Shaban Sulçe



Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive do të shpërndajë formularë të rinj për të gjithë zyrtarët, të cilët përfshihen në ligjin për deklarimin e pasurive. Ky formular i ri do të përmbajë të dhëna shtesë në krahasim me formularët e përdorur deri tani për deklarimin e pasurive. Elementet e reja dhe shtesë të këtij formulari janë deklarimi i pasurisë së të gjithë familjarëve të zyrtarëve (përfshirë edhe fëmijët). Gjithashtu zyrtarëve do t’u kërkohet informacion nëse kanë lidhur marrëdhënie kontraktore me të gjitha njësitë e administratës publike në Republikën e Shqipërisë, si dhe nëse kanë lidhur kontrata me institucionin publik ku ushtrojnë funksionin. Sipas ILDKP-së, një gjë e tillë do të bëhet për të parandaluar dhe shmangur konfliktin e interesave. “Inspektorati i Lartë, duke shfrytëzuar informacionin e nevojshëm në funksion të ushtrimit të hetimit administrativ, do të forcojë më tej mënyrat e evidentimit, parandalimit dhe shmangies së konfliktit të interesave të natyrës absolute, përcaktuar në nenin 21, pika 1, ku parashikohet që zyrtarët e nivelit të lartë dhe personat të lidhur me ta u ndalohet të krijojnë marrëdhënie kontraktore me të gjitha njësitë e administratës publike në Republikën e Shqipërisë. Po ashtu, ILDKP do të jetë në gjendje të rrisë më shumë kapacitetet për evidentimin, parandalimin dhe shmangien e konfliktit të interesave të natyrës relative, përcaktuar në nenin 21, pika 3, ku parashikohet që zyrtarëve të nivelit të mesëm drejtues, nëpunësve të administratës tatimore e doganore dhe personave të lidhur me ta, u ndalohet të lidhin kontrata me institucionin publik ku ushtron funksionin zyrtari”, - thuhet në deklaratën zyrtare të Inspektoratit.



Fëmijët

Në formularët për pasurinë që duhet të plotësojnë zyrtarët këtë vit do të deklarohet edhe pasuria që zotërojnë fëmijët e tyre. Sipas Inspektoratit të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, një gjë e tillë do t’i shërbejë shumë kontrollit të pasurive. “Një nga elementet në këtë dokument të ri është saktësimi i detyrimit për deklarim të interesave private dhe burimin e krijimit të tyre, për fëmijët madhorë jashtë certifikatës familjare të subjekteve të Ligjit nr. 9049, dt. 10.4.2003 ” Një nga Elementët në këtë dokument të ri është saktësimi i detyrimit për deklarim të interesave private dhe burimin e krijimit të tyre, për fëmijët madhorë jashtë certifikatës familjare të subjekteve të Ligjit nr. 9049, dt. 10.4.2003 ”Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë” dhe Ligjit nr. 9367, dt. 7.4.2005 ”Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, detyrim i cili nuk është aplikuar deri tani. Inspektorati i Lartë synon shmangien e regjistrimit në emër të fëmijëve jashtë certifikatës familjare, të pasurive të fituara në mënyrë të dyshimtë nga zyrtari, si edhe shmangien e përfitimit të padrejtë të kësaj kategorie personash të lidhur me zyrtarin, si rrjedhojë e pozicionit publik të subjektit. Nëpërmjet krijimit të një baze të dhënash, Inspektorati i Lartë do të posedojë informacion më të plotë mbi personat e lidhur me zyrtarin, çka do të forcojë më tej mekanizmat e hetimit administrativ për evidentimin dhe shmangien e konfliktit të interesave të vazhdueshme dhe rast pas rasti”, - thuhet në njoftimin e ILDKP-së.



Formulari



Emri Atësia Mbiemri

-Funksioni, Institucioni dhe Adresa

-Data e emërimit në detyrë, Data e dorëzimit të deklaratës

-Përbërja familjare sipas certifikatës së gjendjes civile

-Deklarimi i interesave private, pasuritë e luajtshme pasuritë e paluajtshme (Përshkrimi hollësisht i llojit, sipërfaqes, adresën ku ndodhet, vitin e krijimit, vlera në lekë apo në valutë, çmimin e blerjes, pjesën takuese që zotërohet, burimet e origjinës apo të krijimit të çdo pasurie të luajtshme apo të paluajtshme, likuiditete, të regjistruar ose jo në regjistrat publikë.

-Angazhimi dhe veprimtari private dhe/ose publike dhe të ardhurat e krijuara prej tyre (Përshkrimi hollësisht i çdo lloj angazhimi apo veprimtarie që ka sjellë të ardhura, emërtimi i institucionit, i organizatës apo i aktivitetit nga ku janë siguruar të ardhurat, shuma e të ardhurave të krijuara në lekë apo valutë).

-Detyrimet financiare ndaj personave juridikë dhe fizikë (Përshkrimi hollësisht i qëllimit të detyrimit financiar, shumën totale në lekë apo në valutë, datën e fillimit dhe mbarimit të detyrimit, numri i kontratës dhe interesin bazë, për kreditë bankare shumën totale (principal+interes), kohëzgjatjen (muajin/vitin) dhe këstin mujor.

Të dhënat konfidenciale (në lidhje me pasuri private të paluajtshme dhe/ose të luajtshme, të regjistruara ose jo në regjistrat publikë, detyrimet financiare, burimet e origjinës së pasurive, identitetin e personit juridik ose fizik huadhënës a huamarrës, emërtesën e institucionit publik ose privat me të cilët ka marrëdhënie interesi).

Të dhënat për personat e lidhur, Konfidenciale

Deklaruesi, Bashkëshorti/ja, Babai i deklaruesit, Nëna e deklaruesit, Babai i bashkëshortit





17 Janar 2009