Pas daljes së rezultateve për provimet me zgjedhje, nis llogaritja e pikëve


Jonida Tashi



Kandidatëve për në universitet, do t’u duhet të presin deri në ditët e fundit të muajit gusht, për të mësuar nëse do të jenë pjesë e auditorëve këtë vit. Burime zyrtare nga Ministria e Arsimit, bëjnë të ditur se këtë vit publikimi i emrave fitues, do të bëhet në 15-ditshin e dytë të gushtit, sipas kuotave të përcaktuara nga universitetet dhe të miratuara nga Këshilli i Ministrave. Por, me rezultatet e dy provimeve me zgjedhje, maturantët do të njihen në fund të muajit korrik. Pas shpalljes së rezultateve për provimet me zgjedhje, do të vijojë procesi i përpunimit të të dhënave përkatëse për të gjithë komponentët e Maturës Shtetërore, duke përfshirë mesataren e shkollës së mesme dhe notat e katër provimeve të Maturës. Kjo procedurë do të bëjë të mundur detajimin e listave me emrat fitues të maturantëve, që do të kenë të drejtë të vijojnë studimet e larta për vitin akademik 2009-2010.

Fituesit

Përllogaritja e pikëve për çdo maturant, sipas sistemit Meritë-Preferencë, do të nisë menjëherë pas përfundimit të vlerësimit të provimeve me zgjedhje. Specialistët e Agjencisë së Pranimeve në Universitete (APRIAL), pas përpunimit të të gjitha të dhënave të grumbulluara për kandidatët maturantë për studime në universitetet publike, do të përcaktojnë fillimisht listën e fituesve të fazës së parë. Në bazë të vendeve të mbetura bosh nga kjo fazë, do të detajohet lista me fituesit e fazës së dytë, sipas rendit zbritës të pikëve dhe kufirit të pranimeve për çdo degë. Nëse sërish do të rezultojnë vende të lira do të hartohet lista e radhës me fituesit e universiteteve, deri sa këta të fundit, të plotësojnë numrin e kuotave të vëna në dispozicion nga qeveria. Një vit më parë, fituesit e universiteteve u përcaktuan në katër faza të njëpasnjëshme, që nisën në fillim të muajit shtator dhe përfunduan në dhjetor. Këtë vit, pritet që kjo procedurë të bëhet pak më herët për t’i paraprirë fillimit të vitit të ri akademik, në mënyrë që studentët e vitit të parë të mos e nisin fakultetin në dhjetor, por pak ditë pas çeljes së studimeve, që përkojnë me muajin tetor. Për përcaktimin e fituesve, ndër kandidatët maturantë konkurrentë, përdoret një program kompjuterik. Ky program rendit të gjithë kërkuesit për secilin program studimi, sipas rendit zbritës të pikëve. Më pas merr në konsideratë preferencat dhe i jep përparësi preferencës më të lartë.

Vlerësimi

Çdo test i plotësuar i një maturanti, ka si element dallues vetëm një barkod. Gjatë hedhjes së pikëve të fituara për çdo pyetje, krijohet një listë ku çdo barkodi i vihen në korrespondencë pikët. Këtë proces e realizon APRIAL-i. Ndërkohë AVA, në bazë të të dhënave që disponon nga mjediset ku janë zhvilluar provimet, krijon një listë ku çdo barkodi i bashkëngjitet emri i maturantit. Të dy këto procese realizohen në mënyrë të pavarur nga këto dy institucione. Procesi i hedhjes së të dhënave përfundon kur nuk ka mbetur qoftë dhe një test i paverifikuar, janë eliminuar të gjitha gabimet e mundshme dhe të dy institucionet kanë materialet përkatëse të përfunduara. Në bazë të të dhënave të rezultateve në pikë, ministri i Arsimit vendos kufirin e kalueshmërisë, atë që e quhet “Cutoff”. Pas kësaj, pikët konvertohen në nota të shkallëzuara me dy shifra pas presjes dhjetore. Një komision i posaçëm i MASH-it, realizon bashkimin e emrave të maturantëve me notën përkatëse, proces që fiksohet në 6 CD. Kjo metodologji përdoret për të katër provimet që japin maturantët dhe në përfundim secili maturant në bazën e të dhënave ka katër rezultatet e tij. Për të marrë kërkesat e maturantëve për programet e studimit që ata duan të ndjekin, përgatitet një formular i posaçëm (A2), ku shpallen të gjithë programet e studimit që ofrojnë universitetet shqiptare. Po në këtë formular merret dhe nota mesatare e maturantit. Kjo përbën elementin e pestë të meritës, i domosdoshëm në formulën llogaritëse të pikëve të maturantit. Kërkesat e maturantëve për programe studimi janë 10, të renditura sipas preferencave të tyre, të cilat merren parasysh në klasifikimin përfundimtar. Me marrjen dhe hedhjen e këtyre kërkesave, në bazën e të dhënave janë të gjithë elementët e nevojshëm për llogaritjen e pikëve të secilit maturant.

Regjistrimi

Regjistrimi i studentëve do të kryhet, si një vit më parë, në dy faza kryesore: regjistrimi paraprak dhe regjistrimi përfundimtar. Pasi shpallet lista e fituesve me renditjen fillestare të të gjithë kandidatëve në programet e studimit (degët) përkatëse, bëhet regjistrimi paraprak pranë sekretarive të universiteteve. Regjistrimi paraprak është i detyrueshëm brenda afatit kohor të përcaktuar nga MASH-i dhe nëse nuk kryhet, maturanti humbet të drejtën për të vazhduar më tej. Pas regjistrimit paraprak, hiqen nga lista të gjithë kandidatët që nuk do të figurojnë të regjistruar për arsye të ndryshme dhe shpallet lista e re me fituesit përfundimtarë. Ata kandidatë, që në listën për regjistrimin përfundimtar do të jenë fitues në një program studimi tjetër nga ai i regjistrimit paraprak, duhet detyrimisht të ç’regjistrohen dhe të regjistrohen në programin e studimit ku kanë dalë fitues sipas listës përfundimtare. Nëse maturantët nuk bëjnë regjistrimin përfundimtar, humbasin të drejtën për të vazhduar shkollën e lartë. Në të dyja rastet njoftimin se në cilën preferencë apo program studimi ka dalë fitues, maturanti e merr në shkollën e tij të mesme.









Pse regjistrimet në universitete bëhen me dy faza



Shumë maturantë të regjistruar në universitetet publike, të shpallur fitues gjatë fazës paraprake, vendosin të konkurrojnë për studime jashtë vendit dhe largohen. Kandidatë të tjerë të regjistruar po në universitetet publike të vendit vendosin të ndjekin studime në universitete private. Kandidatë të tjerë nuk dëshirojnë më të vazhdojnë studimet e larta. Të gjithë këta kandidatë lënë kuota vakante (vende bosh) të cilat plotësohen nga kandidatë të tjerë. Pikërisht për të marrë këtë informacion dhe për të evituar bllokimin e kuotave kërkohet regjistrimi paraprak. Pas marrjes së këtij informacioni hiqen nga lista të gjithë kandidatët që nuk do të figurojnë të regjistruar paraprakisht brenda afatit kohor të përcaktuar.



Çfarë ndodh në regjistrimin përfundimtar



Vitin e kaluar, lista e kandidatëve fitues të regjistrimit përfundimtar tregoi se: Të gjithë kandidatët që kishin fituar në preferencën e tyre të parë, mbeten po aty fitues. Pra, sipas parimit Meritë-Preferencë, asnjë kandidat nuk zbret në preferencë; Shumica e fituesve në preferenca të tjera, mbetën fitues në po ato preferenca ku ishin shpallur fitues në regjistrimin paraprak; Një pjesë e fituesve, në sajë të vendeve bosh nga mosregjistrimi në fazën e parë, u ngjitën në preferencë. Për shembull, nëse në regjistrimin paraprak ishin shpallur fitues në degën e shtatë, u ngjitën në preferencën e gjashtë apo të pestë. Madje, një vit më parë pati nga ata kandidatë që nuk ishin shpallur fitues në regjistrimin paraprak dhe u shpallën fitues në regjistrimin përfundimtar, falë vendeve bosh të lëna nga regjistrimi paraprak.







Si bëhen pranimet sipas sistemit Meritë-Preferencë

U bënë tashmë tre vjet që në sistemin e pranimeve në universitetet publike, Ministria e Arsimit ka marrë përsipër të zbatojë parimin Meritë–Preferencë dhe të përcaktojë fituesit për çdo program studimi. I gjithë ky proces realizohet duke angazhuar dy institucionet e vartësisë: Agjencinë Qendrore të Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA) dhe Agjencinë Kombëtare të Pranimeve në Institucionet e Arsimit të Lartë (APRIAL). Këto dy institucione kanë një lidhje të ngushtë pune dhe njëkohësisht pavarësi detyrash, të cilat në përfundim sigurojnë sekretim, transparencë dhe saktësi gjatë të gjithë hapave të procesit tashmë të njohur me emërtimin Matura Shtetërore. Procesi Matura Shtetërore në vetvete përmban dy faza: Përfundimi i arsimit të mesëm nga nxënësit, i cili konfirmohet nga dy provime të detyruara, të organizuara nga shteti; Konfirmimi si fitues i maturantit në bazë të rezultateve të shkollës së mesme, rezultateve të provimeve me zgjedhje (të organizuara nga shteti) dhe sipas kërkesës së bërë prej tij. AVA organizon dhe realizon të gjithë procesin e provimeve të detyruara dhe me zgjedhje: Përgatit listat e pjesëmarrësve në këto provime, jo vetëm të vitit aktual shkollor, por dhe të viteve të mëparshme; Përgatit testet për të katër provimet, dy të detyruara dhe dy me zgjedhje; Organizon punën për realizimin e provimeve në të gjithë territorin e Republikës; Organizon punën për korrigjimin dhe vlerësimin e provimeve; Mban bazën e të dhënave të këtyre rezultateve. APRIAL-i organizon dhe realizon procesin e pranimeve në universitete: Hedh të dhënat e rezultateve të provimeve; Përgatit bazën e të dhënave me të gjitha rezultatet e maturantëve (Merita) dhe kërkesave të tyre për programet e studimit të ofruar (Preferenca); Përpunon të dhënat dhe paraqet rezultate me transparencë për të gjithë të interesuarit; Përcakton fituesit sipas fazave të kërkuara nga MASH-i.





14 Korrik 2009