MINISTRIA-E-ARSIMITTiranë- Ministria e Arsimit ka bërë publike për të gjithë maturantët udhëzuesin teknik për plotësimin e Formularit A2 online. Sipas asaj që thuhet në udhëzim, përcaktimi i fituesve në institucionet shtetërore të arsimit të lartë bëhet sipas parimit të meritës që përcaktohet sipas pikëve të grumbulluara në bazë të rezultateve të shkollës së mesme, të provimeve të Maturës Shtetërore (të detyruara dhe me zgjedhje).


Ndërsa për programe studimi të caktuara, të cilat u nënshtrohen konkurseve, rezultatet e tyre. Përveç këtyre merren në konsideratë dhe plotësimi të kritereve të veçanta, të vendosura nga institucionet e arsimit të lartë dhe të miratuara nga MASH.


Parimi i preferencës përcaktohet nga vullneti i kandidatëve, i shprehur nëpërmjet jo më shumë se 10 preferencave të zgjedhura prej tyre. MASH thekson se ndodh shpesh që maturanti kandidat të mos e arrijë nivelin e fituesit në disa programe studimi të përzgjedhura prej tij, por theksojmë se ai shpallet fitues në preferencën më të lartë (të sipërme) të këtij grupi.


Kjo është arsyeja që në plotësimin e formularit A2 është shumë e rëndësishme jo vetëm përzgjedhja e programeve të studimit (preferencat), por dhe renditja e tyre prioritare. Për plotësimin e formularit online do të aplikojë secili maturant që ka kryer pagesën prej 2000 lekësh.


Ata duhet ta kenë dorëzuar në shkollë mandatpagesën përkatëse. Aplikimi pas kësaj faze bëhet nga çdo mjedis ku ka akses interneti, shkollë, zyrë, shtëpi, internet-kafe.


Për të hyrë në portalin e Maturës Shtetërore, adresa që duhet përdorur është si më poshtë: matura.akp.gov.al. Maturanti klikon te butoni APLIKO në pjesën qendrore të dritares dialoguese. Pas veprimit shfaqet dritarja që kërkon të dhënat personale të maturantit. Mes tyre është edhe numri i personal i kartës së identitetit, i cili duhet të plotësohet saktë. Pasi të jenë plotësuar të gjitha, shtypet butoni Identifikohu.


Nëse të dhënat janë të pasakta, do të dalë mesazhi Maturanti nuk përkon me kartën e identitetit, ndaj në këtë pjesë duhet bërë kujdes. Maturantët që nuk kanë bërë pagesën, nuk i kanë të hedhura të dhënat në sistem, ndaj nuk mund të aplikojnë. Sipas MASH, për suksesin e aplikimit me formularin A2 janë të rëndësishme jo vetëm llojet e programeve të studimit të përzgjedhura, por edhe renditja e tyre.


Pas përzgjedhjes të programeve të studimit të preferuara, maturanti/kandidati klikon mbi butonin Dërgoje formularin. Pasi të keni klikuar te ky buton, tek adresa e e-mailit të vendosur në fushën përkatëse do tju dërgohet një mesazh, i cili jep informacion për plotësimin e formularit A2 nga ana juaj, thuhet në udhëzim.


Pas këtij hapi shfaqet një dritare tjetër dialoguese, e cila i jep mundësinë maturantit të bëjë konvertimin e formularit të tij A2 në formatin PDF. Për konvertimin dhe printimin e formularit A2 maturanti duhet të lexojë udhëzimet në fillim të dritares dialoguese.