Ervin KOÇI - Gjatë muajit shkurt konsumatorët shqiptarë do të nënshkruajnë një kontratë të re të furnizimit me energji elektrike. Kontrata po përgatitet nga specialistë të Entit Rregullator të Energjisë, të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, të cilët përfaqësojnë të drejtat në interes të qytetarit dhe nga specialistë të kompanisë private “CEZ Shpërndarje”. Është hera e parë që bëhet një kontratë e tillë, e cila merr parasysh të drejtat dhe detyrimet e konsumatorit dhe të kompanisë shpërndarëse, pasi kontrata e vjetër ishte e nënshkruar me Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare, e cila sot nuk ka më rrolin që kishte para privatizimit të saj. Në kontratë do të përcaktohen qartë dëmshpërblimi ndaj konsumatorit, marrëdhënia tregtare mes dy subjekteve për shlyerjen e pagesave, mënyrën e faturimit, kontrollin e matësave dhe përgjegjësitë e kompanisë “CEZ Shpërndarje”, për dëmtimet që do të shkaktojë nga ana teknike. Me anë të kësaj kontrate, synohet që t’i jepet fund faturimeve aforfe dhe të përcaktohen qartë detyrimet e konsumatorit për një sjellje sa më korrekte dhe shlyerjen e pagesave në kohë.



Kontrata e re

Kryetari i Komisionit të Mbrojtjes së Konsumatorit në METE, Besjan Pesha tha se, kontrata e re do t’i japë fund marrëdhënies problematike që konsumatorët kanë pasur me “CEZ shpërndarjen”. Sipas Peshës, drafti për kontratën e re të energjisë elektrike mes konsumatorëve dhe “CEZ Shpërndarje” është hartuar nga ERE dhe po diskutohet me të gjitha grupet e interesit. “Kontrata e re, do t’i japë fund njëherë e mirë marrëdhënies problematike që konsumatorët shqiptarë kanë pasur me ‘CEZ Shpërndarjen’ dhe do të vendosë një marrëdhënie të drejtë tregtare për energjinë elektrike”,- deklaroi Pesha. Qëllimi kryesor i kontratës, sipas tij, është mbrojtja e konsumatorit. Duke shpjeguar kontratën e re të energjisë elektrike, kryetari i Komisionit të Mbrojtjes së Konsumatorit tha se, një risi është parashikimi i një neni për dëmshpërblimin e konsumatorit në rast dëmtimi apo në rast se furnizimi me energji elektrike është i cunguar. Kryetari Pesha bëri me dije se, njëkohësisht po punohet edhe me Entin për një kontratë të re të konsumatorëve për ujin e pijshëm. Të dy këto kontrata, sipas Peshës, do të jenë gati për konsumatorët brenda muajit shkurt të këtij viti.



Energjia

Draft-kontrata, mes furnizuesit dhe klientëve parashikon të drejtat dhe detyrimet mes dy palëve. Në këtë draft, i cili pritet të konsultohet dhe më pas të miratohet, ndryshojnë kushtet e kontratës, të drejtat dhe detyrimet mes palëve, në lidhje me matjen, cilësinë dhe ndërprerjen e energjisë. Konsumatori ka të drejtë të ankohet për mbi faturim të energjisë. Por gjithsesi më parë duhet të paguajë faturën, e më pas të zgjidhë problemin me entin furnizues. Furnizuesi, ka të drejtë t’i ndërpresë energjinë debitorit por duke e lajmëruar 72 orë më parë. Nëse debitori nuk e paguan energjinë edhe pas dy muajve, atëherë furnizuesi ka të drejtë të zgjidhë kontratën. Furnizuesi merr përsipër t’i sigurojë klientit një shërbim efikas dhe cilësor, për furnizimin me energji elektrike. Kushtet e përgjithshme të përcaktuara në këtë kontratë janë të vlefshme për të gjithë klientët që kërkojnë shërbimin e furnizimit me energji elektrike dhe që kanë një kontratë të nënshkruar për furnizimin me energji elektrike. Klientit nuk mund të japë apo shesë energji elektrike klientëve të tjerë nga rrjeti i tij. Nuk do të konsiderohet si aktivitet shpërndarje i Klientit zotërimi, shfrytëzimi, administrimi dhe kontrolli i pajisjeve të shpërndarjes të vendosura në pronën e tij private, ose në pronën e tij private të dhënë me qira të tjerëve dhe që përdoren vetëm për të transmetuar ose dhënë energji elektrike te personi që i zotëron, shfrytëzon, administron dhe i kontrollon këto mjete.





BOX///////////////////////

Energjia, kufizime në jug



E gjithë pjesa jug-perëndimore e vendit do të përballet me kufizime të energjisë elektrike deri në mesnatën e ditës së premte. Drejtuesit e OST-së kanë theksuar se po punohet për riparimin e shtyllës së tensionit të lartë, e cila u hodh në erë më 30 dhjetor të vitit të shkuar. Kjo ka bërë që qytetet si Durrësi, Fieri, Vlora, Tepelena, Saranda, Gjirokastra dhe Përmeti të përballen me kufizime të zgjatura të energjisë elektrike. Zyra e shtypit në CEZ ka sqaruar se furnizimi me energji elektrike në këtë pjesë të vendit është rreth 40%. “Duke filluar nga rrethi i Durrësit dhe poshtë, si në Lushnjë, Vlorë, Gjirokastër, Sarandë, etj, janë linja ku furnizohen 5 transmetuesit. Në këto momente, kur OST-ja po bën punime, ne nuk mund t’i furnizojmë me kapacitet 100% konsumatorët dhe për pasojë bëjmë këtë ndërprerje”,- ka sqaruar zëdhënësja, Fabiola Haxhillari. Në këtë pjesë të vendit furnizohen me energji elektrike pa ndërprerje të gjitha institucionet me rëndësi të veçantë. “Institucionet e rëndësisë së veçantë ne mund t’i furnizojmë me energji të pandërprerë”,- ka shtuar Haxhillari. Shkatërrimi i shtyllës së tensionit të lartë në Krujë, një natë para ndërrimit të viteve, ka sjellë probleme të mëdha me furnizimin me energji për mijëra qytetarë.







Përfundon afati për instalimin, vetëm 27% e bizneseve me kasa



Vetëm 27 për qind e bizneseve kanë instaluar kasat fiskale, ndërkohë që afati ligjor për vendosjen e tyre ka përfunduar më 31 dhjetor 2010. Nga rreth 80 mijë subjekte në shkallë vendi, vetëm 21.600 prej tyre janë pajisur me kasa. “Nga një vlerësim i përgjithshëm, janë rreth 75-80 mijë subjekte që duhet të pajisjen me kasa fiskale. Nga shifra që thashë, vetëm 21.600 janë pajisur, por ka ende subjekte që nuk i kanë vendosur kasat. Por shoqëritë po lidhin rreth 500 deri në 1 mijë kontrata në ditë për vendosjen e kasave. Tatimet e kanë vëzhguar procesin dhe kanë ofruar asistencë për bizneset në lidhje me procesin, informacion për shoqëritë apo rimbursimin nga qeveria”,- ka deklaruar Erjon Prifti, drejtor i shërbimit ndaj tatimpaguesve. Administrata Tatimore po kryhen kontrolle dhe në rastet kur konstatohet mos instalimi i kasës, vendoset gjobë. Kontrolle po kryhen edhe në pikat e karburanteve. Ndërkohë, qeveria ka miratuar vendimin për kompensimin e bizneseve për kasat fiskale nga buxheti i shtetit. Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, bizneset do të kompensohen me një shumë prej 44 mijë lekësh, ndërsa taksitë me 30 mijë për taksimetrin.





Spiunazhi prek Renault, Franca flet për luftë ekonomike



Prodhuesi francez i makinave, “Renault”, thotë se një dalje e sekreteve rreth makinave te reja elektrike që po prodhon, po shkakton një kërcënim serioz për kompaninë. Ministri francez i Industrisë, Eric Besson tha se spiunazhi industrial në “Renault” do të thotë se vendi po përballej me luftë ekonomike. Së bashku me partnerin japonez “Nissan”, “Renault”-i po investon shumë drejt makinave elektrike që planifikon të hedhë në treg më vonë këtë vit. Tre menaxherë të lartë të “Renault” u pezulluan nga puna të mërkurën në lidhje me dalje të sekreteve. Dhe ndërsa bota lëviz drejt teknologjive më të pastra, të gjelbëra, gara për të prodhuar makina të suksesshme elektrike të afta për të sfiduar versionet me naftë ka filluar. Dhe tek “Renault” ata e marrin këtë betejë shumë seriozisht. Zëvendëspresidenti i kompanisë Christian Husson tha se “Renault” kishte kryer një hetim të gjatë një mujor për këto dalje sekretesh. Tre shefa të lartë po i dërgonin sekrete, tha ai, një prodhuesi tjetër makinash që paraqiste një kërcënim të veçantë për pozitën strategjike të kompanisë. Ende nuk ka detaje se çfarë sekreti është nxjerrë ose tek cila kompani, nëse këto ishin ide të veçanta revolucionare dhe nëse këto ide tani ishin kompromentuar. Ministri i industrisë Eric Besson paralajmëroi se vendi i tij përballej me luftë ekonomike që sugjeron se detajet i janë kaluar manifakturuesit të makinave të një vendi tjetër. Askujt nuk ka nevojë t'i kujtohet se sa i madh dhe sa i rëndësishëm është prodhimi i makinave për ekonominë me probleme të Francës. Dhe kjo është arsyeja se pse qeveria franceze po mpreh thikat.







Miratohet granti gjerman 2 milionë euro për furnizimin me ujë dhe kanalizimet



Në mbledhjen e djeshme, Këshilli i Ministrave vendosi të miratojë në parim marrëveshjen me bankën gjermane “KfW” (Frankfurt am Main) për financimin me 2 milionë euro të masterplanit për furnizimin me ujë dhe për rrjetin e kanalizimeve në Shqipëri. Marrëveshja e nënshkruar më herët nga Ministria e Financave dhe ajo e Punëve Publike parashikon projektin për furnizimin pa ndërprerje të popullatës me ujë të pijshëm, si dhe rinovimin e rrjetit të kanalizimeve të ujërave të bardha e të zeza. Qeveria miratoi në parim këtë marrëveshje me bankën gjermane “KfW”, për financimin e projektit, një projekt i cili do të vihet në jetë menjëherë pas hyrjes në fuqi të vendimit.





7 Janar 2011