29-05-2011 / Gazeta 55

Vrasja barbare e diktaturës hoxhiste. Dyshohet për dhjetëra të ekzekutuar pa gjyq në fshatin Kuç


Eshtrat e dy personave të pushkatuar në vitet e diktaturës komuniste në periferi të qytetit të Shkodrës, u gjetën dje në mesditë nga familjarët e tyre pas një kërkimi mbi 20 vjeçar.      Eshtrat e dy të pushkatuarve, pjesëmarrës në revoltën e Qafë Barit, ku vuanin dënimin me akuzën “agjitacion dhe propagandë kundër pushtetit popullor”, u gjetën në territorin e stacionit të antenave të Radio Shkodrës në fshatin Kuç, në afërsi të lumit Kir, ku sipas familjarëve, janë pushkatuar që në vitin 1984. Zef Ndoja, 49 vjeç, banor i Komunës Temal, thotë se eshtrat e gjetura janë të vëllait të tij, Tom Kol Ndoja nga fshati Dushman i rrethit të Shkodrës, i cili ka qenë i burgosur politik në vitin 1979, kur ishte vetëm 22 vjeç. Ndërkohë, gjatë revoltave të vitit 1984 në Qafë Bari, ai së bashku me bashkëmoshatarin e tij, Sokol Zef Sokoli, nga Lekbibaj, u pushkatuan duke mos lënë asnjë adresë nga autoritetet e burgut. Zefi, së bashku me dy vëllezërit e tjerë, Ndojën dhe Gjeloshin, dhe motrën Borja, ndjehen të lehtësuar që mbas një periudhe kaq të gjatë kërkimesh, arritën të gjejnë vendin ku preheshin eshtrat e vëllait të tyre. Ato thonë se bazë të informacioneve nga njerëz që nuk donin të identifikoheshin, patën kërkuar fillimisht në Malin me Gropa, pastaj në Tërbun të Pukës, Qafë Bari, dhe së fundmi në Kuç të Shkodrës, këtu ku disa vite më parë janë gjetur edhe disa persona të tjerë të pushkatuar nga diktatura komuniste. Sipas vëllezërve Ndoja, pranë varrit të vëllait të tyre, është gjetur edhe një varr tjetër, në të cilin është varrosur Sokol Zef Sokoli. Pas zbulimit të eshtrave, familjarët kanë lajmëruar policinë dhe Ministrinë e Brendshme, specialistët e të cilëve mbërritën në vendngjarje për të bërë ekspertizat përkatëse. Dy të rinjtë që morën pjesë në revoltën e Qaf Barit ishin nga 28 vjeç kur u pushkatuan pasi u akuzuan si organizator të revoltës. Ndërkohë në zonën në fjalë ku janë gjetur eshtrat dyshohet që të jenë groposur dhe shumë persona të tjerë të cilët janë ekzekutuar pa gjyq nga regjimi komunist.

...