Në Shqipëri, e pikërisht në Samaticë të Beratit prodhohet qumësht “Made in Albania”, me standarde perëndimore. Fabrika moderne e përpunimit të qumështit “Erzeni” tashmë është e certifikuar në standardet ndërkombëtare ISO e HACCP dhe është një shembull i mirë i bashkëpunimit me Shoqërinë Gjermane për Bashkëpunimin Teknik (GTZ). Për të parë teknologjinë përdorur në këtë fabrikë, e cila ka marrë asistencë teknike nga ekspertët gjermanë, atë e vizitoi ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë, Bernd Borchardt. Duke filluar nga nëntori 2008 deri në qershor 2009, GTZ ka mbështetur kompaninë “Erzeni” sh.p.k. në Samaticë të rrethit Berat, për të përmirësuar dhe garantuar sigurinë e produkteve të saj në funksion të rritjes së tregut. Kompania u mbështet me asistencë teknike lokale, për implementimin e standardit të sigurisë ushqimore HACCP. Gjatë këtij procesi është bërë një vlerësim i gjithë procesit të prodhimit dhe të shpërndarjes së produktit të kompanisë “Erzeni”, duke analizuar të gjitha elementet e parashikuara në standard si momente kontrolli dhe veçanërisht pikat kritike të kontrollit. Kompania “Erzeni” arriti të sigurojë procesin e implementimit dhe certifikimit të HACCP në një periudhë kohore nga 2 dhjetori 2008 deri më 30 qershor 2009, me një angazhim shumë të madh të gjithë stafit drejtues dhe teknik të kompanisë, si dhe me financime të konsiderueshme për sa u përket investimeve shtesë të domosdoshme në teknologji dhe në përmirësimin e ambienteve të punës, si dhe të paguajë edhe një kosto të veçantë financiare për konsulencën teknike (50% të vlerës) si dhe trupën certifikuese. Gjatë kësaj kohe është blerë dhe një makineri e re për mbushjen e qumështit në një vlerë prej rreth 300.000 euro, krahas shpenzimeve për procesin. Ngritja e standardit të sigurisë së produkteve në nivelin e kërkesave të standardit ISO 22000 e përafron shumë mundësinë që në një të ardhme të afërt kompania të certifikohet edhe sipas BRC apo IFS, të cilat janë standardet që sot kërkohen nga rrjetet serioze të shpërndarjes në Evropë nëse kompania do të eksportojë, por edhe për të shitur në rrjetet serioze të supermerkatove që po shtrihen brenda vendit. Kompania “Erzeni” është një nga 5 kompanitë agro-ushqimore që u mbështetën nga GTZ-ja në të njëjtën periudhë në rajone të ndryshme të Shqipërisë, përfshirë edhe rajonet Shkodër dhe Korçë, ku GTZ-ja ka programin e zhvillimit ekonomik. GTZ ka trajnuar në Shqipëri gjatë një periudhe katërvjeçare rreth 200 ekspertë të biznesit shqiptar në fushën e menaxhimit të cilësisë për standarde ndërkombëtare ISO 9001-2000.





METE, master-plan për promovimin e industrisë minerare





Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore (AKBN), institucion në vartësi të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës (METE), në bashkëpunim me Agjencinë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA), organizuan në Tiranë workshop-in e dytë në kuadër të realizimit të programit të punës të Studimit për Master-Planin e Promovimit të industrisë minerare në Shqipëri. Burime nga AKBN bëjnë të ditur se në këtë workshop morën pjesë edhe përfaqësues nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, nga Shërbimi Gjeologjik Shqiptar (SHGJSH) etj. Objekti kryesor i studimit është raporti final, i cili përmban Master-Planin, sipas temave të tilla si \"Strategjitë e zhvillimit specifik të mineraleve si, krom, nikel, bakër etj.\", \"Programi i veprimit mbi çështjet e përzgjedhura në industrinë minerare, si kuadri ligjor, promovimi, problemet mjedisore etj.\", \"Projekti i GIS bazuar në DATABASE të burimeve minerale\" (me informacione që kanë të bëjnë me burimet minerare dhe aktivitetin minerar, investitorëve dhe kompanive të interesuara\" etj. Gjatë këtij aktiviteti, specialistë shqiptare dhe japonezë, ndër të tjera, u përqendruan në çështjet teknike, në politikat për promovimin e sektorit minerar, në strategjinë për zhvillimin e disa mineraleve specifike, në aktivitetin mbi GIS, bazuar në database etj.