541-vjetori i vdekjes së heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit - Skënderbeut

Më 17 janar bie 541-vjetori i vdekjes së Heroit Kombëtar Shqiptar, Gjergj Kastriotit Skënderbeut, Atletit të Krishtit e të krishterit të flaktë, sikur e quajtën Papët e Romës. Gjergj Kastrioti ka hyrë në histori si një nga gjeneralët më të mëdhenj të kohës, si një strateg i shquar i luftimeve mbrojtëse, sepse me një ushtri të vogël mundi të përballonte dhe të shkatërronte taborret e ushtrisë osmane, më të organizuarat dhe më modernet e kohës së vet, si një burrë i madh shteti, që udhëhoqi luftën për pavarësi të kombit vet shqiptar kundër pushtuesit osman, i cili punoi edhe për bashkimin politiko-shtetëror të popullit shqiptar. E pikërisht me Kuvendin e Lezhës më Gjergj Kastrioti Skënderbeu vuri themelet e një shteti arbër të organizuar - as para tij as pas tij princat shqiptarë nuk mundën të gjenin rrugën e bashkimit. Për 25 vjet me rradhë Skënderbeu mbrojti lirinë e popullit dhe të vendit të vet dhe lufta e tij pengoi përhapjen osmane drejt Evropës, për çka fitoi mirënjohjen e Shteteve Evorpiane dhe të Papatit të Romës që kur ka qenë gjallë dhe shumë më tepër pas vdekjes. Në qiellin shqiptar emri i Skënderbeut ka qenë një yll polar për gjithë brezat pasardhës, burim frymëzimi për rilindasit, shembull i ndritur për t’u pasur në betejat e ndryshimeve për t’i kthyer popullit lirinë, dinjitetin, bashkimin e hapur, rrugën e përparimit. Në figurën e pavdekshme të Gjergj kastriotit Skenderbut, populli shqiptar kurdoherë ka shembullin dhe simbolin e bashkimit, të vëllazërimit, të lirisë, të atdhedashurisë, të harmonisë e të demokracisë.
Marshim për paqen, ditë lutjeje dhe reflektimi në Tiranë/Forumi për Demokraci dhe Etikë ka zhvilluar dje në Tiranë, Marshimin e Paqes ku qytetarë dhe politikanë deklaruan solemnisht përgjegjesinë morale dhe publike duke e shpallur 17 Janarin Ditë Lutjeje dhe Reflektimi Kombëtar. Marshimi i Paqes u zhvillua duke u nisur nga Sheshi ''Skënderbej'' në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” drejt Sheshit ''Nënë Tereza''. Në Memorialin e Nënë Terezës pasi u ndezën qirinj në përkujtim të kësaj dite , Drejtori Ekzekutiv i FDE Arjan Galdini  tha se ndër të tjera se, "sot politika vendosi që ta vendosë qyetarin si autoritetin suprem për të cilin ajo do të marrë vendimet, ajo e pranoi këtë ditë si një datë jo pushteti , si një ditë ku nderojmë të gjithë së bashku Zotin, qytetarin, Nënë Terezën, Skënderbeun, që kanë bërë shumë për Shqipërinë dhe shqiptarët”. Ai shtoi më tej se “Ne sot ngremë lart modelet si duhet të jemi , ne realisht projektojmë një të ardhme ndryshe, të një qytetari që e meriton të integrohet në Bashkimin Europian”. Ne, tha ai do të mblidhemi çdo 17 janar solemnisht  për parimet e mëdha që na bashkojnë zemrat  për ata që besojnë, për ata që e duan këtë vend
541-vjetori i vdekjes së Gjergj Kastriotit “Skenderbeut” në Romë/Me rastin e 541-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit, figurë e shquar historike, simbol i identitetetit dhe i krenarisë mbarëkombëtare - kështu shkruhet në ftesën që Ambasada e Republikës së Shqipërisë u drejtoi të gjithë mërgimtarëve shqiptarë dhe miqve të tyre, më 17 janar u mbajt një tubim përkujtimor, organizuar për nder të Heroit Kombëtar të shqiptarëve. Manifestimi filloi në orën 11 në Sheshin Albania të Romës, pranë shtatores së Gjergj Kastriotit. Të pranishëm, Ambasadori i Republikës së Shqipërisë pranë Republikës italiane, zoti Llesh Kola, përfaqësues të ambasadës shqiptare pranë Selisë së Shenjtë, të trupit diplomatik, personalitete të artit e të kulturës, miq e të ftuar. Në tubim do të marrin pjesë të gjithë ata që dëshirojnë të ndalen një ças e t’i japin përgjigje pyetjes që vijon të bëhet edhe sot, herë me mllef të pakufishëm e herë me krenari të pakufishme, tek këmbët e Gjegj Kastriotit në bronz, mbi 541- vjet të historisë gjithnjë të trazuar të shqiptarëve.
Topi: Skënderbeu, e mjerueshme përpjekja për tjetërsim/Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bamir Topi gjatë një konference mbi familjet e mëdha fisnike shqiptare ka ndërhyrë në debatin e fundit për origjinën dhe rolin e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeut. Kreu i shtetit citoi figura të njohura si Fan Noli dhe Volteri për të konkretizuar qëndrimin e tij se Skënderbeu mbetet shpirti i historisë së mesjetës, por edhe njeriu që realizoi bashkimin e parë politik dhe ushtarak të shqiptarëve. “Ndokush mund të ketë xhelozi për heroin tonë kombëtar, për bëmat, famën, marrëdhënien, që ai ndërtoi me kombin e tij dhe Europën ushtarake e politike të kohës duke u perpjekur sot ta ridimensionojë atë. Ndonjë mendje e robëruar, e pajisur me një guxim regresiv, përpiqet sot të tjetërsojë rolin e Skënderbeut në historinë tonë apo në historinë e qytetërimit Europian. Kjo është një përpjekje e mjerueshme, sepse historia nuk pranon leksione: ajo jep leksione. Hipotezat e humbasin terrenin përballë fakteve. Interpretimi kërkon moralitet të lartë dhe profesionalizëm”. Duke folur për familjet e mëdha shqiptare, presidenti Topi nënvizoi se kanë qenë ato që mësë shumti kanë vuajtur diktaturën e regjimit komunist dhe se viti 1990 e gjeti këtë shtresë si komponentin më të vetëdijshëm që kërkonte ndryshim. “Komunistëve u duhej që të shpikej “Armiku i klasës apo i popullit” dhe për këtë stigmatizuan dyert e mëdha shqiptare. Si pasojë ata provuan asgjësimin fizik, burgun, internimin, konfiskimin e pronës, humbjen e të gjitha të drejtave, veprime këto me pasoja afatgjata të mirëmenduara”. “Personalisht në cilësinë e Kreut të Shtetit nuk do t’i resht përpjekjet që këto familje të gjejnë vetveten në shoqërinë shiptare, sepse Shqipëria, për t’u bërë më e mirë, si gjithmonë, ka nevojë për kontributin tuaj”.

...