12/02/2009  Parashikohet përcaktim i qartë i hierarkisë së gradave të oficerëve


Efektivët e Gardës mbanin ende modelin e vjetër të Forcave të Armatosura


TIRANË- Garda e Republikës përgatitet të ndryshojë uniformën, duke i dhënë një pamje më dinjitoze oficerëve, gradat dhe hierarkia e të cilëve deri më sot nuk ishte tepër e qartë. Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 1, të nenit 18, të ligjit nr. 8869, datë 22.5.2003, “Për Gardën e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 25, të ligjit nr. 9366, datë 31.3.2005, “Për gradat dhe karrierën në Gardën e Republikës së Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave vendosi disa ndryshime.


Uniformat e reja


Projektvendimi është hartuar duke pasur parasysh përmirësimin e paraqitjes së jashtme të efektivave të Gardës gjatë kryerjes së detyrave për realizimin e misionit të përcaktuar me ligj. Gjithashtu ky projektvendim ka vlerë për dallimin e pamjes së jashtme të efektivëve të strukturave të Gardës së Republikës së Shqipërisë ndaj efektivëve të strukturave të ngjashme. Sakaq, këtu parashikohet identifikimi i identitetin kombëtar, dallimi i efektivëve sipas hierarkisë së gradave, nëpërmjet përdorimit të dekoracioneve dhe shenjave të tjera dalluese në uniformë si dhe krijimin e një mikroklime të përshtatshme për mbrojtjen e trupit në varësi të stinës. Ndërkaq, në lidhje me domosdoshmërinë e këtyre ndryshimeve thuhet se uniformat aktuale me shenjat e tjera dalluese nuk përbëjnë modelin e plotësuar në përputhje me kërkesat e ligjeve. Gjithashtu në zbatim të ligjit të gradave e karrierës në Gardën e Republikës së Shqipërisë nuk janë miratuar modelet e hierarkisë së gradave sipas niveleve. Efektivët e Gardës vazhdojnë të mbajnë modelin e vjetër të gradave të efektivëve të Forcave të Armatosura, që aktualisht jo vetëm janë ndryshuar dhe këto efektivë kanë modelin e tyre të ri, por nuk sigurojnë përputhje me realitetin e ri të ecurisë në karrierë, të përcaktuar me ligj. Përmirësimet në modelin e uniformës, përdorimi i ngjyrave të flamurit kuq e zi dhe stilimet me elementë të veçantë si shqiponja në pjesën e përparme të mëngëve, dekoracioni i artë në strehën e kapelës e të jakës jo vetëm që ruajnë identitetin kombëtar, por japin një pamje dinjitoze uniformës.


Kostoja


Uniforma e truprojës së nderit është me kosto financiare tre herë më të ulët se ajo ekzistuese, kur teksa modeli i vjetër kushtonte 45 mijë lekë, modeli i ri me të cilin do të pajisen oficerët mësohet se do të kushtojë 15 mijë lekë.


Uniformat


Uniformat për efektivat e Gardës së Republikës së Shqipërisë të jenë, uniforma e oficerit dhe e nënoficerit, uniforma për shërbim e stërvitje, uniforma ceremoniale, uniforma e truprojës së nderit si dhe uniforma civile.


Ministri


Ministri i Brendshëm miraton rregulloren e uniformës së Gardës, normën e materialeve të veshmbathjes, në përbërje dhe në inventar të strukturave të Gardës, normën e furnizimit me veshmbathje për efektivat e Gardës, etj.