Stina e verës me temperaturat e larta që e shoqërojnë dhe higjiena jo e mirë, shton rrezikun për shfaqjen e gastro-enteriteve virale sezonale. Mjekët tërheqin vëmendjen që çdo rast të trajtohet me kujdes, sepse mund të jenë ngjitëse dhe të krijojnë formën e një epidemie. Gastro-enteriti është inflamacioni i aparatit tretës që përfshin: stomakun, zorrët e holla dhe ato të trasha. Prandaj shpesh kjo konsiderohet si “ftohje stomaku”. Kjo sëmundje mund të shfaqet në çdo periudhë të vitit, por gjatë sezonit të temperaturave të larta merr formën e një epidemie. Arsyeja e numrit të lartë të rasteve shpjegohet me faktin që temperaturat e larta krijojnë terren të përshtatshëm për zhvillimin e mikrobeve që shndërrohen në patogjene për aparatin tretës. Po ashtu mungesa e kushteve higjieno-dietetike krijon terren për shfaqjen e gastro-enteriteve me natyrë joinflamatore. Shkaqet e gastro-enteritit mund të jenë të ndryshme. Kryesisht ato kanë shkaqe virale, bakteriale (E.coli, slamonela, shigella, etj.), parazitare (lambia) dhe ushqimore.

Simptomat

Simptomat përfshijnë diarrenë e ujshme dhe të vjellat. Personi i infektuar mund të ketë dhimbje koke, ethe, krampe abdominale (dhimbje barku), të lokalizuara më tepër në pjesën e poshtme të barkut. Në rastet e gastro-enteriteve me natyrë virale si shenjë sëmundjeje, përveç atyre që përmendëm më lart, bashkëngjitet dhe temperatura që në disa raste mund të jetë e lartë. Gastro-enteriti viral i sezonit është ngjitës. Viruset që e shkaktojnë atë përhapen nëpërmjet kontaktit me persona të infektuar. Njerëzit mund të infektohen nëpërmjet ushqimeve dhe pijeve ose ujit të kontaminuar. Ushqimet mund të kontaminohen nga vetë personat me gastro-enterit viral, sidomos kur nuk respektohet një higjienë e rregullt personale. Po ashtu, uji i pijshëm, që bëhet burim përhapje të viruseve. Gjithashtu, nëse nuk respektohen kushtet higjieno-dietetike dhe ushqimi mund të shndërrohet në këtë mënyrë burim i gastro-enteriteve. Nuk ka grupmosha më të riskuara, çdokush mund të infektohet, por disa viruse prekin një grup specifik moshe. Megjithatë fëmijët, të moshuarit dhe personat që kanë një sistem imunitar të dobët sigurisht janë “viktimat” e para të gastro-enteriteve.

Pasojat

Problemi kryesor që shkakton gastro-enteritet lidhet me humbjen e lëngjeve të organizmit, të cilat duhen zëvendësuar nëpërmjet solucioneve fiziologjike. Dehidrimi mund të jetë i gradave nga më të lehta deri tek ato më të rënda. Kuptohet që format e rënda shkaktojnë ndërlikime serioze, që mund të shkojnë deri në anemi, apo te personat e moshuar probleme kardiake si pasojë e humbjes së natriumit dhe kaliumit. Këto kripëra janë mjaft të rëndësishme për shëndetin e zemrës.

Trajtimi

Hapi i parë në trajtimin e gastro-enteritive virale është parandalimi i humbjeve serioze të lëngjeve (dehidrimi). Ky trajtim mund të fillojë që në shtëpi. Në këto raste rekomandohet marrja e solucioneve dehidruese në formën e trisolit. Një paketë tretet në ½ litër ujë të pastër. Ndërsa përsa i përket trajtimit me medikamente, rekomandohet që të nisin pas 72 orësh, kohë e mjaftueshme që organizmi të jetë “vetëpastruar” nga toksinat e mundshme që mund të ndodhen në të. Në rastet e gastro-enteriteve inflamatore, që janë kryesisht me natyrë bakteriale mund të përdoren antibiotikët. Ndërsa në rastet që nuk i përgjigjen mjekimit apo që kanë kaluar në fazë dehidrimi të rëndë, natyrisht kërkohet trajtim i specializuar në spital. Çdokush mund të reduktojë shansin e marrjes së infeksionit nëpërmjet një higjiene të mirë personale dhe larjes së shpeshtë të duarve. Gjithashtu, duhen dezinfektuar sipërfaqet e prekura me pastrues me bazë klori, si dhe eliminimi i ushqimeve të dyshuara për kontaminim. Natyrisht gjatë periudhës së duhet që të tregohet kujdes në gatimin si dhe ruajtjen e ushqimeve. Kujdes duhet treguar në ujin e pijshëm dhe personat që kanë depozita në shtëpi duhet t’i derdhin herë pas here dhe t’i lajnë.



Simptomat

Diarre e ujshme

Të vjella

Dhimbje koke

Ethe

Dhimbje stomaku

Këputje trupi

Temperaturë

Mungesë oreksi

Dhimbje gjymtyrësh dhe muskujsh



Aciditeti i tepruar në stomak, shkak për shfaqjen e gastritit



Gastriti është inflamacioni i mukozës së stomakut, pra i shtresës që mbulon stomakun nga brenda dhe kontakton me ushqimet. Kjo është një sëmundje që prek shpesh sidomos të moshuarit. Sëmundja më shpesh vihet re në formën kronike. Gastriti në krahasim me ulcerën ka një dëmtim më sipërfaqësor, por edhe mund të depërtojë më thellë në shtresat e qelizave të stomakut. Më së shumti formohet prej një infeksioni bakterial dhe kjo bën që me një kurë të mirë antibiotikësh të kurohet. Megjithëse shihet shpesh në të shumtën e rasteve kalon një kohë të gjatë pa dhënë shenja.

Shkaku më kryesor i gastritit është një infeksion kronik i shkaktuar nga bakteri Helikobakter Pylori. Kjo është një baktere shumë e përhapur në të gjithë botën. Së dyti, mënyra dhe lloji i ngrënies ndikojnë në formimin e gastritit. Ushqimi i keq dhe alkooli dëmtojnë mukozën e stomakut. Gjithashtu, përdorimi i duhanit rrit aciditetin e stomakut duke stimuluar nervin e stomakut. Stresi është një faktor tjetër për gastritin. Pra çdo gjë që bëhet shkak për rritjen e aciditetit të stomakut mund të shkaktojë edhe gastrit. Ka edhe disa ilaçe që mund të shkaktojnë gastrit mes tyre aspirina apo ilaçet qetësues që përdoren kundër dhimbjeve të ndryshme apo në sëmundjet reumatizmale. Por jo paracetamoli. Gjithashtu edhe gjatë sëmundjeve të ndryshme si insuficienca e veshkave apo e mëlçisë mund të formohet gastrit.

Gastriti ndahet në akut dhe kronik. Gastriti kronik zakonisht ose nuk jep shenja ose shenjat e tij janë sipërfaqësore. Inflamacioni në stomak ka zgjatur për një kohë të gjatë. Mund të japi të vjella, dhimbje në pjesën e sipërme të barkut, nauze ( përzierje të stomakut ), gogësimë, pakësim të oreksit dhe fryrje të stomakut. Gastriti akut shkakton djegie në stomak dhe dhimbje. Kur I sëmuri është i pangrënë dhimbjet rriten. Përzierje të stomakut dhe të vjellat edhe këtu shfaqen. Ilaçet për të cilat folëm më lart apo alkooli mund të shkaktojnë plagë në stomak dhe kjo bën që të ketë hemorragji. Gjaku i përzier me aciditetin e stomakut mund të shfaqet me ngjyrë të errët gjatë të vjellës. Gjithashtu, edhe feçesi mund të marri një ngjyrë të errët nëse ka hemorragji. Duhet të shkoni tek një mjek gastroenterolog. Edhe vetëm fjalët dhe ankesa e të sëmurit madje mund të mjaftojnë për diagnostikim. Sidomos tek të rinjtë me anë të ilaçeve mundohet të ulet aciditeti i stomakut. Tek ata më të rriturit (40 vjeç) duhet bërë diagnostikimi me anë të endoskopisë (sondës). Nëse nevojitet duhet marrë edhe kampion prej mukozës së pacientit. Sonda është e lehtë për t’u kryer dhe pacienti nuk ndjen dhimbje. Me anë të kameras doktori sheh brendësinë e stomakut. Së pari, gastriti është një sëmundje që duhet kuruar patjetër. Nëse ndër shkaktarët e tij nuk është infeksioni bakterial ilaçet për uljen e aciditetit apo për mos formimin e tij do të mjaftojnë. Këto ilaçe shoqërohen edhe me dietë. Nëse pini cigare apo alkool duhet t’i lini. I sëmuri nuk duhet të përdorë aspirinë apo ilaçe qetësuese pa rekomandimin e doktorit. Paracetamoli nuk bën dëm. Nëse shkaktari është bakteri Helikobakter Pylori atëherë kura me antibiotikë është i domosdoshëm.









Këshillat



Mos përdorni ushqimet e ngrira dhe ato me yndyrë



Nuk duhet të përdorni ushqime që përmbajnë shumë sheqer



Pasdite dhe në darkë duhet të hani sa më pak



Këshillohet që në mëngjes të konsumoni karbohidrate në mënyrë që ushqimi të tretet sa më ngadalë dhe ju të mos ndieni uri gjatë ditës



Hurmat, këshillohen për pacientët me ulcer, ato janë një burim i shkëlqyer i sheqerit, fibrave, karbohidrateve, kaliumit dhe magnezit



Pacientët duhet të përdorin edhe bajame, të cilat nga ana e tyre janë të pasura në proteina dhe fibra si dhe përmbajnë shumë pak yndyra



Bananet janë një fryt shumë qetësues për stomakun, pasi ato janë të pasura me kalium, magnez dhe karbohidrate







30 Prill 2009