Ferit Haxhiaj nuk gjente zgjidhje për pronën e mohuar

Prona e mohuar e ka detyruar një 52-vjeçar të marrë rrugën nga Durrësi në Tiranë, për të sensibilizuar organet e drejtësisë dhe opinionin. Ferit Haxhiaj, me tre nga katër fëmijët e tij, dje në mesditë, është ngjitur në tarracën e një pallati në bulevardin “Zogu I” dhe nga aty i drejtohej institucionit të ministrit Nishani, me kërkesën për kthimin e pronës, lënë trashëgimi nga i ati. Vetëm disa metra larg dhe përballë zyrtarëve të Ministrisë së Drejtësisë, Haxhiu kërcënonte se do të vetëflijohej bashkë me të vegjlit nëse kërkesa e tij nuk merrej parasysh. Protagonisti dhe fëmijët, veshur me rrobat e bardha të paqes, kërkonin që zëri i tyre të mos binte në veshin e shurdhër të zyrtarëve.


Ngjarja

Ora shënonte 12:30 kur kalimtarët e rastit në bulevardin qendror kanë ndalur frymën për disa çaste, teksa kanë parë mbi pallatin gjashtëkatësh që ndodhet përballë Ministrisë së Drejtësisë një burrë që bërtiste me të madhe se i ishte mohuar e drejta e pronës. Ata janë bërë kureshtarë të dinin më shumë rreth asaj që po ndodhte dhe i tmerronte fakti që bashkë me personin ishin edhe tre fëmijë. Brenda disa minutave, banorë të lagjes kanë telefonuar policinë, e cila ka mbërritur në vendngjarje. Gjithkush përpiqej të lexonte pllakatin që mbanin në duar dy të miturit, një djalë dhe një vajzë, por largësia në të cilën ndodheshin personat nuk ua mundësonte një gjë të tillë. Për rreth 25 minuta, kureshtarët ndiqnin me zemër të ngrirë atë që po ndodhte. Duke parë situatën e krijuar, uniformat blu ndaluan qarkullimin e automjeteve në bulevard nga qendra te Stacioni i Trenit dhe rrethuan zonën për të mbajtur larg qytetarët dhe krijuar një territor të pastër për vendosjen aty të dy njësive të RENEA-s dhe grupit të negocimit. Specialët kanë shfrytëzuar dy daljet në tarracën e pallatit për të biseduar me Ferit Haxhiaj. Ata i kanë dhënë atij një celular për të negociuar. Ata i premtuan 52-vjeçarit zgjidhjen e problemit dhe kontaktimin e tij me autoritetet e Ministrisë së Drejtësisë. Së pari, negociatorët i kërkuan Haxhiut të ulte fëmijët dhe më pas e bindën edhe atë të zbriste. Specialët mendonin se i ardhuri, edhe pse nuk ishte banor i lagjes, e njihte mirë terrenin, që sipas tyre duhet ta kishte studiuar më parë për të përgatitur “show”-n. Ngjarja ka përfunduar paq dhe zyrtarët i kanë premtuar qytetarit zgjidhjen e problemit të tij. Ministri Nishani deklaroi se do të bindin hetimet administrative për ankesën e durrsakut, duke penalizuar madje edhe përgjegjësit.


Problemi

Feriz Haxhiaj, njeriu që zgjodhi të tërheqë vëmendjen e opinionit publik dhe institucioneve shtetërore për pronat e përvetësuara pa të drejtë, është banor i lagjes 8 të qytetit bregdetar. Ai jeton vetë i gjashti në një dhomë prej 40 metrash katrorë, bashkë me gruan, dy djemtë dhe dy vajzat. Menjëherë pasi ka dhënë dëshminë e tij në Policinë e Tiranës, ai është kthyer pranë familjarëve duke mos dashur të komunikojë më asgjë publikisht dhe shpresuar në zgjidhjen e çështjes. është i papunë dhe e gjithë familja jeton me një rrogë të vogël të bashkëshortes, ndërkohë që nuk mund të gëzojnë dhe shfrytëzojnë truallin që ai dhe 6 vëllezërit kanë trashëguar nga babai. Të persekutuar gjatë regjimit komunist, vëllezërit Haxhiaj me origjinë nga Kosova, kërkuan që në vitin 1993 t’u njihen zyrtarisht kufijtë e pronës së tyre në Shkozet të Durrësit, në tokën ku dikur ngrihej NSHN-ja. Toka e tyre, sipas deklarimeve të Ferizit, dhe dy prej vëllezërve të tij, Idrizit dhe Islamit, u privatizua pa të drejtë nga ish-drejtori i ndërmarrjes dhe disa punonjës të saj dhe më pas është copëtuar, duke iu shitur emrave të ndryshëm, mes të cilëve dhe njerëz të njohur të politikës në Durrës. Janë 50 dynymë tokë truall që Haxhiajt pretendojnë se u përket në këtë pjesë të qytetit bregdetar dhe njërit prej vëllezërve, Ferizi zgjodhi tentativën për hedhje nga tarraca e një pallati bashkë me tre nga fëmijët në shenjë proteste, për një shtet që nuk të jep atë që të takon. Për tre vjet me radhë Ferizi tregon se provoi dhe emigracionin ilegal në Navara të Italisë dhe më pas u kthye në atdhe, duke tentuar të bëjë punë të çfarëdoshme, për të mbajtur familjen. Aktualisht, punon vetëm gruaja e tij në një furrë buke, turni i tretë, ku paguhet me 20 mijë lekë. Këto të ardhura nuk mjaftojnë për të plotësuar nevojat e familjes me 6 anëtarë, ndërsa tokën e tyre e gëzon tjetërkush.








#