Autori i Lajmit: Entela Duraj
Provimi i Matematikës



Maturantët grumbulluan 450 dhjeta në provimin e detyruar të Matematikës dhe vetëm 200 dhjeta në atë të Letërsisë. Por ndërsa në provimin e Letërsisë rezultuan mbetës 1600 maturantë në atë të Matematikës nuk e kaluan provimin mbi 2500 nxënës. Këta të fundit kësisoj humbin të drejtën për të konkurruar në universitet, ndërkohë që do t i rijapin provimet e maturës në vjeshtë (tetor).

Rezultatet

Rezultatet më të larta u arritën në gjimnazet e kryeqytetit ku sipas një renditjeje të bërë nga gazeta “Ballkan” (ku u krahasuan notat ndërmjet gjimnazeve) rezultoi se gjimnazi “Sami Frashëri”, në Tiranë ka marrë 46 dhjeta, i ndjekur nga “Ismail Qemali” me 43 dhjeta dhe Qemal Stafa me 37 nota dhjetë. Një rënie të rezultateve këtë vit, ndryshe nga ç pritej, pati shkolla e mesme Petro Nini Luarasi e cila grumbulloi vetëm 22 dhjeta. Për sa i përket numrit të mbetësve ai qe tepër i ulët në shkollat e mesme të Tiranës, krahasuar me gjimnazet në rrethe. Po ashtu, Tirana grumbulloi edhe pjesën më të madhe të dhjetave në të gjithë Shqipërinë.

AVA

“Janë marrë rreth 450 dhjeta (pjesa më e madhe në Tiranë), pra më shumë se sa në provimin e Letërsisë ku u morën vetëm 200 dhjeta në të gjitha shkollat e vendit. Rezultojnë më shumë mbetës se sa në letërsi (1600 me 2500), ndërkohë që numri i nxënësve që kanë arritur të grumbullojnë pikët maksimale është i njëjtë, jo më shumë se 15 maturantë që kanë marrë 50 pikë të plota”, - u shpreh pas përfundimit të korrigjimit të testeve, drejtori i Agjencisë Qendrore të Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve, AVA, Alfons Harizaj.

Sami Frashëri

“Shkolla “Sami Frashëri” ka dalë mirë me rezultatet e Matematikës. Janë marrë mbi 40 dhjeta dhe rezultojnë vetëm 2 mbetës. Janë të njëjtat rezultate me paratestimin pilot që ne bëmë disa ditë para se të bëhej provimi shtetëror i detyruar, ku notat dolën gati njëlloj, gjithsej 10 (dhjeta)dhe 9 (nënta) janë marrë rreth 139”,- u shprehën burime nga drejtoria e shkollës së mesme “Sami Frashëri” në Tiranë.

A.Z.Çajupi

“Në përgjithësi nxënësit dolën mirë. Por pati edhe disa raste për të cilat na ka ardhur keq edhe ne mësuesve, kjo me disa nxënës të dhjetës (10-ës), të cilët kanë zbritur te nota (7) apo tetë (8) në provimin e Matematikës. Ndërsa për sa u përket nxënësve mbetës nuk u befasuan, pasi janë vlerësur me notë negative pikërisht ata nxënës që kanë pasur rezultate të dobëta edhe gjatë vitit, por që ne u dhamë mundësinë të provonin veten në testimin e detyruar (kjo edhe me kërkesë të prindërve). Tashmë ata kanë humbur të drejtën për në universitet dhe do t i rijapin provimet në vjeshtë. Gjatë këtij sezoni të ridhënies së provimeve ka pasur raste kur nxënësit kanë ngelur sërish (nga eksperienca e vitit të kaluar), por ka pasur edhe raste kur nxënës të 6-ës kanë marrë dhjetë apo nxënës të katrës kanë marrë 7 në provimet e detyruara ,- u shprehën burime nga drejtoria e shkollës “A.Z. Çajupi”.



Tiranë



Shkolla e mesme --- nr.i Maturantëve --- Notat 10 (dhjetë)------notat 4 (katër)



1.Sami Frashëri 352 maturantë: 46 dhjeta, 2 katra



2. Ismail Qemali 276 maturantë : 43 dhjeta, 2 katra



3. Qemal Stafa 308 maturantë: 37 dhjeta, 0 katra



4. Petro Nini Luarasi 428 maturantë: 22 dhjeta, 1 katër



5. Partizani 280 maturantë: 4 dhjeta, 8 katra



6. A.Z.Çajupi 379 maturantë: 5 dhjeta, 28 katra

Ky lajm është publikuar: 27/06/2009