16/10/2009  Forumi i donatorëve. SME-të përbëjnë 95 për qind të bizneseve


Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme mund të përfitojnë financim nga donatorët. Aq më tepër në një situatë kur bankat e nivelit të dytë po tregohen mjaft dorështrënguara për kredidhënien. Një prej këtyre programeve është kredia italiane për SME-të, nëpërmjet së cilës sigurohen fonde për këto biznese, të cilat përbëjnë edhe 95 për qind të totalit të bizneseve që janë sot në vendin tonë. Në punimet e forumit të donatorëve për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme u diskutua pikërisht ecuria e programeve të mbështetjes të aktivitetit të këtyre ndërmarrjeve. Mbi 13 ndërmarrje të vogla dhe të mesme po përfitojnë aktualisht nga kredia e dhënë nga qeveria italiane prej 25 milionë eurosh, prej së cilës deri tani janë disbursuar 3.2 milionë euro.


Projektet


Sipas drejtores së programit të kredisë italiane për SME-të, Laura Grezhda, norma e interesit të kredisë është 5.5%, dhe kanë përfituar biznese në rrethe të ndryshme të vendit. Kredia ka një vlerë prej 25 milionë eurosh dhe po shpërndahet për bizneset shqiptare nga 5 banka tregtare në vend. “Bizneset që përfitojnë nga kjo kredi duhet që 51 për qind të kapitalit ta kenë shqiptar, të mos kenë më shumë se 250 punonjës, si dhe të kenë një xhiro vjetore prej 5 milionë euro”, - u shpreh Grezhda. Ndër kushtet e tjera që biznesi të përfitojë nga kredia e qeverisë italiane, është edhe mënyra e menaxhimit të kredisë. “Bizneset duhet që 70 për qind të shumës së përfituar ta përdorin për të blerë pajisje, makineri ose lëndë të parë për prodhim”, - tha Grezhda. Marrëveshja mes qeverisë shqiptare dhe asaj italiane për këtë kredi është bërë në dhjetor të vitit 2008, ndërsa si projekt, zbatimi filloi në janar të këtij viti. Projekt tjetër i rëndësishëm është ai i financuar nga Komisioni Evropian, i cili do të kontribuojë në forcimin e aftësive të Ministrisë së Ekonomisë dhe Agjencisë së Nxitjes së Investimeve për të zhvilluar politika të SME-ve në Shqipëri dhe për të rritur konkurrueshmërinë e tyre. “Qeveria shqiptare ka marrë reforma shumë dimensionale, që synojnë rritjen e transparencës, uljen e informalitetit, eliminimin e barrierave administrative për biznesin, duke synuar reduktimin e varfërisë nëpërmjet promovimit në veçanti të zhvillimit të SME-ve, që në thelb është edhe shtylla kurrizore e ekonomisë sonë, por edhe ekonomisë evropiane",- tha zëvendësministri i Ekonomisë, Eno Bozdo. Ai theksoi se janë bërë hapa për të krijuar një kuadër pozitiv kombëtar ligjor dhe institucional për të zgjeruar ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, duke u bazuar në një program për zhvillimin e eksporteve. “Janë implementuar skema grantesh për ndarjen e kostos dhe skema grantesh për garantimin e kredive për eksport në mënyrë që të ndikojnë në rritjen e kapacitetit dhe konkurrueshmërisë së bizneseve shqiptare kryesisht atyre eksportuese”, - tha zëvendësministri. Ajo që pritet të bëhet është përmirësimi i financimit të riskut kapital, financimi i kompanive të reja dhe kompanive të kërkim-zhvillimit.


BERZH rishikon parashikimet ekonomike për 2009-n


Shqipëria shmang recensionin, rimëkëmbje e lehtë në 2010-n


Ekonomia shqiptare pritet të rritet me afërsisht 3 për qind në vitin 2009, në rënie nga rritja më e ulët sesa rritja e prej 6.8 për qind në vitin 2008. Në vazhdim të një uljeje ekonomike të mëtejshme të pritur në gjysmën e dytë të vitit, ekonomia ka mundësi të rimëkëmbet në vitin 2010. Raporti i Tranzicionit i BERZH i 2009, i cili do të publikohet i plotë muajin e ardhshëm tregon se ka mundësi të këtë diferenca të rëndësishme ndërmjet rritjes ekonomike përfundimtare në vitin 2010, me një nivel rritjeje mesatare prej 2.5 për qind për rajonin. “Efekti i krizës botërore në Shqipëri ka qenë i përmbajtur në Shqipëri, së pari në sajë të sistemit relativisht të fortë bankar që është zhvilluar mirë në vitet e fundit dhe ekspozimit të kufizuar limituar të ekonomisë shqiptare ndaj tregjeve ndërkombëtare. Megjithatë, rritja do të ndikohet nga një ulje e pritur e eksporteve, remitancave dhe investimeve të brendshme dhe deficiti i madh aktual do të vazhdojë të jetë një sfidë e madhe për vitet në vazhdim. Kontrolli fiskal mund të nevojitet për të ruajtur balancimin e buxhetit dhe bankave tregtare do t’u nevojiten të monitorojnë me kujdes portofolat dhe fondet e huave, ndërsa ekonomia do të rimëkëmbet pas krizës”, – u shpreh Peter Sanfey, ekonomist Kryesor i BERZH për Evropën jug-lindore. Sipas raportit, ekonomitë e Evropës Qendrore dhe lindore priten të tkurren dhe të arrijnë një mesatare prej 6.3 për qind në 2009 pas një ulje të theksuar të prodhimit në gjysmën e parë të vitit. Shenja për një rritje pozitive në tremujorin e tretë të vitit 2009 tregon se ulja ka arritur tani pikën më të ulët në shumë vende të rajonit të BERZH-it. Megjithatë, çdo përmirësim në vitin 2010 mund të jetë i lehtë dhe i pjesshëm.