Funksionimi i tregut të parasë, mbikëqyrja dhe stabiliteti financiar, ishin temat që u diskutuan në Forumin e organizuar nga Banka e Shqipërisë, me pjesëmarrjen e aktorëve kryesorë nga sistemi financiar dhe 16 bankat e nivelit të dytë që operojnë aktualisht në Shqipëri. Në fjalën e mbajtur me këtë rast Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, tha se “Banka e Shqipërisë në vazhdim të përpjekjeve të kohëve të fundit për të rritur eficencën e tregut financiar, si dhe për të garantuar stabilitetin e sistemit bankar, vjen sot me një nismë të re, në qendër të së cilës është instalimi i një kanali periodik komunikimi midis saj dhe sistemit bankar”. Fullani vuri theksin se ajo çka është ndryshe në këtë nismë të re, ka të bëjë me domosdoshmërinë e një dialogu të përhershëm, ose organizimin e një forumi periodik në qendër të të cilit do të jetë trajtimi analitik i shumë pikëpyetjeve dhe sfidave që bashkërisht duhet t’i adresojmë në mënyrën dhe në kohën e duhur. Për këtë arsye, Fullani, ftoi drejtuesit e bankave që të jenë aktivë, largpamës, me propozime konkrete të orientuara nga e ardhmja. "Për Bankën Qendrore,- tha Fullani,- mbeten themelore, përmirësimi i vazhdueshëm i qeverisjes së bankave, prezantimi i produkteve të reja, funksionimi i tregut ndërbankar, rritja e lëvizjes së fondeve ndërmjet sistemit, shtimi i kreditimit në lekë, forcimi i kontrollit të brendshëm, si dhe publikimi i rezultateve të aktivitetit bankar".







Nga sot doganat shqiptare kontrollohen nga TACTA



Sot prezantohet zyrtarisht Projekti i Bashkimit Europian TACTA (Asistenca Teknike për Administratën Doganore dhe Tatimore). Projekti drejtohet nga Agjencia Italiane e Doganave dhe synon 5 vendet e Rajonit të Ballkanit Perëndimor – Shqipërinë, Bosnjë-Hercegovinën, Kosovën (nën UNSCR 1244) Malin i Zi dhe Serbinë. Projekti TACTA do të bëjë të mundur arritjen hap-pas-hapi modernizimin e strukturave organizative dhe procedurave operacionale në përputhje me standardet e BE-së, si edhe hartimin e strategjive të reja kundër evazionit dhe trafikut të paligjshëm. Në këtë takim do të marrin pjesë përfaqësuesit e pesë Vendeve Përfituese, Komisioni Europian, si edhe Autoritete vendore dhe të huaja. Projekti një vjeçar do të jetë tërësisht i financuar nga BE-ja, në shumën prej 7.1 milionë eurosh. Në vijim, do të prezantohet edhe Forumi i përhershëm i Koordinimit Rajonal që do të jetë edhe një nga shtyllat e Projektit, i cili do të bashkërendohet nga Drejtori i Drejtorisë Qendrore të Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Agjencisë Italiane të Doganave. Projekti TACTA iu caktua përmes tenderimit nga ana Bashkimit Evropian, Konsrtiumit publik-privat me emrin ITACA Për sa i përket pjesës publike, partnerë në Konsortiumin ITACA, përveç Agjencisë Italiane të Doganave, janë edhe Agjencia Tatimore Italiane, Dogana Finlandeze dhe Universiteti i Dytë i Napolit – Fakulteti i Studimeve Politike të Arsimimit të Lartë Evropian dhe Mesdhetar. Ndërsa për sa i përket pjesës private, partnerë në këtë Konsortium janë: Zhvillimi Global GEIE (Itali), Studioja Ligjore Tonuçi & Partners (Itali) dhe DMI-Associates (Francë).









4 Prill 2008