Në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit nisi sot regjistrimi i studentëve që kanë fituar kuotat vakante, në fazën e tretë të pranimeve në këtë institucion. Sipas të dhënave të Drejtorisë rajonale të Arsimit, në rrethin e Elbasanit aplikuan për formularin A3, 134 kandidatë dhe nga këta fituan të drejtën e studimeve të larta 73 kandidatë. Të njëjtat burime saktësojnë se pjesa më e madhe e tyre kanë fituar të drejtën për të studjuar në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” ndërsa 14, në universitete të tjera, kryesisht në Tiranë. Specialisti i informacionit dhe statistikës në Drejtorinë rajonale të Arsimit, Roland Baxhaku, tha se parashikohej që numuri i kandidatëve të cilët do të aplikonin në formularin A3 në Qarkun e Elbasanit, do të ishte 350, por një pjesë e tyre u regjistruan në universitete private brenda dhe jashtë vendit. Nga 2 050 që është numri i parashikuar i studentëve që do të ndjekin vitin akademik 2008–2009 në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”, 1 613 kanë nisur studimet, ndërsa 437 vende deri tani kanë qenë vakante. ...