkruhet: “Zoti qoftë me ne. Pas 5 shekujsh në robëri, sot Shqipëri e shqipëtarëve”. Kolazhi është i vitit 1914 e qarkulloi gjatë si kartolinë postare.


Një kolazh tjetër që bashkon Skënderbeun me Vidin është ideuar dhe zbatuar nga shoqëria atdhetare-kulturore “Një tufë djelmoça shkodranë”, kryetar i së cilës ishte fotografi shumë i njohur Kel Marubi (1870–1940). Këtu portreti i Skënderbeut është fotografuar nga një medaljon i bërë në bazë të pikturës së përdorur edhe nga Burda. Por këtu profili më vertikal flet për një frymë më të spikatur luftarake. Edhe ndriçimi i medaljonit gjatë fotografimit duket mjaft i gjetur. Dy figurat i lidhin krahët e tejhapur të shqiponjës me dy krerë e me yllin 6-cepësh sipër dhe fjalët “Besë e bashkim”. Në qendër, poshtë, duket skeptri mbretëror me yllin gjashtëkëndësh shqiptar. Djathtas ai mbështetet mbi një pallua, stemë e rrallë e familjes princërore Vidi, dhe majtas mbi krahun e shqiponjës. Pra, kolazhi ngërthen shumë elemente me simbolikë patriotike. Daton viti 1915, princ Vidi kishte disa muaj që ishte larguar, por shpresohej të kthehej përsëri. Ka qarkulluar për shumë kohë brenda dhe jashtë vendit si kartolinë postare.


Atelieja “Marubi” në Shkodër hodhi në tregun ekonomik, por me synim më tepër “tregun shpirtëror” të shqiptarëve, në fillim të shekullit XX një kartolinë, ku është fotografuar piktura e Skënderbeut nga piktori i njohur Theohar Gjini (1880–1956) duke kalëruar e me shpatë në dorë. Në këtë fotografi Marubi (Keli) na paraqet Skënderbeun-luftëtar në një çast beteje “duke ndjekur armikun” me armatimin e tij karakteristik. Nga një pikturë e bukur nuk ka shumë vështirësi të realizosh një fotografi të arrirë. Merita e fotografit këtu qëndron në atë se ai krijon një kartolinë me tendencë të mprehtë atdhetare. Karakterin e theksuar patriotik kartolinës ia shtojnë fjalët nën foto, ku shkruhet: “Rrnoftë Shqypënia!” e më pas vargjet: “Armiku ç’e hangri/e në kambë s’e la/ Deri në buzë të varrit/ Skander Beu s’ju nda”. Përsëri Skënderbeu e përsëri figura e tij për të ngritur lart frymën atdhetare . Edhe kjo kartolinë ka qarkulluar në sasira të mëdha dhe parapëlqehej shumë nga shqiptarët për korrespondencë ndërmjet tyre. Piktura e Skënderbeut e Th. Gjinit e shpalli piktorin në të gjithë vendet ku jetonin shqiptarë “piktor mëmëdhetar”, Konica e quajti “shqiptar të kulluar, atdhetar të vërtetë, shqiptar të urtë”, ndërsa Noli e cilësoi “piktor i parë i Shqipërisë”. Përmendim se në vitin 1927 Kel Marubi u dhuron shqiptarëve të Amerikës nëpërmjet Kryqit të Kuq Shqiptar 500 kartëpostale të shtypura në Shkodër. Ndër to pjesa më e madhe ishin ato me pikturën e Th. Gjinit.


Një tjetër kartolinë me portretin e Skënderbeut ka realizuar rishtazi Kel Marubi, i cili fotografon një pikturë të Heroit tonë, ku bie në sy shpata e mbajtur me dorën e djathtë dhe shikimi në të kundërt të armës. Në këtë kartolinë kemi një portret të Heroit që ndryshon shumë nga të zakonshmit. Piktori e ka vizatuar atë pa përkrenaren, me një si diademë lulesh mbi kokë, por me shpatën në dorë. Përshtypje të veçantë këtu të krijojnë sytë me shikimin e tyre mjaft dinjitoz. Kartolina është e kolanës “Kujtim nga Shqypënia” dhe shoqërohet me vargjet e njohura të Mihal Gramenos: “O trima luftëtarë, / o birtë e Skanderbeut, / kërkoni ju shqyptarë /Lirinë e mëmëdheut”. Sipas studiuesit Ferid Hudhri, piktura është krijim i skulptorit arbëresh Mikel Trota.


Në lëmin e kartolionave të bazuara në kolazhe fotografike të krijuara në gjysmën e parë të shekullit XX interesante është edhe ajo e studios “Guga & shoku” të Tiranës. Në të paraqitet Skënderbeu dhe Zogu I dhe u takon viteve ’30. Skënderbeu është riprodhuar nga ndonjë pikturë e vjetër si luftëtar me përkrenaren në kokë, pelerinën dhe dorën e majtë mbi dorezën e shpatës. Edhe mbreti Zog pasqyrohet me uniformë ushtarake. Dy figurat qëndrojnë brenda elipsave e mbi to duket shqiponja dykrenore, e njëjtë me atë të kartolinës së shoqatës “Një tufë djelmoca shkodranë”, por pa yllin gjashtëcepësh sipër. Poshtë portreteve shihen dy flamuj kombëtarë të kryqëzuar, mbi të cilët është vendosur përkrenarja e Skënderbeut dhe anash tyre fjalët “Besa shqiptare”. Në kartolinë flamujt dhe shqiponja janë me ngjyrë të kuqe, ndërsa elipsat e portreteve janë rrethuar me varak të verdhë, çka tregon se ajo kishte njëfarë luksi për atë kohë. Autorët e kartolinës shihnin me të drejtë te Zogu mbretin e dytë në historinë e shqiptarëve.


Një fotografi tjetër që ka gjetur përdorim si kartolinë është edhe ajo që paraqet bustet e Skënderbeut dhe mbretit Zog. Në mes të tyre mbi një pod të vogël shihet përkrenarja simbolike e Skënderbeut, ndërsa poshtë saj stema e mbretërisë së Zogut. Fotografi, deri tani i panjohur, ka zgjedhur buste të mbretërve shqiptarë ku ata janë me uniformë ushtarake, si për të mbështetur respektin e madh të shqiptarëve për armët, por sidomos për mbajtësit e tyre.


Tjetër kartolinë (më parë kolazh fotografik) me karakter kombëtar dhe me figurën e Skënderbeut është dhe ajo e hedhur në qarkullim në vitin 1937 me rastin e 25-vjetorit të pavarësisë. Në të shihen pesë njerëz të shquar të historisë së vendit, dy shtetarë, dy letrarë dhe bashkues i tyre është Skënderbeu, i cili paraqitet në një monument ekuestër. Shtetarët janë Ahmet Zogu dhe Ismail Qemali, ndërsa letrarët Naim Frashëri dhe Vaso Pasha, barasvlerësim i veçantë dhe i goditur i politikës me letërsinë, çka flet për nivelin e pëlqyeshëm kulturor të fotografit-autor të kolazhit.


Kështu, fare qartë del përfundimi se edhe fotografët shqiptarë të viteve të para të shekullit XX kanë kontribuar me veprimtarinë e tyre artistike dhe patriotike në lëvizjen kombëtare. Kjo është arritur nga ata edhe duke ngritur lart figurën madhore të Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, i shquar edhe për bashkimin e princave arbër të shekullit XV.