Ashtu sic edhe ishte deklaruar, Federata Shqiptare e Futbollit zhvilloi sot në ambjentet e hotel "Rogner" mbrëmjen Gala të fundvitit që zhvillohet për herë të parë nga institucioni i futbollit. Kjo festë që tashmë do të kthehet në një traditë të përvitshme filloi rreth orës 13:30 dhe zgjati për më shumë se katër orë ku morrëm pjesë mbi 200 të ftuar. Në të morrën pjesë drejtuesit më të lartë të FSHF-së, lojtarë që kanë lënë emër në historinë e futbollit shqiptar dhe që u nderuan me tituj të ndryshëm, futbollistë të skuadrave të ndryshme, trajnerë, donatorë, gjyqtarë, gazetarë dhe shumë të tjerë që janë pjesë e komunitetit të madh të futbollit. Kjo festë u zbukurua nga këngët e shumë emrave të njohur të muzikës shqiptari, si Valbona Mema, Irma Libohova, Poni, Gena dhe nga balerina dhe valltare të ndryshme që e "ndezën" tërësisht këtë festë Gala ku pa frikë mund të thuhet se u shndërrua në një dasëm të madhe pasi nuk munguan edhe lekët që u hodhën për këngëtaret, një traditë kjo për dasmat shqiptare. Drejtimi i kësaj feste i ishte besuar spikerit të njohur të lajmeve dhe gjithashtu një tifoz i deklaruar futbolli sic është Reis Cico që me batutat e tij të herëpashershme i dhuronte humor të pranishmëve. Ndërkohë që synimi i kësaj feste ishte edhe ndarja e shumë cmimeve të ndryshme nga Federata, si "Nderi i Futbollit Shqiptar", "Legjenda e Futbollit Shqiptar", "Pllakata", "Medalje" si edhe "Lojtari më i mirë i vitit" që u përzgjodh nga trajnerët e skuadrave të Kategorisë Superiore. Fjalën e hapjes së kësaj ceremonie festive e mbajti presidenti i FSHF-së, Armando Duka, i cili pasi falënderoi të gjithë pjesëmarrësit deklaroi se të gjithë duhet të punojnë që futbolli shqiptar të ngjitet sa më lart. "Në emër të institucionit të futbollit ju falënderoj të gjithëve që pranuat të mernit pjesë në këtë ceremoni festive. Kjo festë që e organizon Federata Shqiptare e Futbollit dhe që do të kthehet në një traditë të përvitshme ka si synim të mbledhë një herë në vit të gjithë aktorët dhe pjestarët e komunitetit të futbollit që punojnë dhe kanë punuar ndër vite për zhvillimin dhe ngjitjen sa më lartë të futbollit shqiptar. Gjatë kësaj feste Federata ka përcaktuar disa tituj që do tu jepen figurave më të njohura të futbollit tonë për kontributin e madh dhe punën e palodhshme që ata kanë bërë për mbajtjen gjallë të kësaj loje magjike. Më lejoni të falënderoi të gjithë ata lojtarë dhe trajnerë që kanë kontribuar dhe nuk janë kursyer asnjëherë për të zhvilluar futbollin shqiptar. Gjithashtu do të zgjidhet nga trajnerët e Kategorisë Superiore edhe lojtari më i mirë i vitit. Ky vit futbollistik në të shumtën e rasteve ka kaluar mirë por gjithsesi duhet ende shumë punë nga të gjithë aktorët dhe faktorët që kampionati të shkojë sa më mirë dhe futbolli të ngjitet sa më lartë. Ju uroj të gjithëve që t'ja kaloni sa më mirë këtë ftesë dhe gëzuar festat e fundvitit. Të jetë një vit i mbarë për të gjithë dhe vecanërisht për futbollin shqiptar" deklaroi kreu i FSHF-së, Duka. Pas fjalës së presidentit të "qeverisë" së futbollit filloi ndarja e cmimeve përkatëse ku fillimisht ju dha cmimi "Nderi i Futbollit Shqiptar" 7 emrave më të njohur të historisë së lojës së top-këmbës. Më pas u ndanë cmimet "Legjenda e Futbollit Shqiptar" për 6 legjenda, "Pllakata" që ju dorëzua 6 ekipeve më të mira të Shqipërisë në të gjitha kohërat. Titullin "Medalje" e morën 6 personalitete të tjerë të komunitetit të futbollit dhe në fund u zgjodh edhe "Lojtari mëi mirë i vitit", mbrojtësi që sezonin e kaluar u shpall kampion me Elbasanin dhe që tashmë luan për Tiranën, Nevil Dede. Gjithashtu që një cmim nderi ju dorëzuar edhe arbitrit Ramiz Pregja për kontributin e tij në fushën e arbitrimit shqiptar dhe lojtarit të mirënjohur fierak Kujtim Majaci titulli "Mirënjohje" nga Federata Shqiptare e Futbollit. Të gjithë personalitetet që u nderuan me cmime thanë përshëndetjet e rastit ku spikati ajo e gjyqtarit Pregja i cili në mënyrë ironike deklaroi se "Më në fund pas 25 vitesh kontribut në arbitrimin shqiptar nderohem me një cmim. Ky është i vetmi në jetën time". Por tashmë që kjo festë Gala megjithëse disi me vonesë do të kthehet në një traditë të përvitshme do të ndihmojë shumë që personalitetet e futbollit të mos harron ashtu sic ka ndodhur deri më sot. Ndërkohë që si organizues i kësaj feste Gala, presidenti Duka i takoi të gjithë të pranishmit duke cakitur gotat dhe duke shkëmbyer batuta të ndryshme ku nuk munguan edhe shkrepjet e shumta të aparatëve fotografikë. Në fund të ceremonisë festive kreu i Federatës falënderoi të pranishmit dhe tha se do të takoheshin vitin tjetër në një festë ndoshta akoma më të madhe.

Besar Bozgo