SHKRUAN: Jonida Tashi 20-07-2011 10:47

Preferencat e maturantëve për shkollën e lartë nuk duhet të jenë vetëm dëshira për të vijuar studimet në degën e pëlqyer, por edhe llogari se në cilin nga programet e preferuara mund të fitoni. Kështu, ndërsa maturantët i ndajnë vetëm pak ditë nga marrja në dorë e Formularit A2, ku ata do të rendisin 10 preferencat për shkollën e lartë, Ministria e Arsimit publikon rregullat e përgjithshme dhe shpjegimet e veçanta, jo vetëm për plotësimin e formularit, por edhe për të bërë një përzgjedhje të duhur të degëve. Nëpërmjet një udhëzimi të posaçëm për këtë procedurë, që mban firmën e kreut të Drejtorisë së Pranimeve në Agjencinë Kombëtare të Provimeve, Arben Fagu, detajohen të gjitha procedurat që duhet të ndjekin maturantët për të plotësuar saktë Formularin A2, por edhe për të kuptuar se si duhet të listohen degët e preferuara prej tyre për shkollën e lartë, për rrjedhojë edhe sesi do të bëhet shpallja e fituesve. Lista e programeve të studimit të ciklit të parë me kohë të plotë në vitin akademik 2011-2012 zë pjesën më të madhe të Formularit A2. Maturantët duhet ta lexojnë me shumë kujdes këtë listë, për të gjetur programet e studimit që preferojnë. Për secilin universitet publik të Shqipërisë janë renditur të gjitha programet e studimit. Përpara secilit prej programeve të studimit ka një numër me 3 shifra, që përfaqëson kodin e atij programi studimi si dhe një kuadrat bosh majtas tij. Duke ndjekur me kujdes listën e programeve të studimit, së pari ndaloni në universitetin ku dëshironi të ndiqni studimet. Lexoni me kujdes programet e studimit të atij universiteti dhe për një program studimi që preferoni mbani shënim kodin e programit të studimit dhe emërtimin e tij, për shembull në Universitetin e Tiranës: 011 Kimi Ushqimore. Po brenda të njëjtit universitet mbani shënim kodin dhe emërtimin e programeve të studimeve të tjera të preferuara, për shembull: 026 Punë Sociale, e kështu me radhë. Mund të mbani shënim kodin dhe emërtimin e programeve të studimit që preferoni në cilindo universitet publik, për shembull: në Universitetin Politeknik të Tiranës 072 Inxhinieri Mjedisi. Këto informacione janë të nevojshme për të gjithë ata kandidatë maturantë që preferojnë këto programe studimi, sepse secili përzgjedhjen e bën sipas preferencave dhe përllogaritjeve të tij. Gjatë plotësimit të Formularit A2 shikoni me kujdes secilin program studimi, sepse për universitete të ndryshme për disa nga programet e studimit shënohen në kllapa filialet e qyteteve në të cilat këto programe studimi zhvillohen, si edhe kohëzgjatja e studimeve për programe të caktuara. “Gjatë plotësimit të Formularit A2 keni të drejtë të përzgjidhni deri në 10 programe studimi të preferuara të renditura sipas preferencës suaj. Këto 10 ose më pak programe studimi përzgjidhen sipas procedurës së më poshtme. Vëmë në dukje se plotësimi i të gjitha preferencave nuk është i domosdoshëm (pra maturanti, nëse dëshiron, mund të plotësojë më pak se 10 preferenca). Kujdes! Në përcaktimin e preferencave tuaja, secili program studimi i përzgjedhur duhet të jetë i parapëlqyeshëm, por dhe i mundshëm për t’u ndjekur nga ana juaj”, - shpjegohet në udhëzim.


Preferencat


Para se të plotësoni preferencat, konsultohuni me familjen, diskutoni me të afërmit dhe nga lista që formuat me shënimet që mbajtët më sipër, formoni një listë ku programet e studimit i rendisni sipas prioritetit të preferencave. I pari duhet të jetë programi i studimit që preferoni më shumë, i dyti ai që preferoni nëse nuk do të fitoni në preferencën e parë e kështu me radhë. Preferenca më e lartë është preferenca 1. Kjo gjë duhet bërë për shkak se, mbi bazë të preferencave dhe renditjes së tyre, do të shpallen fituesit për secilin program studimi. Kontrollohet preferenca 1, nëse aty jeni fitues, aty shpalleni si i tillë dhe mund të regjistroheni në degën përkatëse. Nëse nuk jeni fitues në preferencën 1, kontrollohet preferenca 2 e kështu me radhë deri në preferencën e fundit. Shpalleni fitues në preferencën më të lartë në të cilën keni grumbulluar pikët e nevojshme (kjo preferencë mund të jetë sipas rastit preferenca e parë, e dytë, e tretë e kështu me radhë). Fitues jeni vetëm në një program studimi, në atë të preferencës më të lartë edhe sikur të keni pikët e mjaftueshme dhe me renditje të kënaqshme për preferenca të tjera. “Procesi i përllogaritjeve nga Agjencia Kombëtare e Pranimeve është plotësisht transparent. Për çdo program studimi do të shpallet lista e kandidatëve të renditur sipas pikëve të fituara. Në këtë listë evidentohen dhe fituesit. Një kandidat mund ta shohë veten brenda listës së fituesve, në disa programe studimi, por ai do të jetë fitues vetëm në atë program studimi që i takon preferencës së tij më të lartë në këtë grup preferencash”, - sqarohet më tej në udhëzim. Në fund, specialistët e arsimit këshillojnë që, pasi të keni vendosur renditjen e programeve të studimit sipas preferencave, nga 1 në 10, vetëm atëherë jeni të gatshëm për të plotësuar Formularin A2.



Pasi të keni vendosur renditjen e programeve të studimit sipas preferencave, nga 1 në 10, vetëm atëherë jeni të gatshëm për të plotësuar Formularin A2




Zgjedhja e preferencave nga 1 te 10


Specialistët e arsimit japin shembuj konkretë që tregojnë si duhet të plotësohen kutitë e preferencave



Dhjetë kërkesat e studimit të shprehura nga maturantët në Formularin A2 përkthehen vetëm në një e drejtë për të vijuar shkollën e lartë. Ky është thelbi i pranimeve sipas sistemit Meritë-Preferencë, në universitetet publike të vendit. Ndaj, nevojitet një kujdes i madh për zgjedhjen e preferencave, për këtë ndiqni këshillat e specialistëve të MASH. Në të djathtë lart të Formularit A2,ndodhen 10 treshe kuadratesh me numrat rendorë përkatës (në të majtë) nga 1 deri në 10. Këta numra rendorë përfaqësojnë numrin e preferencës. Gjatë plotësimit të këtyre kuadrateve duhet shumë kujdes, sepse operatorët këto të dhëna fusin në sistemin informatik. Siç shihet, për secilën preferencë ka 3 (tri) kuti. Në çdo kuti shënohet një shifër e qartë dhe pa korrigjime. Numri i formuar, përfaqëson kodin e programit të studimit që keni zgjedhur për atë preferencë. Për shembull, në kutinë me nr.1 është shkruar shifra 013. Kjo do të thotë që programi i studimit me preferencë të parë (më të lartën) është Inxhinieri Matematike dhe Informatike në Universitetin e Tiranës. Pasi plotësohen kutitë e të dhjetë preferencave me shifra, do të plotësojmë kutitë para emërtimeve të programeve të studimit me shifrën përkatëse të preferencës. Shifra duhet të jetë e shkruar qartë dhe me stilolaps me ngjyrë të zezë.


Nëse në preferencën 1 (në krah të nr.1) kemi shkruar 013, do të shkojmë në listën e programeve të studimit dhe do të gjejmë programin e studimit me kod 013. Në kutizën para këtij programi studimi do të shënojmë numrin 1. Pra, në listën e programeve të studimit, numri në kutinë përpara tregon renditjen e preferencës dhe në tabelën e preferencave (lart dhe djathtas) pasqyrohen kodet e programeve të studimit sipas renditjes preferenciale. Përputhja midis tyre duhet të jetë e plotë. Në listën e programeve të studimit nuk mund të ketë më shumë se dhjetë kuti të plotësuara me shifrat nga 1 deri në 10. Kuptohet që të gjitha kutitë e tjera do të jenë bosh. Vazhdojmë me preferencat e tjera. Në figurë jepet shembulli i mbushjes së preferencave 1, 2 dhe 3, që janë përkatësisht 013 –Inxhinieri Matematike dhe Informatike në Universitetin e Tiranës; 003 –Gjuhë Letërsi në Universitetin e Tiranës, 001 –Histori në Universitetin e Tiranës, e kështu me radhë mbushen dhjetë ose më pak preferencat tuaja. Është e detyrueshme që të mbushen të 10 kutitë e preferencave, ndryshe formulari quhet i pavlefshëm. Në rastet kur keni zgjedhur më pak se 10 programe studimi të preferuara, kutitë e tjera të tabelës së preferencave (lart dhe djathtas) mbushen detyrimisht me shifrën 000. Rekomandojmë të mos humbni mundësi, zgjidhni dhjetë programe studimi. Kujdes, maturantët kandidatë që parapëlqejnë më shumë programet e studimeve që parashikojnë konkurs si Arte, Sporte, Arkitekturë, FASTIP etj. dhe vendosin t’u nënshtrohen konkurseve përkatëse të pranimit, në preferencat e tyre këto programe duhet t’i rreshtojnë në krye të listës, se përndryshe rrezikojnë të humbasin shansin e tyre për t’u shpallur fitues në këto degë.