GJIROKASTER - Të vdekurve në qytetin e Gjirokastrës, do t'u jepet sërish mundësia për të "votuar". Emrat e tyre do të figurojnë në listat zgjedhore që do të publikohen disa javë para mbajtjes së votimeve. Në këtë mënyrë hidhen poshtë të gjitha deklaratat e mëparshme të autoriteteve ministrore se, të gjitha listat zgjedhore janë të pastruara nga emrat e atyre që nuk jetojnë më. Duket se asgjë nuk ka ndryshuar nga zgjedhjet e fundit, ku prania e personave të vdekur 50 vjet më parë, u konsiderua si gabimi i radhës nga ana e zyrave të Gjendjes Civile në vend. Sot ata kanë sërish të drejtë të "votojnë". Vetëm në Bashkinë e Gjirokastrës, pas një kalkulimi të përgjithshëm të kryer kohët e fundit, rezultojnë se në këto lista deri më tani janë evidentuar 35 persona të lindur para një shekulli e gjysmë. Në bazë të të dhënave konkrete zyrtare, emrat e personave të vdekur 150 vjet më parë, do të shoqërojnë personat e gjallë në listat shumëemërore për zgjedhjet e 28 qershorit të këtij viti. Kanë qenë disa nga gabimet e vërejtura në listat zgjedhore, duke mos lënë pas dore edhe personat dublantë të gjendur në to. Ky fakt është komentuar edhe nga prefekti i Qarkut të Gjirokastrës Spiro Ksera. Sipas tij, heqja nga lista e zgjedhësve e personave të cilët nuk jetojnë më, kryhet vetëm me vendim gjykate. "Kështu e thotë ligji. Sipas tij, heqja e emrave të personave që nuk jetojnë më, duhet të kryhet vetëm nëse një familjar i tyre do të hapte një proces gjyqësor ku të legjitimohej ky akt", pohoi Ksera. E nëse familjarët e personave që kanë ndërruar jetë 70 vjet më parë nuk hapin gjyq, atëherë sërish emri i personave të ndjerë, do të figurojë në listat zgjedhore të 28 qershorit. Personi më i vjetër që figuron në këto lista i përket ditëlindjes 1863, çka do të thotë se nëse do të jetonte do të ishte plot 146 vjeç.                  p.n