Bashkim RAMA



Në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe në diplomaci, gjithnjë e më shumë po zënë vend analizat komplekse, që përfshijnë edhe aspekte të natyrave jashtë fushave direkte, por që, për vetë dinamikën e kohëve moderne, po ndikojnë, gjithnjë e më shumë, në zhvillimet bashkëkohore. Analistët më të shquar të kohës po hedhin dritë, gjithnjë e më shpesh, në lidhjen dhe ndërvarësinë që ekziston ndërmjet aspektit demografik dhe atij gjeopolitik në kohën e sotme. Për vetë specifikën, vendin që zë, shtrirjen dhe, veçanërisht, statusin aktual të popullit shqiptar, në Ballkanin Perëndimor, lidhja e ndërvarësia e mësipërme është, jo vetëm evidente, por mjaft e rëndësishme për zhvillimet në rajon dhe stabilitetin e paqen e tij. Zgjidhja e statusit të Kosovës sjell një situatë, cilësisht të re në faktorizimin e çështjes shqiptare, në Ballkan. Pavarësia e Kosovës jo vetëm hap perspektiva të reja për zhvillimet demokratike e paqen në Kosovë, në veçanti, por edhe jep garanci dhe siguri për stabilitetin e të gjithë rajonit, në përgjithësi. Në këtë kuptim, çështja kombëtare e shqiptarëve përfiton një “standard” të ri dhe mendoj se duhet parë e analizuar në një këndvështrim tjetër e në një optikë të re. Duke shënuar aktin e fundit përmbyllës të procesit të rënies dhe fragmentarizmit të ish-Jugosllavisë, fundi i luftës, në “vijën e ndarjes” midis serbëve dhe shqiptarëve, që u shtri deri në spastrim etnik, në dëm të këtyre të fundit (karakteristikë për luftëra të tilla) shënoi një etapë të re historike, e cila çoi, në mënyrë të pashmangshme, drejt pavarësisë së Kosovës, duke hapur të vetmen mundësi logjike: bashkëjetesën e barabartë të shqiptarëve dhe serbëve në një Kosovë multietnike, demokratike e europiane. Kështu i jepet fund situatës paradoksale të shumicës shqiptare, të shtypur dhe të shfrytëzuar nga pakica serbe, në Kosovë, duke e shndërruar maxhorancën shqiptare të përgjegjshme, për të respektuar, maksimalisht, të drejtat dhe liritë e pakicës serbe, në një bashkëjetesë demokratike.

Situata demografike dhe dinamika e shqiptarëve sot

Shqiptarët jetojnë të ndarë në disa shtete të Ballkanit Perëndimor. Ata janë një popullsi që e ka tejkaluar shifrën prej 7.5 milionë banorësh, duke u renditur ndër tre popujt më të mëdhenj të këtij rajoni. Rritja e popullsisë shqiptare vazhdon të jetë ndër më të lartat në Europën e sotme, me tendencë për të ruajtur kuotat aktuale të rritjes. Mosha mesatare e popullsisë shqiptare është më e reja në kontinent. Rreth 60% e popullsisë është nën moshën 26.5 vjeç. Ky fakt reflektohet, ndjeshëm, në dinamikën e lëvizjes dhe të emigracionit të kësaj popullsie.

Vetëm nga shteti shqiptar kanë emigruar, aktualisht, mbi një milion njerëz, duke e renditur Shqipërinë në vendin e parë në botë për numrin e emigrantëve, si popullsi. Pothuajse i gjithë ky kontingjent është sistemuar për të jetuar dhe për të punuar në vendet e zhvilluara industriale të botës. Nisur nga fakti se një ndër tre shqiptarë, të aftë për punë, jeton dhe punon në Perëndim, ekonomia e Shqipërisë, që nga viti 1997 e këtej, ka përfituar një efekt pozitiv ekonomik prej rreth 1.3 miliardë USD në vit. Krahasuar me termat e buxhetit të vendit ky tregues thuajse ka dyfishuar të hyrat në vend. Si rezultat i këtij impakti ekonomik, vetëm në tetë vitet e fundit, në bregdetin e Shqipërisë janë “derdhur” rreth 5 miliardë USD investime, me të ardhurat e siguruara, kryesisht, nga emigracioni. Krahas vlerave natyrore të bregdetit dhe të atyre historiko-kulturore të vendit, tregues të tillë e kanë renditur Shqipërinë, sipas Agjencisë Europiane të Turizmit, ndër tre vendet me perspektivën më të lartë turistike bregdetare në kontinent.

Statistika demografike-ekonomike e mësipërme është akoma më atraktive po t’i referohemi popullsisë shqiptare në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi e në Luginën e Preshevës. Nga këto territore, të banuara, historikisht nga shqiptarë etnikë autoktonë, emigracioni, për arsye politike historike, të shtypjes dhe represionit sistematik, ka qenë shumë më i lartë. Madje, gati gjysma e shqiptarëve të këtyre trevave jetojnë e punojnë në emigracion, kryesisht në Europën Perëndimore, në SHBA dhe në Turqi. Kuptohet, ky emigracion dinamik e tepër aktiv, ka luajtur një rol të madh në jetën ekonomike, kulturore e politike të shqiptarëve në Ballkan, duke ndikuar në fuqizimin ekonomik, në emancipimin politiko-kulturor të tyre dhe, sigurisht, në ndërkombëtarizimin e çështjes shqiptare në botë. Duke analizuar me kujdes këto procese demografike dinamike mund të konkludohet se aktualisht në botë janë aktive rreth 15 milionë shqiptarë. Shumica e tyre, pra mbi 60 për qind, janë nën moshën 26.5 vjeç, me një jetëgjatësi mbi 72 vjeç dhe me një përqindje aktive nataliteti në rritje. Përballë kësaj situate, faktorët demografikë të shqiptareve janë dhe mbeten, objektivisht, tepër ndikues në planin gjeopolitik, për të ardhmen e tyre dhe të popujve të tjerë në rajon. Natyrisht, këta faktorë mund dhe duhet të adresohen me pozitivizëm, si në dobi të shqiptarëve, ashtu dhe në dobi të rajonit, të konsiderohen me kujdes, të pranohen me realizëm dhe t’i hapet rrugë akomodimit e integrimit të tyre mbi bazën e ideve dhe vlerave europiane.

Ndikimet demografike shqiptare në gjeopolitikën ballkanike

Nisur jo vetëm nga teoritë e kohës për këtë problem, por më shumë nga dinamikat në terrenin ballkanik, mendoj se ndikimi i kriterit demografik të shqiptarëve në gjeopolitikën ballkanike është evident për disa arsye: Shtrirja e shqiptarëve në 6 shtete kryesore të Ballkanit; (Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Greqi, Mal të Zi, Serbi-Lugina e Preshevës).

Rritja e lartë e popullsisë shqiptare, krahasuar me rënien e numrit të popullsive të tjera ballkanike, në rajon; (numri i barabartë i popullsisë shqiptare me grekët, bullgarët, serbët aktualisht, plus dinamika në rritje e shqiptarëve).

Mobiliteti i popullsisë shqiptare, brenda dhe jashtë rajonit; (frekuenca e lëvizjes së shqiptarëve si një nga popujt mobil, lëvizjet për në Ballkan, Europë, SHBA).

Fuqizimi i shpejtë ekonomik i shqiptareve; (rritja e GDP-së, stabiliteti makroekonomik, të hyrat nga emigracioni etj.).

Stabiliteti politik në Shqipëri, Maqedoni, Kosovë, Mal të Zi; (MSA, fazat e avancuara të integrimit në NATO dhe BE).

Përmirësimi i statusit të shqiptarëve në emigracion; (shndërrimi i emigrantëve shqiptarë, në qytetarë të vendeve ku jetojnë e punojnë: në Itali- 80%, në Greqi-60%, Gjermani SHBA etj.).

Çfarë e favorizon ndikimin demografik shqiptar në gjeopolitikën ballkanike

Paqja është ndër faktorët parësorë për ndikimin e kriterit demografik në gjeopolitikë. Ballkani dhe përvojat e tij konfliktuale, me stereotipat e anatemuar përçarës (tre luftëraa në një shekull) pasojat e lëna fatale, me tendenca reminishente pasive, mund t’i qetësojë vetëm një paqe e qëndrueshme. Stabiliteti ndikon, po ashtu, në proceset demografiko-gjeopolitike. Aq më tepër kur dihet se rajoni ka vuajtur shumë kohë nga destabiliteti. Në ish-Jugosllavi, thuajse çdo dekadë, ndeshim kriza destabilizuese në trevat shqiptare (1958, 1968, 1974, 1981, 1989-1999.)

Zgjidhja e statuseve të shqiptarëve, në shkallë e në nivele të ndryshme, në vartësi nga shteti dhe nga pozita etnike, ka ndikuar pozitivisht për ndërvarësinë demografike-gjeopolitike në Ballkan. Një situatë e tillë do të jetë gjithnjë e më shumë me ndikim pozitiv në rajon. Demokracia, pa dyshim, ka krijuar klimën më të përshtatshme që shqiptarët të profilizojnë identitetin e tyre kombëtar, në frymën e vlerave të demokracisë europiane. Asgjë më shumë se demokracia nuk i ka ndihmuar shqiptarët në faktorizimin e tyre në rajon. Në aspektin demografik-gjeopolitik, shqiptarët, duke qenë përgjithësisht popullsi mobile, përfituan më shumë se kushdo në rajon nga katër lëvizjet europiane: lëvizja e njerëzve, ideve, mallrave e kapitaleve.

Europianizmi, si filozofi e hapjes, kooperimit, integrimit në kontinent, si antipod i nacional-shovinizmit, ksenofobisë e fanatizmit i ka konvenuar shumë dimensionimit të faktorit shqiptar, i cili, pa pasur doktrina nacionaliste, shpesh është viktimizuar e është sforcuar nga nacionalizmat e fqinjëve të vet. Europianizmi është “klima” më komode për natyrën paqedashëse e solidare të shqiptareve.

Euroatlantizmi, si “momentum”-mi, më i fuqishëm gjeopolitik bashkëkohor është “shtrati” ku është shtrirë, demografikisht, populli shqiptar. Mund të thuhet se trekëndëshi Ballkan-SHBA-Europë, është aksi ku identiteti politik shqiptar është formësuar, më së shumti, duke e bërë rajonin me më shumë ndikim dhe për të prodhuar stabilitet e paqe, në Ballkan.

Globalizmi, si “trendi” i mileniumit të ri, i përshtatet natyrës së popullit shqiptar, më shumë se çdo populli tjetër, në Ballkan, pasi për nga identiteti i tyre, shqiptaret janë popull multikonfesional, pranojnë fenë, civilizimet dhe diversitetin kulturor, si dukuri të brendshme dhe si ndërkombëtare njëherësh. Kjo i bën shqiptarët të jenë tolerantë, jo fanatike, aspak fondamentalë, në raport me asnjë lloj konfesioni fetaro-kulturor. Shqiptarët dhe globalizmi përkojnë në sistemin filozofik e shpirtëror, më mirë se çdo popull tjetër në rajon, ku ndikimet e nacionalizmave, fanatizmave fetare, të ksenofobive visone, janë prezentë, në forma të hapura apo të kamufluara.

Çfarë e disfavorizon

Tranzicioni i zgjatur dhe problematik krijon shqetësime për aspektet demografike e gjeopolitike të shqiptarëve. Shkalla e ulët e demokracisë pluraliste, defektet në drejtim të zbatimit të të drejtave dhe lirive të njeriut dhe të pakicave, mosfunksionimi i shtetit ligjor, defektet në ekonominë e tregut të lirë dhe të hapur etj., shkojnë kundër interesave të shqiptarëve dhe të vlerave të tyre në rajon. Përfundimi i tranzicionit do të jetë, në fakt, një erë e re për të ardhmen dhe rolin e tyre, ku interesat kombëtare të shqiptarëve janë, kryekëput, me interesat e popujve të tjerë, në dobi të demokratizimit të Ballkanit Perëndimor dhe të integrimit të tij në strukturat euroatlantike.

Vonesat e zvarritjet lidhur me marrëveshjen e Ohrit janë nga problemet më serioze që e komplikojnë dhe e sforcojnë faktorin demografiko-gjeopolitik shqiptar, për rrjedhojë, për vetë natyrën delikate të tij, ky problem krijon tensione dhe pasoja, në nivele lokale e rajonale, ndërsa implementimi me sukses i marrëveshjes do të sillte vlera stabilizuese jo vetëm për faktorin shqiptar, por edhe për gjithë Ballkanin.

Fragmentarizmi politik i skajshëm i shqiptarëve është një pengesë tepër serioze, që dëmton jo vetëm imazhin e tyre, por bjerr shumë energji, e cila mund të shkonte në dobi të rolit dhe të veprës së tyre, por edhe të prosperitetit të përgjithshëm të rajonit.

Mungesa e infrastrukturës mbarëshqiptare pengon seriozisht faktorin shqiptar si në funksionalizimin e rolit specifik të tij dhe në dobi të mbarëvajtjes së rajonit. Të dy korridoret, 8 dhe 10, kalojnë përmes territoreve me popullsi shqiptare. Është e kuptueshme se, çdo investim, në këtë drejtim, nuk është investim etnik, as kombëtar, por rajonal e mbareuropian.

Mungesa e kapaciteteve njerëzore e shtetformuese është një arsye tjetër që pengon seriozisht zhvillimin ekonomik e kulturor të rajonit dhe të proceseve demokratizuese të tij. Kërkohet një bashkëpunim e koordinim më i mirë i punëve, si në drejtim të përzgjedhjes, të ngritjes së nivelit administrativ e kulturor të elementëve të faktorit shqiptar në administratën publike, në proporcion me përfaqësimin politik, ashtu dhe të faktorëve rajonalë për të mbështetur ngritjen e administratave publike, sipas standardeve e parimeve europiane të pushtetit.

Pozita gjeografike, dinamika etnografike dhe gjeopolitika e shndërrojnë faktorin shqiptar në një nyje qendrore drejt Europës, së bashku dhe si pjesë dinjitoze e Gadishullit Ballkanik. Kjo do të thotë se stabiliteti, demokratizimi, zhvillimi ekonomik dhe integrimi i shqiptarëve janë vlera të rëndësishme të shtuara, për paqen, stabilitetin dhe integrimin e Ballkanit Perëndimor, në NATO dhe në BE, aspiratë e kahershme e popujve paqedashës dhe perspektivë e sigurt, për të ardhmen e tyre.

Sfidat e diplomacisë

Kuptohet se stabiliteti, prosperiteti, demokratizimi, integrimi, përfshirë dhe akomodimin e faktorit demografik shqiptar në Ballkan, rritja dhe dimensionimi i tij, përbejnë sfida për politikën e jashtme dhe diplomacinë shqiptare, kosovare dhe rajonale e ndërkombëtare.

Pavarësia e Kosovës përfaqëson jo vetëm një akt historik, të papërsëritshëm, kombëtar dhe ndërkombëtar, por edhe një realitet konkret e sfidant. Sfida e saj nuk është shpallja e pavarësisë (ajo ishte “rezultante historike” e objektive), por bërja e Kosovës një shtet demokratik, multietnik dhe europian, që do të thotë, para së gjithash, krijimi i kushteve, i rrethanave dhe garancive për përfshirjen e serbëve të Kosovës, për të marrë pjesë në institucionet e Kosovës, për të jetuar e punuar, vullnetarisht, së bashku me shumicën shqiptare e minoritetet e tjera, të mbështetur nga faktorët integrues ndërkombëtarë, duke gëzuar të gjitha të drejtat dhe liritë e tyre, në një bashkëjetesë të lirë e demokratike, në të gjithë territorin e Kosovës, duke u përfshirë në dinamikën e vrullshme të zhvillimeve politike ekonomike e kulturore të shtetit më të ri të kohës. Është detyrë e politikës, por edhe e diplomacisë kosovare, rajonale e ndërkombëtare, që “të kurdisin orët” për të mbështetur proceset demokratike në Kosovë dhe për të mos lejuar pakicat serbe të mbeten një “geto” në territorin e Kosovës, peng i politikave dritëshkurtra të Beogradit, duke gjeneruar, herë pas here, tensione të panevojshme, në Kosovë e në rajon.

Së dyti, mëvetësimi i gati “gjysmës tjetër” të kombit shqiptar, si shtet më vete, ndryshon “peshën specifike” të kombit dhe “qendra e gravitetit” kombëtar spostohet drejt verilindjes. Sfida tjetër e madhe është bashkëpunimi dhe integrimi i gjithanshëm ekonomik, kulturor, shkencor, financiar, në fushat prioritare energjetike arsimore lëvizjes së lirë, tregut të lirë e të hapur të përbashkët etj., mbi bazën e marrëdhënieve midis dy shteteve shqiptare, sovrane e të barabartë e në dobi të të gjithë shqiptarëve, në frymën e parimeve ndërkombëtare e europiane dhe të prosperitetit kombëtar të shqiptarëve, në Ballkan, drejt të njëjtit objektiv; të integrimit në strukturat euroatlantike.

* Ish-shefi i Misionit shqiptar ne Kosove







10 Mars 2009