Ndërsa çmimet e energjisë nëpër botë vazhdojnë të rriten,
shumë pronarë shtëpish në Shtetet e Bashkuara po shprehin gjithnjë e më tepër
interes për format e ripërtëritshme të energjisë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Xhef Suajkord na njeh me një
fermer kuajsh në veri të Uashingtonit, i cili mendon se turbinat e erës janë
përgjigja e duhur për problemet me energjinë.

Dr. Karlos Fernandez rrit kuaj të rrallë të racës Paso
Fino nga Puerto Riko në fermën e tij në
veri të Uashingtonit.

Dr. Fernandez mban 20 kuaj në dy hambarë, ka dy shtëpi si
dhe disa struktura të tjera brenda pronës së tij. Të gjitha këto punojnë me
energji elektrike.

Vitet e fundit, Dr. Fernandez po punon që ferma e tij e
kuajve të marrë energji vetëm nëpërmjet fuqisë së erës.

"Rritja e çmimeve të karburantit ka ndryshuar jetën.
Besoj se do të fitonim më shumë pavarësi nëse do ta prodhonim vetë
energjisë."

Doktor Fernandez ka katër mulli ere në pronën e tij. Dy
nga ato janë dizenjo moderne të krijuara posaçërisht për prodhimin e energjisë
elektrike në shkallë të vogël. Dy dizenjot e tjera ishin projektuar për të
thithur ujin nga puse të thella.

"Kjo dizenjo u prodhua në vitin 1905.
E gjeta rastësisht atë gjatë një ankandi. E mora me vete dhe fillova ta
shndërroj në një prodhues energjie."

Sipas Organizatës Amerikane për Energjinë e Erës, interesi
për teknologjitë e erës me fuqi të ulët është rritur. Organizata thotë se 10
mijë turbina u shitën në Shtetet e Bashkuara vitin e kaluar. Ajo shpreson që
vitin e ardhshëm numri i turbinave të rritet me 20 për qind. Zoti Ron Stimel
mbështet energjinë që prodhohet nga era me fuqi të ulët.

"Interesi për këto forma energjie
është rritur ndjeshëm. Njerëzit janë të interesuar për të ardhmen e energjisë
në shtëpitë e tyre, që të jenë të pavarur nga energjia dhe të japin kontributin
e tyre për të mbajtur të pastër ambjentin.”

Dr. Fernandez punon edhe si tregtar. Konsumatorët
gjithashtu mund të zgjedhin nga qindra modele në treg, të cilat variojnë nga 14
deri në 60 mijë dollarë.

Sipas
studimeve, një shtëpi mesatare amerikane harxhon rreth një mijë kilovatë
elektricitet në muaj. Këto modele mund të prodhojnë nga 400 deri një mijë
kilovat në muaj në varësi të erës.

"Problemi më i madh me energjinë e
erës është pozicioni i kullës. Sigurisht pemët duhet të jenë vendosur larg
mullinjve.”

Dr. Fernandez thotë se ai nuk ka fituar pavarësi të plotë
përsa i përket energjisë. Por pasi instaloi turbinat e erës, sasia e energjisë
që ai duhet të merrte nga kompania lokale u ul nga 5 mijë e 400 kilovatë në
muaj në 2 mijë kilovatë.

Doktor Fernandez thotë
se herët a vonë ai do të prodhojë më shumë sesa harxhon. Kështu duhet të gjej
mënyrën për të marrë maksimumin nga çdo turbinë, thotë ai. E rëndësishme është
që të arrihet pavarësia e energjisë. //bsa//