Autori i Lajmit: red.
Normalisht, ekzistojnë dy veshka, të vendosura në regjionin e mesit nga të dy anët e shtyllës së kurrizit, nën anën e poshtme të brinjëve. Kanë ngjyrë të kuqe - kafenjtë e formë si kokërr fasuleje dhe madhësi sa një grusht. Përmes veshkave nga organizmi juaj nxirren tepricat e ujit dhe produktet e fundit të metabolizmit.

Funksioni kryesor i veshkave është që nga gjaku të mënjanohen produktet e fundit të metabolizmit, e gjaku i pastruar të kthehet në trup. Çdo minutë, përmes arterieve të veshkave, në veshka hyn rreth një litër gjak (një e pesta e tërë gjakut që pompohet nga zemra). Pasi të pastrohet, gjaku kthehet prapa, përmes venave të veshkave.

Veshkat poseidojnë sistem të komplikuar për filtrim. Në çdo veshkë ekzistojnë rreth një milion njësi, të quajtura nefrone. Çdo nefron përmban një filtër të vogël të quajtur glomerul, i cili është i lidhur me kanalthet. Teprica e ujit së bashku me produktet hedhëse ndahet nga gjaku me një proces të quajtur filtrim dhe shkon në kanalthe. Pjesa më e madhe e ujit dhe e materieve tjera të cilat janë të rëndësishme për organizmin kthehen prapë në gjak përmes kanaltheve. Në këtë mënyrë produktet hedhëse koncentrohen në urinë. Nga kanalthet, urina mbartet në kanalin të quajtur legeni i veshkës, e pastaj përmes ureterëve në fshikëzën e urinës, dhe më në fund përmes uretrës jashtë.

Normalisht, veshkat krijojnë rreth 1-2 litra urinë çdo ditë, në varësi nga sasia e ujit të pirë. Veshka normale ka aftësi të lejojë një mbingarkim. Nëse humbet njëra veshkë, tjetra veshkë zmadhohet që ta kompenzojë funkcionin e veshkës tjetër.

Veshkat e kontrollojnë nivelin e shumë substancave në gjak. Me këtë ata e ruajnë përmbajtjen konstante të gjakut (homeostaza). Veshkat e ruajnë ujin e trupit dhe e mbajnë atë në nivel që është i nevojshëm për vijimin normal të funksioneve të organizmit. I mbajnë vlerat normale të natriumit, kaliumit, kalciumit, fosforit dhe mineraleve tjera, që merren me ushqimin e janë të rëndësishme për organizmin. Ata tajiten përmes veshkave në qoftë se janë në tepricë. Urea dhe produktet tjera hedhëse krijohen gjatë shpërbërjes së proteinave, të marra me ushqim (p.sh. mish). Kreatinina është produkt hedhës i muskujve. Produktet hedhëse siç janë urea dhe kreatinina hidhen përmes veshkave. Nëse funksioni i veshkave është i zvogëluar, niveli i tyre në gjak rritet. Niveli i kreatininës në gjak është tregues për funkcionin e veshkave. Shumica e produkteve hedhëse janë toksike nëse rritet niveli i tyre në gjak.

Veshkat normale marrin pjesë edhe në krijimin e disa hormoneve të rëndësishme. Këta hormone marrin pjesë në rregullimin e tensionit të gjakut, në krijimin e rruazave të kuqe të gjakut në palcën kockore dhe në përthithjen e kalciumit nga zorrët.





Ky lajm është publikuar: 05/06/2008