Pas shumë viteve punë, dalin nga shtypi dy vëllimet e botimit të ri të Fjalorit Enciklopedik Shqiptar. Vëllimi III, që do të përmbyllë këtë ndërmarrje për kulturën kombëtare, është në proces dhe do të jetë gati në vjeshtë. Kjo nuk e ka penguar Akademinë e Shkencave, Qendrën e Enciklopedisë Shqiptare, si edhe hartuesit e shumtë të këtij botimi, t‘i kushtojnë sot në mesditë në ambientet e Akademisë së Shkencave një ceremoni përurimi dy vëllimeve të para. Hartuesit me kohë e kanë cilësuar një botim të ri, në cilësi, përmbajtje dhe trajtim. Kjo duke iu referuar të parit Fjalor Enciklopedik, atij të ‘85-ës. "Në fillim të punës, rreth 9 vjet më parë, u mendua për një botim të dytë të Fjalorit Enciklopedik Shqiptar, të botuar në vitin 1985, duke e zhveshur nga elementet ideologjike e politike të asaj kohe dhe duke bërë disa përditësime të nevojshme. Puna konkrete tregoi se në rrethanat e reja të vendit tonë, si dhe me gjendjen e krijuar në Kosovë pas çlirimit të saj (qershor 1999) dhe me përparimet në statusin e popullsisë "Fjalori Enciklopedik Shqiptar" (FESh) do të dilte një vepër e re si nga vëllimi, ashtu edhe nga trajtimi i zërave. FESh pasqyron realitete të reja të Republikës së Shqipërisë dhe të gjithë hapësirës shqiptare e të botës shqiptare në tërësi", shprehet dr. inxh. Vilma Proko (Jazexhiu), sekretare shkencore e Qendrës së Enciklopedisë Shqiptare, njëkohësisht një nga redaktoret shkencore të Fjalorit. Botimi i ri vjen me rreth 7200 zëra (5000 ka pasur fjalori i parë), nga të cilët rreth 2340 janë zëra personalitete të fushave të ndryshme, përfshirë këtu edhe të huaj që kanë pasur marrëdhënie të drejtpërdrejta me Shqipërinë. Për këta zëra kanë punuar mbi 1100 hartues dhe 21 redaksi shkencore. Në zërat e kësaj vepre pasqyrohen institucionet politike, ekonomike, shoqërore, arsimore, shkencore, artistike, fetare të popullit shqiptar e të paraardhësve të tij ilirë, roli i tyre në histori dhe marrëdhëniet me qytetërimet e lashta e të mëvonshme deri në ditët tona, por edhe një sërë zhvillimesh që lidhen me shkenca të caktuara. Ndërsa vetiu, në kushtet e reja, kur botimet nuk bëhen me porosi nga lart, të vjen pyetja se cilat kanë qenë kriteret e përfshirjes apo përjashtimit nga ky botim. Për sa u takon personaliteteve, ku ka hapësirë për diskutime, Proko shprehet se kontributi që ata kanë dhënë për shoqërinë shqiptare ka qenë përcaktues. Në këtë pikëpamje është rishikuar periudha e diktaturës dhe personazhet aktive të saj. "Janë hequr disa nga emrat e anëtarëve të Byrosë Politike, të cilët në vëllimin e parë ishin përmendur vetëm për pozicionet që mbanin asokohe e po ashtu janë përfshirë figura të tjera që regjimi i kishte anatemuar. Janë hequr Lenka Çuko, Qirjako Mihali, Themie Thomai dhe janë përfshirë emra të tillë si Koço Theodhosi, Todi Lubonja, Fadil Paçrami etj.", thekson sekretarja shkencore. Ndërsa për sa i përket mënyrës së pasqyrimit, Proko sqaron se "Fjalori enciklopedik nuk bën analiza të ngjarjeve e të personaliteteve, por jep vetëm faktologji. Janë pasqyruar ngjarje të caktuara, duke dhënë kohën e ndodhjes së tyre, por pa bërë komente". Po ashtu është "pastruar" gjuha nga ngjyrimet ideologjike. Shembulli më i mirë krahasues do të ishte paraqitja e figurës së Enver Hoxhës. Nëse në variantin e ‘85-ës, ku i janë kushtuar plot pesë faqe të Fjalorit (381-385), thuhet: Enver Hoxha (16.10.1908-11.4.1985). Udhëheqës i madh e i lavdishëm i PPSh, i RPS të Shqipërisë dhe i popullit shqiptar, revolucionar e marksist-leninist i shquar, që mbrojti me besnikëri dhe zhvilloi mësimet e Marksit, Engelsit, Leninit e Stalinit; themeluesi dhe organizatori i Partisë Komuniste të Shqipërisë... Në botimin e ri, ku hapësira që i është kushtuar nuk i arrin dy faqe të plota, bëhet një përcaktim i tillë: Enver Hoxha (1908-1985). Udhëheqës i Partisë Komuniste e më pas i Partisë së Punës së Shqipërisë. Udhëhoqi Luftën ANÇ dhe drejtoi shtetin shqiptar pas luftës. Lindi më 16.10.1908 në Gjirokastër, ku ndoqi shkollën qytetëse dhe klasat e ulëta të liceut... Për sa u përket personaliteteve Proko sqaron se informacionet e pasqyruara në Fjalor janë përfshirë deri në vitin 2008 dhe ndodh që për ndonjë nga emrat që ka vdekur së shpejti, të mos jetë shënuar data e vdekjes. Pjesë e këtij Fjalori janë bërë edhe personalitete politike të viteve të tranzicionit shqiptar si, Sali Berisha apo Ilir Meta e të tjerë janë lënë jashtë. Nuk janë përfshirë as ngjarje të rëndësishme të ndodhura pas ‘90-ës, siç është viti 1997. "Këto janë momente që ende nuk janë sqaruar nga historia dhe ndoshta do t‘u takojnë botimeve që do të përgatiten në të ardhmen", shpjegohet Proko për këto përjashtime. Ndërkohë, ky botim i ri është cilësuar si një botim



gjithëpërfshirës i trevave shqiptare. "Fjalori përfaqëson një vepër shkencore sintetike e përgjithësuese, që pasqyron botën shqiptare në tërësinë e saj që nga lashtësia deri në ditët tona, historinë e kombit shqiptar në tërësi dhe të trevave të tij etnike. Vend të gjerë zë pasqyrimi i gjithanshëm i jetës së shtetit shqiptar, që nga themelimi i tij më 28 Nëntor 1912, si dhe pasqyrimi i historisë së Kosovës. Po ashtu në FESh kanë gjetur pasqyrim historia dhe jeta e popullsisë shqiptare në Maqedoni e në Malin e Zi, ana gjeografike-natyrore e trojeve të saj të banimit, zhvillimet dhe arritjet e reja politike, ekonomike, arsimore e kulturore. Arbëreshët e Italisë e të Greqisë dhe në përgjithësi diaspora shqiptare, e vjetra dhe e reja, veprimtaria e institucioneve dhe e figurave të njohura të saj, janë vështruar si pjesë përbërëse e pandashme e botës shqiptare dhe kanë gjetur pasqyrimin e duhur në FESh", shënojnë hartuesit. Janë një varg emrash të njohur në fushat përkatëse që janë kujdesur për këtë botim, i cili ka pasur një këshill botues dhe prof. Emil Lafen në pozicionin e kryeredaktorit. Vëllimet janë të pajisura edhe me materiale ilustruese. Përmban rreth 2000 ilustrime bardhë e zi, si dhe një numër hartash e skicash. Çdo vëllim përmban nga një fashikull me ngjyra; disa personalitete të rëndësishme si Nënë Tereza, Gjergj Kastriot Skënderbeu, Ismail Qemal Vlora, flamuri dhe stema e Republikës së Shqipërisë dhe e Republikës së Kosovës, harta fiziko-politike dhe harta e ndarjes administrative, përkatësisht të Shqipërisë dhe Kosovës etj., janë ilustruar me ngjyra. Por sigurisht që ky botim nuk mbetet një variant përfundimtar. Vetë hartuesit pranojnë se Fjalori do të pasurohet në botimet e ardhshme enciklopedike. Ndërkohë, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, sipas një marrëveshje me Akademinë e Shkencave e të Arteve të Kosovës, kanë hartuar platformën e përbashkët për hartimin e një "Enciklopedie Shqiptare" në disa vëllime, si vepër me karakter më të gjerë jo vetëm për nga numri i zërave, por edhe për nga trajtimi i tyre. "Kjo është vepra e parë enciklopedike mbarëkombëtare që përfaqëson një unitet gjeografik, historik, gjuhësor, kulturor e shkencor, që do u shërbejë të gjithë lexuesve anekënd Shqipërisë dhe jashtë saj", përfundon Proko.