Hapen procedurat e aplikimit për studimet e doktoraturës pranë Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë në Universitetin e Tiranës. Burime nga Universiteti i Tiranës bëjnë të ditur zyrtarisht se prej datës 18 janar do të nisë aplikimi për shkollën doktorale. Për t’u ardhur në ndihmë të interesuarve që duan të aplikojnë për këto studime, Universiteti i Tiranës publikon edhe dokumentet që duhet të përmbajë dosja e aplikimit. Ndërkaq, sipas afateve të vendosura, dosja e aplikimeve duhet të dorëzohet pranë departamenteve përkatëse nga data 18 deri në datën 30 janar 2010. Dosja duhet të përmbajë: curriculum vitae; kopje e noterizuar e Diplomës së Nivelit të Dytë (DND), ose të Diplomës së Integruar të Nivelit të Dytë (DIND), ose diplomës sipas sistemit të vjetër apo titullit akademik të barasvlershëm të fituar jashtë vendit dhe të njohur nga organet kompetente; kopje e noterizuar e diplomës SHPU, Master i Nivelit të Dytë (MND), e shoqëruar me listën e notave; certifikatë lindje me fotografi; vërtetim i qendrës së banimit; dy rekomandime (nga një profesor, profesor i asociuar ose docent); dëshmi dhe vërtetime provimesh pasuniversitare si gjuhë e huaj etj.; deklaratë e gatishmërisë së udhëheqësit shkencor për të udhëhequr kandidatin; deklaratë vetjake e studentit për përballimin e shpenzimeve të programit të studimeve të doktoratës; vërtetim i dekanatit për pranimin e dokumentacionit për aplikim; platforma e disertacionit (punimit); plani i punës në vite.

Bilanci
Virusi A/H1N1, 70 persona të prekur vetëm për këtë vit

70 persona janë prekur nga virusi A/H1N1 në vendin tonë vetëm gjatë ditëve të para të vitit që sapo ka nisur. Ky është bilanci i nxjerrë së fundi nga autoritetet shëndetësore të vendit për përhapjen e gripit të derrit. Ndërsa para pak ditësh specialistët e Institutit të Shëndetit Publik deklaruan se ky virus po largohet nga vendi ynë, sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, gripi i derrit po vijon të prekë shumë persona në vendin tonë. Vetëm për vitin 2010, pra në këto pesëmbëdhjetë ditë kemi rreth 70 persona të infektuar të konfirmuar me gripin e derrit. Ndërsa 2009, u mbyll me një bilanc prej rreth 400 personash të infektuar nga ky virus, por bashkë me rastet e reja të 2010-s, numri ka shkuar në rreth 470 të prekur. Ky është vetëm numri zyrtar, pasi sipas Ministrisë së Shëndetësisë, ky numër është shumë herë më i madh, kjo për faktin se në këtë periudhë janë marrë shumë pak mostra, të cilave u janë bërë analizat laboratorike. Viktima e fundit nga gripi i derrit në vendin tonë ishte një 64-vjeçar nga Durrësi, i shtruar prej një muaji në Sanatorium. Ai mbahej me oksigjen në reanimacionin e spitalit “Shefqet Ndroqi”. Ndërkohë që, aktualisht në gjendje të rëndë, por të qëndrueshme ndodhen tre persona të infektuar.


18 Janar 2010