Në vigjilje të përvjetorit të fitores mbi nazizmin, ambasadori i Rusisë në Shqipëri, Aleksandër Prishepov, duket të jetë një njeri i “mbytur” në punë. Sepse tradita ia dikton. Sepse rusët, paksa ndryshe nga pjesa tjetër e botës, e konsiderojnë festë të parë në radhë pikërisht atë të fitores mbi nazizmin. Një ngjarje e madhe sidomos për popullin rus dhe kjo për shkak se në atë pjesë të botës që dikur quhej Bashkimi Sovjetik, u mbajt pesha më e madhe e luftës ndaj Gjermanisë naziste, pati viktimat më të shumta në radhët e ushtrisë që luftonte kundër tyre si dhe u regjistruan humbjet më të mëdha në njerëz të popullsisë vendase. Për këto arsye, sipas ambasadorit Prishepov, rusët e festojnë në mënyrën më madhështore të mundshme 9 Majin e çdo viti. Më poshtë intervista e ambasadorit.  
Zoti ambasador, çdo 9 Maj, Rusia feston fitoren mbi Gjermaninë naziste, ndërkohë që kujton të rënët. Sa e rëndësishme është kjo ditë për rusët? Çfarë aktivitetesh do të organizojë ambasada ruse në Tiranë me këtë rast?
Në datat e shënuara për Rusinë, 9 Maji zë një vend të veçantë. Vetëm kur kujtohet dita e fitores, bën të ndrydhet zemra e çdo qytetari rus, sepse edhe sot e kësaj dite vështirë të gjesh një familje të cilën s’e ka prekur lufta. Provat e rënda që kaloi Rusia në këtë luftë nxorën në pah shembuj të heroizmit të veçantë. Zbuluan madhështinë e shpirtit të njeriut. Prandaj kremtimi i 9 Majit ka rëndësi të veçantë për çdo qytetar të Rusisë dhe për shtetin rus. Si asnjëherë në historinë e vendit tonë, gjatë kësaj lufte u shkrinë bashkërisht fatet e njerëzve, të popullit dhe të vendit. Për shumë nga ata që morën pjesë në këtë luftë, të cilët janë gjithnjë e më pak, kjo nuk është vetëm festa e tyre kombëtare, por edhe personale. 9 Maji i vitit 1945 nuk ishte thjesht fitore në luftë. Ajo ishte një fitore e të drejtës në botë. Në këtë fitore besonte jo vetëm Rusia, por edhe Europa e bota. Prandaj kur kremtojmë këtë fitore, ne festojmë edhe fitoren mbi një regjim kriminal, mbi një ideologji të përbindshme, çka nënkuptonte asgjësim të popujve të tërë. Ne jemi të vetëdijshëm se Lufta e Dytë Botërore ishte një ngjarje tragjike për të gjitha vendet e botës dhe njëherësh një ngjarje heroike e shekullit të 20-të. Me fitoren mbi nazizmin u vendos e drejta e popujve për liri, e drejta e njerëzve, popujve për jetën dhe për të zgjedhur lirshëm rrugën e zhvillimit të tyre. Sipas traditës së përvitshme, edhe këtë vit, ambasada do të organizojë një veprimtari solemne për të kremtuar këtë ditë. Ne ftojmë veteranët e luftës, përfaqësuesit e Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Rusi dhe bashkatdhetarët tanë që jetojnë në Shqipëri.
Si e kujton Rusia Ditën e Fitores?  
Për rusët, kjo është një nga ditët më solemne. Bile ka disa mendime që kjo ditë të bëhet dita kombëtare e Rusisë dhe kjo lidhet me rëndësinë e kësaj dite. Në shumë qytete të Rusisë, sidomos në qytetet-heronj, zhvillohen parada ushtarake të teknologjisë moderne dhe forcave të armatosura. Kuptohet parada më madhështore organizohet në Moskë. Veteranët e luftës ftohen në një pritje madhështore në Pallatin e Madh të Kremlinit, të cilën e organizon Presidenti rus dhe Qeveria e Federatës Ruse. Kurora me lule vendosen te Zjarri i Përjetshëm para Murit të Kremlinit. Në çdo familje organizohen tryeza festive, ku ngrihen dolli për fitoren, ndërsa kujtohen të rënët dhe ato që janë gjallë për heroizmin e tyre. Në familjen time kjo është festa më e dashur, sepse babai im ka luftuar që nga dita e parë e luftës deri në atë të fundit. Për fat të keq ai nuk jeton më, por ne e kujtojmë gjithmonë atë dhe të gjithë të afërmit që morën pjesë në të.
Që prej 64 vitesh, veteranët e luftës takohen para sheshit të teatrit “Balshoi”.
A ekziston në Rusi ndonjë kontradiktë rreth datës së kësaj ngjarjeje?
Jo. Në Rusi nuk ka një njeri të vetëm që të dyshojë në vërtetësinë e kësaj date. Ka një fakt që kjo datë festohet më 8 maj në Perëndim, sepse akti i kapitullimit të Gjermanisë naziste u nënshkrua në Berlin më 8 maj në orën 22:45 (sipas orës europiane). Kurse në Rusi, në këtë orë ishte 01:45, d.m.th. 9 maj. Prandaj ata që e shohin ndershmërisht dhe me modesti këtë ngjarje, nuk kanë asnjë kontradiktë me datën e kësaj ngjarjeje. Kontradikta qëndron diku tjetër, në mësimet që u nxorën nga Lufta e Dytë Botërore. Fakti është se, megjithëse kanë kaluar rreth 64 vjet, këto mësime s’e kanë humbur aktualitetin e tyre. Thelbi i diskutimeve qëndron në shtrembërimin e historisë dhe në zvogëlimin e rolit të Rusisë në luftën kundër nazizmit. Për të vërtetuar të kundërtën mjafton të shohim disa shifra: Më 1944, gjatësia e vijës së frontit sovjetik ishte 4 herë më e gjatë se vija e frontit midis gjermanëve dhe aleatëve. Në këtë kohë, në frontin e luftës sovjetike-gjermane luftonin rreth 201 divizione gjermane, kurse në frontin perëndimor, forcave aleate iu kundërvunë në varësi të kohës rreth 2 deri në 21 divizione. Pas hapjes së frontit të dytë, ushtria e aleatëve kishte 1 milion e 500 mijë, ndërsa ushtria gjermane kishte 560.000 ushtarë. Kontributi i Ushtrisë së Kuqe në asgjësimin e armikut ishte i konsiderueshëm. 70% e ushtarëve dhe 75% e të gjithë teknikës së ushtrisë gjermane u asgjësuan nga Ushtria e Kuqe.
Churchill ka shkruar se ushtria sovjetike i nxori zorrët gjermanëve. Kurse Bush ka thënë se pa Rusinë asgjë e tillë nuk do të kishte ndodhur. Ne asnjëherë s’e kemi ndarë fitoren me përqindje. S’e kemi bërë këtë as më 1945 dhe as sot. Ne mendojmë se kjo ishte një fitore e përbashkët e të gjitha forcave të koalicionit antinazist. Asnjeri s’ka të drejtë të nëpërkëmbë humbjet dhe viktimat e popullit rus.
Si i është përgjigjur Qeveria ruse pretendimeve të disa shteteve Balltike, të cilat e konsiderojnë 9 Majin si ditën e kolonizimit të tyre pas-lufte nga Bashkimi Sovjetik, ose siç e quajnë ato “një aneksim i sforcuar i tyre në Bashkimin Sovjetik gjatë luftës”?
Pretendime të tilla s’i përgjigjen realitetit. Ato janë të pabaza. Ato nuk i përgjigjen ndonjë realiteti politik, ekonomik apo ushtarak, sepse pushtim quhet marrja me dhunë, me anë të forcës ushtarake të një territori të një vendi nga një vend tjetër. S’ka pasur asnjëherë gjendje lufte midis Rusisë dhe vendeve të Balltikut. Futja e Bashkimit Sovjetik në këto vende është bërë me miratimin e parlamenteve dhe qeverive respektive të këtyre shteteve. Natyrisht jo të gjithë ishin në një mendje me këtë. Por për të vërtetuar këtë miratim, ekzistojnë dokumentet përkatëse zyrtare. Sa për pretendimin e kolonizimit të këtyre vendeve, edhe kjo bie ndesh me realitetin. Ka edhe një fakt tjetër, pas luftës, vendet Balltike janë zhvilluar më shpejt se republikat e tjera ish-sovjetike dhe niveli i jetesës së tyre ka qenë më i lartë. E gjithë infrastruktura e vendeve Balltike është ndërtuar në sajë të fondeve të qeverisë qendrore, autostradat, hekurudhat, portet. Prandaj këto pretendime nuk i përgjigjen realitetit. Ato bëhen me qëllime të këqija, një prej të cilave është nxjerrja jashtë e popullsisë rusisht-folëse nga këto vende. Por ne jemi të sigurt se historia nuk do të kujtohet e shtrembëruar, jo në formën e filmave primitivë hollivudianë, por me të vërtetën e saj të vështirë dhe që fitorja jonë e përbashkët mbi fashizmin do të vlerësohet drejt nga brezat që do të vijnë.