Rreth pesë akte normative dhe një numër vendimesh të Këshillit të Ministrave nuk janë botuar në Fletoren Zyrtare, duke vënë në dyshim legjitimitetin e tyre. Ky është rezultati i një monitorimi të bërë për vitet 2006, 2007 dhe 2008 nga Qendra për Çështje të Informimit Publik. Kreu i kësaj qendre, Gerti Shella, deklaroi dje se "nga verifikimi i ndërmarrë në kuadër të këtij projekti, në mënyrë të përmbledhur rezulton se gjatë tre viteve 2006, 2007 dhe 2008 nuk janë botuar në Fletore Zyrtare të paktën 8 akte

normative (me fuqinë e ligjit) të miratuara nga Këshilli i Ministrave, konkretisht: Akti Normativ i Këshillit të Ministrave nr. 1, miratuar në vitin 2006, akti normativ i Këshillit të Ministrave nr. 3, miratuar në vitin 2008, akti normativ i Këshillit të Ministrave nr. 4, miratuar në vitin 2008, akti normativ i Këshillit të Ministrave nr. 5, miratuar në vitin 2008 dhe akti normativ i Këshillit të Ministrave nr. 6, miratuar në vitin 2008. Gjithashtu, në Fletoren Zyrtare, sipas monitorimit të kryer nuk janë botuar edhe një numër i rëndësishëm Vendimesh të Këshillit të Ministrave (VKM). Nga verifikimi i ndërmarrë në kuadër të këtij projekti, në mënyrë të përmbledhur rezulton se

gjatë tre viteve 2006, 2007 dhe 2008 nuk janë botuar në Fletoren Zyrtare të paktën 465 Vendime të Këshillit të Ministrave, konkretisht: më e pakta 109 VKM (tab nr. 1), të miratuara në vitin 2006, më e pakta 85 VKM (tab nr. 2) të miratuara në vitin 2007, më e pakta 270 VKM (tab nr. 3) të miratuara në vitin 2008. Që të gjitha këto 465 VKM të pabotuara janë identifikuar si titull dhe si përmbajtje. Brenda këtij totali prej 465 VKM të pabotuara rreth 167 kanë impakt financiar,

rreth 189 janë për pasuri të paluajtshme që i kalojnë në pronësi pushtetit vendor, rreth 3 kanë si objekt të tyre investime dhe/apo projekte publike në infrastrukturë rrugore. Nga totali prej 465 VKM, që nuk janë botuar në Fletore Zyrtare, në 107 prej tyre dispozita e tyre e fundit përcakton se vendimi: "Hyn në fuqi menjëherë dhe botohen në Fletoren Zyrtare". Ky është edhe përcaktimi korrekt që parashikon Ligji Nr. 9000, datë 30.1.2003 "Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave". Mbetet e hapur për diskutim nëse duhen konsideruar korrekte juridikisht efektet që mund të kenë prodhuar këto VKM, sa kohë që edhe vetë Këshilli i Ministrave ka përcaktuar në mënyrë eksplicite mënyrën e hyrjes së tyre në fuqi, duke përfshirë botimin në Fletore Zyrtare. Kurse, dispozita e fundit tek diferenca prej 357 VKM është thjesht: "Hyn në fuqi menjëherë". Në një vështrim më të thelluar vihet re një trend: janë përgjithësisht VKM që kanë si dispozitë të fundit "Hyn në fuqi menjëherë" ato të cilat më shpesh mungojnë në Fletore Zyrtare.

Y.P.