Ka përfunduar dje plotësimi i formularit A3 në të gjitha shkollat e mesme në vend. Sipas Ministrisë së Arsimit, të gjithë ata që kishin kërkuar formularin, e plotësuan dhe nuk ka pasur probleme gjatë kësaj procedure. Tashmë, do të pritet deri në ditën e premte, kur do të dalin përgjigjet përfundimtare të fituesve të 2857 kuotave të mbetura bosh e të rishpërndara pas fazës së kaluar të regjistrimit.


Plotësimi


Ministria e Arsimit dhe e Shkencës nuk raportoi asnjë problem në shpërndarjen dhe plotësimin e formularit A3 nga shkollat e më pas nga drejtoritë apo zyrat arsimore në të gjitha rrethet e vendit. Në këtë mënyrë, të gjithë ata që aplikuan për të plotësuar formularin A3 apo ata që nuk u shpallën fitues gjatë dy fazave të mëparshme të regjistrimit, arritën të plotësojnë “shansin e tyre të fundit” për t’u përfshirë në universitetet publike.


Burime nga drejtoritë dhe zyrat arsimore bëjnë të ditur se janë disa mijëra aplikime për formularin A3 e si pasojë, në shumë degë kuotat e mbetura janë në raportin një me 20-30 vetë për fituesit dhe jofituesit, porse në degët më të papëlqyera nuk pritet të realizohen as kuotat e vendosura në dispozicion pas rishpërndarjes së kuotave paraprake nga ministri i Arsimit, z. Myqerem Tafaj.


Regjistrimi


“Agjencia e Pranimeve në Institucionet e Arsimit të Lartë (APRIAL) në datën 30.10.2009 do të shpallë listën përfundimtare të kandidatëve fitues të ndarë, sipas programeve të studimit përkatës, të renditur, sipas rendit zbritës të pikëve dhe të preferencës më të lartë të kërkuar prej tyre në formularin A3, në përputhje me kuotat e rishpërndara”, - bën të ditur ministria.


Sipas saj, universitetet prej datës 31 tetor do të shpallin në vende të dukshme, në mjediset e tyre, datat dhe oraret e veprimeve të regjistrimit/çregjistrimit, procedurat përkatëse, listën e dokumenteve të nevojshme për regjistrim, si edhe të dhëna të tjera që i gjykojnë të nevojshme për sigurimin e ecurisë normale të procesit të pranimeve në ciklin e parë të studimeve me kohë të plotë, në institucionet publike të arsimit të lartë.


“Regjistrimi i kandidatëve fitues të kësaj faze do të bëhet pranë sekretarive mësimore të institucioneve publike të arsimit të lartë në datat 1, 2, 3 dhe 4 nëntor 2009, nga ora 08:00 deri në orën 18:00”, - deklaroi ministria.


Regjistrimi i këtyre fituesve do të kryhet duke dorëzuar në universitet dosjen me dëftesën e pjekurisë (ose vërtetim notash kur ajo mungon), dokumentin e identifikimit; 2 fotografi; mandat arkëtimi i tarifës së regjistrimit prej 1.500 lekësh; ndërsa të gjithë ata që dëshirojnë të ndryshojnë degë, duhet të dorëzojnë edhe vërtetimin e çregjistrimit nga programi i mëparshëm i studimit.