Kurat e duhura për shmangien e rënies së flokëve. Këshillat e duhura që të mos thinjemi shpejt


Bukuria e njeriut nis tek flokët. Flokët kanë një rëndësi shumë të madhe për estetikën e njeriut. Rënia e tyre është e dukshme si tek femrat edhe tek meshkujt, por më e theksuar është tek meshkujt. Por përse bien flokët? A është i mundur parandalimi i këtij fenomeni? Si mund të trajtohet rënia e tyre? Në suplementin e sotëm të gazetës “Albania”, ju do të gjeni gjithçka që duhet të dini për flokun tuaj, për problemet që ai ka, për mënyrën se si duhet t’i trajtoni dhe si të keni flokë sa më të shëndetshëm. Falë informacioni të gjatë për flokun ju nuk do t’ia besoni më kokën tuaj parukiereve, të cilat shpeshherë nga mungesa e informacionit të klientit vendosin mbi flokun tuaj dhe rezultati nuk del gjithmonë pozitiv. Ndërsa për të gjitha pyetjet që ju keni për problemet shëndetësore mund të na shkruani në adresën tonë të e_mailit:albania.shëndetësia@gmail.com. Specialistja e mjekësisë bimore, Mimoza Petani do t’iu përgjigjet për çdo shqetësim me këshillat e saj. Floku është gjysma e bukurisë. Kështu thotë një shprehje e artit të parukerisë. Në të vërtetë floku është një pjesë shumë e rëndësishme që ndikon dukshëm në paraqitjen e jashtme të secilit prej nesh. Por që të jetë vërtetë gjysma e bukurisë ai duhet të jetë sa më i shëndetshëm dhe një flok i tillë rritet vetëm në një trup të shëndetshëm. Në të kundërt, flokët jo të shëndetshëm, që nuk rrinë mirë, që janë të djegura, përveçse krijojnë një nervozizëm për personin japin dhe një pamje jo të mirë.

Rënia e flokëve

Rënia e flokëve, ashtu si ngjyra e syve, është një tipar i trashëgueshëm. Me kalimin e kohës, floku bëhet i hollë dhe bie kur folikulat vdesin. Gjenet që provokojnë rënien e flokut janë të transmetueshme nga të dy prindërit. Është i kotë riti që ndiqet shpesh nga prindërit për të qethur fëmijët e vegjël, në mënyrë që të rritet dhe shtohet floku. Nëse njeri nga prindërit vuan rënien e flokut, ajo do transmetohet tek fëmija nëse ai ka marrë gjenet e tij. Por nga ana tjetër, nuk është e thënë që prindi vuan rënien e flokut dhe patjetër duhet ta ketë dhe fëmija. Kjo është në varësi se nga cili prind i janë transmetuar gjenet fëmijës. Pikërisht me këtë fakt shpjegohen dhe rastet e shumta që ndodhin brenda një familjeje, ku njëri vëlla është tullac, ndërsa tjetri ka një dendësi të madhe të flokëve. Rënia e flokëve fillon që 20 vjeç, por ajo vihet re vetëm kur personi arrin në të 30-at. Rënia e flokëve nga trashëgimia është tipike në pjesën ballore dhe anash ballit.

Stresi

Stresi është një faktor shumë rëndues në rënien e flokut. Në ndryshim me faktorin gjenetik, rënia e flokëve, për arsye stresi, është e shpërndarë në të gjithë zonën ku ka flokë ose e lokalizuar në formë rrethore. Sipas specialistëve, dietat e keqbalancuara sjellin si rezultat një keqekuilibrim të ushqimeve të nevojshme për organizmin. Mungesa e proteinave mund të ndryshojë prodhimin normal të flokëve dhe të bëjnë që flokët të hyjnë në një fazë pushimi dhe për dy apo tre muaj do të shfaqet humbja e flokëve në masë.

Infeksioni

Ndodh shpesh që shfaqet dukuria e humbjes së flokëve pas kalimit të ndonjë infeksioni, si ethe të forta, operacione, etj. Gjithashtu, dhe pas çrregullimeve të funksionimit të gjëndrave tiroide ndodh rënia e flokëve. Në këto raste është e nevojshme t’i jepet fund me trajtim për t’i normalizuar. Po ashtu, shfaqet ky fenomen kur ka mosfunksionim të hormoneve mashkullore, të njohura si androgjene, ose femërore të njohura si estrogjene. Në këto raste, korrigjimi i disekuilibrit eviton rënien e flokut. Gjithashtu, disa sëmundje shoqërohen nga rënia e flokëve, siç është rasti i diabetit dhe e kundërta. Rënia e flokëve është një paralajmërim se ndonjë sëmundje serioze po fillon të shfaqet. Medikamentet që përdorim për shërimin e sëmundjeve ndikojnë në rënien e flokut. Në këto raste lind si domosdoshmëri shtyrja e kurës së sëmundjes ose duhen marrë parasysh më parë pasojat e marrjes së këtyre medikamenteve. Rënia e flokëve nga marrja e medikamenteve zakonisht është e kthyeshme dhe përgjithësisht pa probleme.

Pakujdesia

Veset e këqija dhe pakujdesia. Abuzimi me trajtimet kozmetike me cilësi të keqe, agresive dhe përdorimi i vazhdueshëm i tyre, thyejnë kapilarët e flokut duke bërë të mundur rënien e tyre. Një armik i flokut është edhe larja e tyre shumë e shpeshtë dhe krehja me avuj të nxehtë që bëjnë të mundur këputjen e tyre dhe provokojnë dizekuilibër në shtresën e yndyrshme të lëkurës.

Keni parasysh

Një njeri i shëndetshëm ka nga 100.000 deri 130.000 qime flokësh. Floku i njeriut zgjatet me rreth 2 milimetra në javë. Ushqimi i keq dhe sëmundjet e ndërpresin procesin e rritjes së flokëve. Është thelbësore mbajtja e higjienës për flokun. Me këtë duhet të kuptohet zgjedhja e shampos së përshtatshme për tipin e flokut. Nuk është e këshillueshme ndërrimi i shpeshtë i llojit e shampos. Nëse flokët i lyeni, boja duhet aplikuar së pari në një tufë të vogël flokësh për shmangien e efekteve anësore. Rreth 70 për qind e meshkujve në botë, sipas studimeve, vuajnë nga rënia e flokëve. Sipas specialistëve, përveç trashëgimisë, fajin për këtë e ka edhe hormoni testosterone, i cili është armiku numër një për rënien e flokëve.



Kujdes!

1-Kontrolloni stresin

2-Mbani një dietë të përshtatshme

3-Pini të paktën dy kg ujë në ditë

4-Konsumoni fruta, perime dhe proteina, me ane të të cilave marrim vitaminat, minerale dhe materiale strukturale thelbësore në rikonstruktimin kapilar

5-Evitoni sa më shumë konsumimin e yndyrave shtazore, duke i zëvendësuar me vajra natyrale, veçanërisht me vajin e ullirit

6-Evitoni ushqimet e skuqura

7-Përdorni sallata të ndryshme

8-Dielli i pishinës dhe i detit është i dëmshëm për flokët

9-Mos e ndërroni shpesh shampon









Faqja 14



Ekzaminimi i flokut



Tek floku shohim tre ekzaminime që në fillim; gjendjen e lëkurës, gjendjen e flokut dhe cilësinë e flokut. Gjendja e lëkurës ndodhet normale, e lyrshme, e ndjeshme. Gjendja e flokut ndahet në normale, e dëmtuar, e ndjeshme. Cilësia e flokut ndahet në normale, të trasha, të holla. Flokët lindin brenda në disa kapsula të lëkurës dhe në vazhdim duke u rritur dalin jashtë saj. Këto kapsula quhen solinat mbajtëse dhe mbështjellin pjesën e brendshme të rrënjës së flokut. Shumë mendojnë që kjo është rrënja e flokut, por po ta vëmë re kur bie një fije floku në fund është edhe solina. Në vendin ku ra kjo fije mbin një tjetër, gjë që tregon se rrënja është brenda. Solina është brenda një kisti që mban qeliza të gjalla që i duhen flokut. Këto qeliza prodhohen nga rrënja e vërtetë e flokut që ndodhet saktësisht poshtë kësaj soline. Rrënja përbëhet nga disa copëza të vogla, roli i të cilave është të ushqejnë ngjyrën e tyre natyrale. Kur rrënja pushon së dhëni solinë, flokët bëhen të bardha dhe ky fenomen quhet thinjë. Kur këto copëza të rrënjës pushojnë së punuari, atëherë bien. Ky fenomen quhet tullëzim i kokës. Brenda në këto copëza të rrënjës ka një lëndë që përmban një masë të lyrshme. Kur kjo dukuri është normale atëherë floku është i shëndetshëm dhe me shkëlqim. Kur kjo masë është hiperbolike, atëherë flokët janë të lyrshëm dhe ngjisin. Në të kundërt kur kjo masë ka mungesa, flokët janë të thatë, elektrizohen dhe ndahen.

Ndërtimi i fijes së flokut

Pjesa e brendshme e flokut quhet trup. Shumë mbështesin faktin se trupi është pjesa e vdekur e flokut, por kjo nuk është e vërtetë, pasi shohim se si kundërvepron floku në përdorimin e substancave shkatërruese ose shëruese, vetëm se fija e flokut nuk ka sistem nervor dhe prandaj prerja e flokut nuk dhemb. Duke prekur një flok që është në gjendje të mirë, kemi përshtypjen se prekim një solme të lëmuar. Në të vërtetë nëse shohim një fije floku në mikroskop, do të vëmë re që mbështillet nga luspa si luspat e peshkut. Poshtë këtyre luspave ndodhet trupi i brendshëm i flokut dhe brenda saj janë pilezat ngjyruese që quhen melonine. Brenda saktësisht në mes të trupit ndodhet palca e flokut që quhet solina e palcës. Në çastin e lindjes së flokut, domethënë sapo fillon të dalë nga lëkura floku është i butë dhe i paqëndrueshëm. Oksigjeni i natyrës (atmosfera) forcon luspat e flokut të cilat marrin përsipër të ruajnë flokun në vazhdim të jetës së tij.

Roli dhe funksioni i luspave

Siç thamë edhe më lartë luspat kanë si qëllim të ruajnë trupin e brendshëm të flokut. Kur luspat janë të mbyllura njëra me tjetrën pamja e flokut është e lëmuar dhe me shkëlqim. Në të kundërt kur luspat janë të hapura atëherë flokët janë të ashpër dhe ngatërrohen kur i krehim. Gjithashtu duken si të djegura. Kështu kuptohet që flokët janë të sëmurë dhe kanë nevojë për trajtim. Para çdo lloj pune teknike që do të bëhet mbi flokë, më parë duhet të bëhet hapja e luspave që të çlirohen poret e trupit nëpërmjet të cilave do të kalojnë kimikatet, për shembull, boja do të hyjë në pjesën e brendshme të flokut. Substancat alkoolike kanë veti të hapin luspat. Më pas është e kundërta. Duhet të bëhet mbyllja e luspave që floku të fitojë natyrshmërinë dhe shkëlqimin.

Karakteristikat kryesore të flokut

Floku është shoku i ujit. Sa më i thatë të jetë floku aq më lehtë ndahet. Floku thith vetë yndyrë që i nevojitet nga atmosfera. Numri i fijeve të flokut të një koke luhatet nga 120-150 mijë fije. Shumica e flokëve ndodhen në pjesën e pasme të kokës dhe më pak në pjesën e përparme. Gjatësia e flokut që rritet brenda një viti varion nga 12-15 mm në ose 1.5 cm në muaj. Jeta e flokut është shumë e shpejtë. Flokët majë kokës dhe të zverkut rrojnë nga 5-6 vjet. Pas kësaj kohe ato shkëputen nga rrënja e tyre dhe bien bashkë me solinën. Rënia normale e flokut duhet të jetë nga 10-30 qime në ditë. Pas rënies së flokut të vjetër nga e njëjta rrënjë del e reja. Periudha e rënies së flokut që është në mes nga vdekja e fijes ë flokut deri tek maja është 3 muaj. Kjo është një hollësi që shërben për të shmangur ankthin e grave dhe burrave që kërkojnë shkakun e rënies së flokut në një solucion që përdoret tre ditë më parë. Pikat ngjyruese prodhohen nga rrënja e flokut dhe u japin atyre ngjyrën natyrale dhe këtë funksion e kryen melanizmi. Melanizmi jepet në dy forma; në ato që japin të kuqe dhe në ato që japin bionde.



Tipet e flokëve



Flokët normalë



Flokët janë normalë atëherë kur nuk kanë anomali në rrënjë dhe në gjatësinë e tyre. Flokë të tillë janë të shkëlqyeshëm, të fortë dhe të shëndetshëm. Ideale për to është kur ne i kemi gjithnjë në ekuilibër, duke përdorur produkte delikate në larjen dhe pastrimin e tyre, por pa dyshim dhe në trajtim. Është mirë të mos përdorim shampo dhe balsame shumë agresive, dhe një herë në muaj të përdorim maska ushqyese.

Flokët e thatë

Thatësia e flokëve varet nga shkaqet fiziologjike ose dhe nga shkaqet ambientale. Shumë herë floku është i thatë, sepse nuk lubrifikohet mirë nga organizmi, por mund të bëhet i thatë dhe për shkak të diellit, erës, si dhe për shkak të mungesës së lagështisë së ajrit që e privojnë atë nga hidratimi. Flokë të tillë dallohen, sepse janë të ashpër, të thatë me fije në rrënjë dhe nuk rrinë bukur. Trajtimet e ashpra e keqësojnë akoma dhe më shumë punën. Dhe këto janë tharja me fon, drejtimet me piastër, dekolorimet dhe permanenti. Flokët e thatë kanë gjithnjë dy fije dhe këputen menjëherë. Që t’i kthejmë në të shëndetshëm duhet ti trajtojmë me prodhime hidratuese dhe të ëmbla. Maskat që duhet të përdoren në këtë rast janë me bazë avokadoje, vaji dhe veze.

Flokët me yndyrë

Kur flokët kanë një pamje prej vaji dhe të ndritshme, që duken sikur peshojnë shumë dhe bëhen pis menjëherë, natyra e tyre është flokë i yndyrshëm. Ky fenomen ndodh për shkak të një sekrecioni të shpeshtë, dhe vjen nga natyra e brendshme e organizmit, por vjen dhe si rrjedhim i stresit tek njeriu, mënyra e të ushqyerit dhe smogu ambiental. Kush ka këto lloj flokësh përpiqet ti lajë shpesh, madje edhe çdo ditë. Nëse keni një tip të tillë floku duhet të kini kujdes nga sapuni i tepërt, sepse sjell një përkeqësim të situatës. Produktet që duhet të përdoren tek floku i yndyrshëm janë specifike për flokët me yndyrë dhe për larje të shpeshta. Nëse ka një problem shëndetësor duhet ti drejtoheni dermatologut, në mënyrë që ky i fundit të vendosë një trajtim të personalizuar. Përdorimi i një çaji me nenexhik përpara se të shpëlani i ndihmon flokët. Gjithashtu, dhe esenca e qiparisit ndihmon shumë, sepse riekuilibron lëkurën e flokut.

Flokët me zbokth

Zbokthi, që shihet mbi flokë vjen si rrjedhim i një shqetësimi të vërtetë dhe ka të bëjë me shpërbërjen e lëkurës së kokës, dhe një shkëmbim i shpejtuar i lëkurës së kokës. Në këto raste flokët janë shumë të dobët, dhe shpesh bashkë me zbokthin kemi dhe shtim të kruarjes së kokës dhe yndyrë. Shkaqet vijnë që nga mënyra e të ushqyerit deri tek problemet psikologjike. Trajtimet duhet të jenë specifike dhe delikate, në mënyrë që të mos e rëndojmë fenomenin e zbokthit. Mund të ndihmojnë në këtë rast maska

me vaj dhe me masazh. Nëse fenomeni rritet duhet të

shkohet tek mjeku. Ndihmojnë dhe maskat me rozmarinë, apo me hithra që përdoren pas larjes.

Flokët e trajtuar

Flokët e trajtuar dhe të lyer kanë një nevojë të veçantë për përkujdesje. Përbërësit që përdoren në lyerje, në drejtimin dhe përbërësit e permanentit i dobësojnë. Shampoja duhet të jetë shumë delikate dhe specifike, sepse ajo përbën karakteristikat e trajtimit dhe në të njëjtën kohë mbron kurorën e flokëve. Për ti dhënë ndriçim dhe peshën e duhur mund të provojmë një maskë me vaj bajamesh ose arrash.

Flokët që bien

Të gjitha flokët bien në periudhën e pak viteve, duke u zëvendësuar gjithnjë me të reja. Në vjeshtë kemi një rritje të rënies së flokëve. Faktori është stinor dhe zgjat disa javë, në rast të kundërt duhet të përdorim ushqime që rrisin formimin e keratinës. Për këtë shërben proteina, glicina dhe çistina, oligoelementët, si dhe vitaminat apo aminoacidet. Shampot që duhet të përdoren duhet të respektojnë lëkurën dhe ti japin vitalitet. Vaji kryesor që mund të përdoret si popullor është ai i borzilokut i cili stimulon rritjen e flokut. Një zgjidhje që mund të bëhet vetë në shtëpi është të fërkosh lëkurën e kokës me disa lugë raki, një trajtim që duhet bërë në mbrëmje dhe duhet larë në mëngjes. Në vend të rakisë ka njerëz që përdorin dhe lëngun e zier me rozmarinë.

Koka tullë

Rëniet e flokëve prekin si burrin dhe gruan dhe shkaqet janë gjithnjë të lidhura me faktorë hormonalë dhe gjenetikë. Në rast se kokën e keni tullë duhet të pastroni me shumë kujdes lëkurën e saj. Duhet të përdorni trajtime me baltë termale për bukurinë e lëkurës së kokës. Mund të përdorni dhe ujin e rozmarinës dhe të eukaliptit për flokët që nuk duan t’ju rriten.



Faqja 15



Sëmundjet e flokut dhe lëkurës së kokës

Lëkura

Përderisa flokët jetojnë me rrënjë dhe ajo është e vendosur nën lëkurë duhet patjetër të analizohet gjendja e lëkurës. Le të themi më parë disa gjëra për rolin e lëkurës, për ndjeshmërinë, qëndrueshmërinë. Lëkura luan rol të jashtëzakonshëm, por më kryesorja është që përbën një shtresë mbrojtëse për trupin e njeriut. Lëkura ka nerva të cilat japin një ndjeshmëri të madhe ndaj kushteve të jashtme (makineri, atmosfera dhe kimikate). Gjithashtu, elasticiteti dhe qëndrueshmëria e lëkurës japin qëndrueshmërinë ndaj goditjeve që ajo pranon.

Shtresat e lëkurës

Lëkura ndahet në tetë pjesë ose shtresa të ndryshme. Ne na interesojnë vetëm tre të parat; epiderma, kjo ka tre shtresa; derma është më e trashë se epidrema përsa i përket faktorëve të jashtëm; nënderma, roli i sajë është shumë i vogël në lidhje me dy të parat.



Sëmundjet e flokut



Rënia e pjesshme e flokut. Kjo nuk është e përhershme dhe ky është dallimi që ka me rënien (tullëzimin) e kokës



Mungesa e flokëve tek të porsalindurit. Kjo vihet re në të gjitha pjesët e trupit ku duhet të ketë qime. Deri sot për këtë sëmundje nuk është gjetur shërim



Flokët anormal. Në kundërshtim me rastin e mëparshëm fëmija lind me flokë që pas disa javësh bien, nuk dalin, ose ridalin anormal, domethënë lindin në kokë me periudha dhe nuk rriten më shumë se 3-4 cm me ngjyrë hiri.



Gërshërëza. Në këtë tast fundi i flokut ndahet. Kjo i dedikohet larjes së shpeshtë, atmosferës dhe përdorimit të kimikateve shumë të fuqishëm. Gjithashtu, krehja e fuqishme me furçe si dhe përdorimi i keq i veglave elektrike mund të sjellin si rezultat këtë sëmundje

Pushëzimi. Në këtë sëmundje flokët janë shumë të holla, të shkurtra dhe nuk rriten si dhe kanë pamjen e pushit

Floku i thatë. Në këtë rast vëmë re fryrje të flokut, e cila merr pamjen e një litari me nyje. Në vazhdim flokët bëhen me gërshërëza. Kjo sëmundje provokohet nga përdorimi i ilaçeve bazike



Sëmundja e lëkurës së kokës

Zbokthi

Kjo është rrjepja e lëkurës së kokës duke krijuar copëza të vogla me madhësi 2-3 mm. Ky lloj zbokthi nëse nuk luftohet do të përfundojë në lyrë. Diçka e rëndësishme që duhet të dimë: në këtë rast nuk kemi kurrë rënie të flokut siç është në rastin e flokut të lyrshëm.

Të lyrshëm

Ky është një kalim nga periudha e zbokthit të thatë dhe ndjek këtë rrugë: Zbokthi i thatë bashkohet me kalimin e kohës, copëzat e vogla bashkohen me njëra tjetrën nëpërmjet masës ë lyrshme që pamë më lart dhe krijohen copëza të mëdha. Kështu bëhen gjithnjë e më të mëdha duke krijuar një shtresë të lyrshme në kokë. Zbokthi i lyrshëm provokon kruarje dhe irritim dhe është shumë e mundshme rënia e flokëve. Terapia për të trajtuar këtë problem duhet të jetë e vazhdueshme dhe e shumëllojshme.

Zbardhja e flokut

Kjo shkaktohet nga dy faktorë: mplakja e mekanizmit që nuk asnjë lidhje me vetë mplakjen; provokohet nga një pikë hiperbolike ose nga një ankth psikologjik. Kjo sëmundje është një fenomen i rrallë, por provokon zbardhjen e flokut, sepse prishet drejtpeshimi kimik i organizmit; Rënia e flokut me zona. Floku është i thatë dhe karakterizohet nga rënia me zona, nuk është ngjitës, por me kohë mbulon të gjithë zonën e kokës. Për terapi, parukieri duhet të këmbëngul tek ndërhyrja e menjëhershme e mjekut. Rënia e flokut por me qelb. Është sëmundje e rrallë, e rënd dhe ngjitëse. Flokët bien me pllaka dhe lëkura e kokës mpihet me qelb. Ndërhyrja e mjekut është e domosdoshme dhe pa humbur kohë.

Alergjia

Ndjeshmëria hiperbolike e trupit në pjesë të ndryshme të tij quhet alergji. Ka njerëz që kanë alergji prej pluhurit, ilaçeve, luleve, mjeteve të kozmetikës etj. Këto shqetësime disa herë janë të lehta dhe disa here janë të provokueshme për sëmundje të rënda. Njeriu alergjik ka këto shenja: flluska, skuqje, fryrje, ekzem, të cilat gërshetohen me temperaturë dhe shenja të tjera. Parukieri për shkak të natyrës së punës së tij është në kontakt me bojëra dhe ilaçe permanenti, gjithashtu duart e tij nga larjet e vazhdueshme dhe nga punët e ndryshme teknike ka rrezik ti shkaktohet çarje brenda të cilave mund të hyjnë përbërje të ndryshme që shkaktojnë alergji. Prandaj duhet të përdoret dorezat gjatë lyerheve si dhe duhet ti bëhet klientit një test. Kjo bëhet 24 orë para lyerjes për të eliminuar problemet që mund ta çonin klientin në spital.

Rënia e flokëve

Në organizmin e njeriut ka dy lloj hormonesh, femërore dhe mashkullore. Flokët ngacmohen vetëm nga hormonet femërore, pavarësisht nga seksi i personit. Kjo shpjegon edhe fenomenin e tullëzimit që shfaqet tek burrat, sepse mbizotërojnë hormonet mashkullore. Qëllimi kryesor është të dimë që plakja e flokut mund të fillojë që 14-vjeç. Deri më sot nuk është zbuluar ndonjë ilaç që të kundërveprojë këtë rënie të flokut, por ka ilaçe që parandalojnë ose e ngadalësojnë këtë rënie.



Faqja 16

Boja

Boja në punën e parukierit nënkupton veprimin me anën e të cilit fusim ose heqim te një flok një përbërje të tillë që në sy të na japë ndryshim të pamjes, por pa ndërprerë jetën e fijes së flokut. Arti i lyerjes është i njohur tek njerëzit qysh në kohët më të lashta. Në Egjiptin e vjetër dokumentohet lyerja e flokut dhe e thonjve. Lyerja shërben të na japë një ngjyrë natyrale, sa më homogjene dhe të natyrshme. Arti i lyerjes i larguar tashmë nga misteri që i vishte më parë, është sot për parukierin fusha më fitimprurëse dhe e suksesshme e punës së tij.

Problemet e lyerjes

Dy janë problemet kryesore të lyerjes së flokut me bojë. Së pari është kundërveprimi i bojës tek flokët dhe së dyti kundërveprimi i bojës tek organizmi. Por në disa raste të veçanta ndodh që edhe floku kundërveprojë në mënyra të ndryshme ndaj bojës. Për shembull, lyerja e flokëve me thinja është më e vështirë se sa lyerja e flokëve një tonësh. Kjo sepse flokët me thinja kanë humbur melanizmin (pigmentin) dhe lagështirën e tyre dhe janë më pak të ndjeshëm. Mënyra që e kthen këtë flok me thinja në normalitet quhet moltadazh. Kjo është e fuqishme aq sa është nevoja për në shkallën e fijes së flokut.

Alergjia nga boja

Një nga gabimet kryesore në procesin e lyerjes së flokut është mosbërja e provës së alergjisë. Kjo është e detyrueshme kur klienti lyhet për herë të parë, 24 orë para lyerjes duhet të bëjë provën e alergjisë në këtë mënyrë: Me pak pambuk me alkool ose kolonjë, pastrojeni pjesën prapa veshit, përzieni shumë pak bojë me oksikrem nga ai që do të përdorni për lyerjen dhe lyejmë pjesën e lëkurës, se alergjia nga boja nuk shfaqet tek flokët por në lëkurë.

Masat

Nëse gjatë lyerjes shfaqet alergjia nga boja klienti duhet të shpëlahet nga boja dhe përgatitet kjo përzierje: Në 1 litër ujë të vakët përzihen 150 gramë kripë gjelle dhe 50 gramë oksigjen farmacie 10 gradësh. Kjo përzieje aplikohet 4 herë dhe për çdo herë përdoret ¼ e përzierjes dhe duhet të kalojë 3 minuta nga njëra shpëlarje tek tjetra. Duhet të tregohet kujdes që përzierja të shpërndahet në të gjithë kokën dhe në fund koka duhet të shpëlahet shumë mirë me ujë të pastër. Pas shpëlarjes klienteja duhet të shkojë tek dermatologu. Nëse shenjat e alergjisë nuk shfaqen menjëherë por pasi kalojnë 24 orë, atëherë përzierja e kripës me oksigjenin dhe ujin nuk nevojitet. Urgjentisht personi duhet të shkojë tek dermatologu dhe me vete të marrë edhe kutinë e bojës së përdorur, sepse e ndihmojnë dermatologun në përcaktimin e terapisë, pasi kutia i ka të shkruar përbërësit e saj kimikë. Kujdes! Është e ndaluar rreptësisht të lahet floku me shampo kur janë shfaqur shenjat e alergjisë, sepse në këtë rast lëndohet më tepër gjendja.

Tipet e bojërave

Në kohët e mëparshme janë përdorur bojërat me prejardhje

nga lëngjet bimore. Me kalimin e kohës me zbulime të ndryshme të kenikës u ec përpara me procesin e lyerjes. Bojërat që në fillim ishin të lëngshme, nuk mund të hapnin luspat dhe si rezultat kishin vetëm veshje të përkohshme të pamjes së flokëve. Ato ishin shumë refleksdhënëse dhe terapike. Sot, bojërat ndahen në tre grupe: Bojërat bazike me amoniak; Bojëra natyrale (këna, kamomil, gjethe arre, aloe vera etj); Bojërat acide.

Bojërat bazike

Bojërat bazike, amoniaku në bashkëpunim me substanca të tjera përbërëse të bojës me prejardhje parafine, çlirojnë oksigjenin, që jep vetinë më ngjyruese të bojës. Është e njohur që ngjyra e flokëve nga e zeza tek ajo bionde, shkallëzohet në 10 ngjyra dhe secila nga këto ka ndryshim një ton. Për shembull, 5 është 1 ton më i hapur se 4 dhe 6 është 1 ton më e errët se 7.

Bojërat natyrale (kënaja)

Këto bojëra janë përdorur që në kohët më të lashta dhe kështu vazhdojnë të përdoren edhe në ditët tona pa përzierje në to të kimikateve. Kënaja që është një bimë natyrale në formë çaji përdorej në këtë mënyrë: Ziejmë 200 gramë këna në gjysmë litri ujë. Hedhim 3-4 pika uthull dhe e lemë sa të bëhet gjysma e lëngut dhe më pas e shpëlajmë mirë kokën me këtë përzierje. Pastaj koka mbështillet me një qese dhe lihet ashtu për 8-10 orë. Pas gjithë kësaj koka duhet të shpëlahet mirë me ujë të bollshëm.

Kamomili

Marrim një grusht me lule të thata të kamomilit dhe i ziejmë në ¼ litër ujë ose një gotë ujë. Ky lëng aplikohet vetëm në flokë të çelur deri tek numrat 6, 7, 8 9. Kjo përzieje arrin të çelë këto flokë nga 1 ton deri në katër ton, me një përdorim të shpeshtë. Gjatë kohës që floku është lyer me këtë lëng duhet të qëndrojmë në diell.

Gjethet e arrës

Zihen gjysmë litër me gjethe të njoma arre në 1 litër ujë. Ato japin një lëng të zi. Pasi janë zier për rreth ¼ orë këtë përzierje e fusim në një enë qelqi dhe e përdorim si shpëlarës për herë të fundit në larje të njëpasnjëshme. Kjo bën që floku të marrë nuancë dhe shkëlqim në ngjyrë ushtarake. Aplikohet në flokë me ngjyrë gështenjë.

Bojërat acide

Këto janë bojëra që shërbejnë për dekolorim dhe dekapazh.

Bojëra të tilla e dëmtojnë flokun, sepse kanë përbërës acidë. Dekolorimi nuk është gjë tjetër veçse heqja e melanimit nga fija e flokut. Për bërjen e dekoloracionit nga ai më i lehti e deri tek ai më i fuqishmi, flokët duhet të jenë të palarë për më shumë se katër ditë. Ndërsa dekapazhi është zbardhja teknike e flokut të lyer



Gabimet që bëhen gjatë lyerjes

1. Të lyhen flokët të lara

Rregulli: Flokët duhet të lyhen kur ato janë të paktën katër ditë të palarë

2. Mosvënia e kremit tek pjesët e lëkurës pranë rrënjës së flokut

Rregulli: Duhet të lyhet fytyra rreth e qark me krem ose xhel me kusht që qimet të mos prekin tek kremi ose tek xheli

3. Vënia e bojës në vendet e paduhura

Rregulli: Përzierja e bojës vendoset vetëm aty ku ka mbirje të flokut

4. Përcaktimi jo i drejtë i kohëqendrimit të bojës

Rregulli: Boja lihet të veprojë tek flokët e thinjura për aq kohë sa është përcaktuar në kuti. Në rastin kur duam të kemi shkëlqim dhe kur flokët janë natyral boja lihet të veprojë edhe 15 minuta më shumë se ajo që është në kuti.

5. Shpëlarja dhe larja pas lyerjes me ujë shumë të nxehtë, apo të ftohtë

Rregulli: Koka duhet të lahet dhe shpëlahet gjithmonë me ujë të vakët

6. Shpëlarja e bojës para se të pastrohen krejtësisht njollat nga lëkura

Rregulli: Para se të shpëlahet përfundimisht koka, me anë e vetë bojës dhe anën e vetë flokëve të lyer, pastrohen njollat në lëkurë duke bërë shkumëzimin e bojës

7. Fërkimi i lëkurës së kokës gjatë kohës që qëndron shampo që mbyll luspat e flokëve

Rregulli: Gjatë kohës së qëndrimit të shampos që shërben për mbylljen e luspave lëkura nuk duhet fërkuar

8. Larja e flokëve pas lyerjes me shampo me përmbajtje sode ose sapuni

Rregulli: Flokët gjithmonë pas lyerjes duhet të lahen me shampo të lehta që janë posaçërisht vetëm për këtë proces

9. Moslyerja e flokut me krem zbutës

Rregulli: Gjithmonë pas lyerjes floku duhet të lyhet me balsam, me krem zbutës apo me maskë flokësh. Dallimi ndërmjet këtyre solucioneve është se kremi zbutës thjesht e zbut flokun, balsami e zbut dhe e ushqen me vitaminat me të cilat është i pasur balsami, ndërsa maskat veç të tjerash kryejnë edhe funksione terapike.





Faqja 17

20 këshilla për flokë të bukura dhe të shëndosha

1. Sa më shumë që ti lani flokët, ato do të jenë më të shëndetshme. Ajri i ndotur, yndyra dhe djersitja ndikojnë në flokët tuaja më shumë seç mendoni. Flokët lajini së paku dy herë në javë.

2. Në qoftë se flokët i lani pothuajse çdo ditë, përmbajuni këshillës së ekspertëve, të cilët thonë se shampon duhet të hidhni në zverk, në tëmth dhe në ballë: tri pikat më të rëndësishme të cilat ndër të parat krijojnë yndyrë. Pastaj ngadalë formoni shkumën me ujë të vakët në qoftë se keni flokë normale apo të yndyrshme, përkatësisht me ujë të ftohtë në qoftë se flokët i keni të thata. Shampon lëreni të veprojë disa minuta dhe pastaj flokët i krihi me krehër me dhëmbë sa më të gjerë. Vetëm pasi t’i keni bërë këto veprime lajini flokët.

3. Harrojeni shprehinë e vjetër të fërkimit të tepërt të flokëve me peshqir pas larjes. Do të ndjeheni më komodë, por edhe për flokët do të jetë më mirë në qoftë se i mbështjell vetëm me një peshqir të tharë. Peshqiri i mbledh pjesën më të madhe të lagështisë nga flokët. Pas një kohe merrni edhe një peshqir të tharë dhe fërkojini me të butë flokët.

4. Intervali kohor për tharjen e flokëve me fen është midis 25 dhe 30 minutash. Në këtë mënyrë majat e flokëve nuk do të pësojnë dëmtime.

5. Flokët me minival thajini me fen vetëm pjesërisht. Pjesën tjetër të tharjes lërjani ajrit. Vetëm pas tharjes mund të bëni krehjen.

6. Kundër pëlcitjes së majave të flokëve ilaçi më i thjeshtë është regjeneratori shtëpiak nga e verdha e vezës dhe vaji i recinës. Që të bëni regjeneratorin nevojitet vetëm një vezë dhe vaji i recinës. Vajin ngroheni pak dhe përziejeni pikë për pike me vezën, deri sa të krijohet si majonezë e vërtetë. Flokët mos i lani, por me regjenerator fërkojini majat e flokëve dhe mbështillini në një foli alumini. Më pas në kokë vini një kapele plastike dhe mbajeni maskën sa më gjatë të jetë e mundshme. Pastaj flokët lajini mirë.

7. Në qoftë se flokët i keni të ndara në mes, kini kujdes që kohë pas kohe vijën ta lëvizni për një centimetër majtas apo djathtas, në mënyrë që të mos bëhet një vijë e theksueshme pa flokë.

8. Në qoftë se flokët ju “shprishen”, mos provoni t’i rregulloni duke i krehur nga rrënja, por nga majat, sepse në këtë mënyrë dëmtohen më pak.

9. Në qoftë se shfrytëzoni llakun për flokë, para se të shkoni për të fjetur gjithmonë duhet ta eliminoni nga flokët, duke i krehur mirë.

10. Në qoftë se dëshironi që krehja të jetë e shkëlqyeshme dhe natyrore, mos hidhni llak drejtpërdrejt në flokë, por në krehër apo në duar dhe me to spërkatni flokët.

11. Në qoftë se nuk mundeni apo nuk arrini që t’i lani flokët, ndërkaq nuk dëshironi që të duken të yndyrshme, hidhuni flokëve beby pudër dhe pastaj i krihi mirë. Gjithsesi, kjo këshillë vlen vetëm për ata që kanë flokë të shkëlqyeshëm.

12. Në qoftë se dëshironi që flokët tuaja ngjyrë gështenje të duken më të shkëlqyeshme dhe më të bujshme, lajini në ujë në të cilin më parë ke zier lëvore arre (jo lëvozhga). Lëvoret i zieni gjysmë ore dhe pastaj kullojini. Nga sasia e lëvoreve të cilat i keni përdorur varet nuanca e ngjyrës së flokëve.

13. Në qoftë se dëshironi ta ndërroni ngjyrën e flokëve vetë në shtëpi, përherë me përpikëri përmbajuni udhëzimeve. Sasinë e pashfrytëzuar të ngjyrës hidheni, sepse atë nuk do të mund ta shfrytëzoni herën tjetër.

14. Në qoftë se tashmë keni përdorur knanë, flokëve vetëm mund t’u jepni një ngjyrë më të errët, por jo edhe t’i shkëlqeni. Derisa të mos rriten flokët, mos mendoni për zbardhjen e rrënjës.

15. Kurrë mos e teproni me prodhimet të cilat i hidhni në flokë, qoftë fjala për shampot, regjeneratorët, shkumën apo xhelin. Një herë hidhni një sasi më të vogël, dhe në qoftë se ju duket se keni hedhur pak, mund ta shtoni pjesën tjetër.

16. Ngjyrën e flokëve mos e hidhni në dhomë tepër të ngrohtë. Preparati mund të shkrihet dhe të rrjedhë në lëkurë.

17. Në qoftë se keni flokë bionde që anojnë nga ngjyra e zezë, shmanguni shamponëve të cilët mund t’i shkëlqejnë flokët. Ata, flokëve ngjyrë të errët, iu japin ngjyrë të kuqërremtë.

18. Ushtrimi i rregullt, fitnesi, vozitja e biçikletës apo shëtitja ndikojnë mirë në rritjen dhe shëndetin e flokëve.

19. Në qoftë se krehjen e formësoni me brushë, shfrytëzoni atë që i përshtatet më mirë flokëve tuaja: për karfica të buta janë të përshtatshme brushat e holla, të rrumbullakëta, ndërkaq për flokë të gjatë brushat më të mira janë ato të gjera.

20. Provoni që t’i ngarkoni sa më pak flokët me karfica dhe me llastikë, sepse kur janë të lira, marrin frymë më lehtë dhe janë më të shëndosha.



Miqtë e flokëve

Krehrit me dhëmbë të mëdhenj

Brushat e buta për flokë

Balsamet dhe regjeneratorët

Mbrojtësit nga nxehtësia

Nënqethja e rregullt



Armiqtë e flokëve

Ekspozimi ndaj rrezeve të diellit

Ajri i ndotur

Ngjyrosja

Feni i papërshtatshëm

Llastikët elastikë për flokë

Dietat e papërshtatshme, posaçërisht ato në të cilat shmanget ushqimi i pasur me vitaminën B, që është më se e domosdoshme për flokët



Faqja 18



Menyja ushqimore për flokë të shëndoshë

Sa herë keni pasur rast të dëgjoni fjalën e urtë: “Bukuria buron nga brenda”, kjo vlen edhe për bukurinë flokëve, sepse atë që e hamë (apo nuk e hamë) ndikon në pamjen e flokëve. Flokët patjetër duhet të furnizohem me sasi të mjaftueshme të materieve ushqyese dhe ndërtuese që janë tepër të domosdoshme për rritjen dhe cilësinë e tyre. Burimet më të mëdha të elementeve të tilla të rëndësishme gjenden në vitaminat dhe mineralet. Prandaj, kujdes të plotë kushtojini ushqimit tuaj.

Trajtimet

Maskë me vezë dhe vaj ulliri

Duhet të dini se vaji i ullirit dhe veza janë përbërës ushqimorë që ndikojnë shumë në forcimin e flokut tonë. Veçanërisht miksi që arrihet mes të verdhës së vezës dhe vajit të ullirit, i cili preferohet të jetë i prodhuar në vend. Për flokët e shkurtër përdoren tre të verdha veze dhe tre lugë vaj ulliri. Pasi e verdha e vezës me vajin e ullirit miksohen me njëra tjetrën vendosen mbi flokë me anën e një furçe flokësh, në çdo sasi floku dhe lihet në të për një periudhë kohore prej 60 minutash. Pas kësaj, floku lahet me ujë të ngrohtë duke fituar kompaktësi, ushqim dhe shkëlqim. Për flokët e gjatë përdoren

gjashtë të verdha veze dhe gjashtë lugë vaj ulliri, dhe mbahet për periudhën një orëshe dhe më pas shpëlahet me ujë të nxehtë.

Maskë me qumësht

Një maskë shumë e mirë është edhe përdorimi i qumështit të lopës. Pasi e keni zier qumështin mund të lagni gjithë gjatësinë e flokëve dhe ta mbani mbi flokë për një periudhë një orëshe. Më pas flokët shpëlahen me ujë të ngrohtë. Kjo maskë i jep flokut shkëlqim dhe e bën më të fortë e të shëndetshëm.

Për flokë që shkëlqejnë

Ushqimet që janë të pasura me vitaminën B, janë fantastike për ti bërë flokët tuaj që të shkëlqejnë. Ju mund ta gjeni vitaminën B me shumicë tek vezët, qumështi, zarzavatet dhe mishi i shpendëve. Silika është gjithashtu shumë e rëndësishme që ju të keni flokë sa më elastikë, që shkëlqejnë e mbi të gjitha të shëndetshëm. Këtë lloj minerali ju mund ta gjeni tek lëkura e kastravecit, qepët dhe bishtajoret. Nëse lëkura juaj është shumë e thatë, atëherë bëni mirë që të hani shumë peshk. Lloji më i mirë i peshkut që mund të hani është salmoni, tek i cili gjendet acidi omega bashkë me tre te tjerë, të cilat janë shumë të mirë për të hidratuar e shkëlqyer lëkurën tuaj.

Hithra

Në mjekësinë popullore hithra njihet si mbretëresha e bimëve mjekësore, për shkak të efekteve të saj pozitive në shërimin e disa sëmundjeve. Në kozmetikë hithra ndihmon kundër rënies së flokut dhe zbokthit. Personat që kanë probleme me zbokthin u rekomandohet larja e kokës me lëngun që përftohet nga zierja e hithrës. Është mirë që larja të kryhet dy herë në javë dhe të vazhdojë deri në eliminimin përfundimtar të zbokthit. Larja e kokës me ujin e hithrës këshillohet edhe për ata që kanë probleme me rritjen e ngadaltë të flokut.

Majoneza

Nëse kërkoni një balsam intensiv për flokët, provoni majonezën. Aplikojeni thjesht në flokë të lagur, më pas i krihi dhe mbështillni flokët me një kapuç plastik (si ato të parukerive). Lërini në këtë gjendje për rreth 20-30 minuta dhe më pas shpëlajini me ujë të bollshëm. Majoneza, përmban vajra vegjetale që butësojnë flokët. Gjithashtu, vezët që përmban majoneza, lëmojnë dhe forcojnë flokët. Natyrisht, është e dorës së parë që të përdoret një majonezë i cilësisë shumë të lartë, në mënyrë që të evitohet që flokët të marrin një erë të keqe dhe që rezultatet të mos jenë të mira.

Vaji lajthive

Vaji i lajthive është i shkëlqyeshëm edhe për t’i dhënë volum flokëve. Nëse keni flokë të hollë e të drejtë, përdoreni vajin e lajthive gjatë shampos, përpara shpëlarjes përfundimtare të flokëve. Thani flokët me tharëse dhe përdorni një krehër cilindër për të ngritur lart flokët gjatë kohës që i thani. Rezultati do të jetë: flokë voluminoze, të afta të mbajnë më gjatë krehjen që do të bëni mbi flokët tuaj.

Aspirina

Nëse keni probleme me zbokthin, por nuk keni në dispozicion produktin e duhur, thërrmoni aspirina (rreth 30 të tilla) dhe shtojani shampos tuaj. Aspirinat shërbejnë për të eliminuar mbetjet nga skalpi kokës. Nëse kërkoni t’i shtoni volum flokëve, përdorni birrë. Lajini flokët siç bëni zakonisht, hidhni birrë mbi flokë dhe i masazhoni. E lini të veprojë për disa minuta dhe më pas shpëlajini. Flokët do të rimarrin volum dhe do të ruajnë më tepër llojin tuaj të krehjes. Sugjerim: më mirë të përdoret birrë e fortë se sa e lehtë.

Qepa

Si të gjallërojmë ngjyrën e flokëve bojë kafe? Në një enë, zieni sipërfaqen e jashtme të një qepe të errët, lëngun me pas lëreni të ftohet dhe më pas përdorini gjatë shpëlarjes së fundit kur lani kokën me shampo. Pasi disa praktikave të tilla, do të shihni se flokët do të marrin më shumë jetë.

Për t’i bërë më të shkëlqyeshme flokët, shtoni dy lugë uthull gjatë shpëlarjes së flokëve. Acidi i uthullës bën që flokët të jenë më të shëndetshëm dhe të shndritshëm.



Vitaminat dhe mineralet

Vitaminat dhe mineralet që ndikojnë në shëndetin dhe bukurinë e flokëve janë:

Vitamina B5: vezët, mishi, mish peshku, drithërat, tharmi

Vitamina H: e verdha e vezës, kërpudhat

Vitamina A: mëlçia, gjalpi, vezët, karota, spinaqi, kajsia

Vitamina C: majdanozi, lule lakra, patatja, molla, spinaqi, domatja, limoni, portokalli

Sulfuri: peshqit e detit dhe guacat, bizelja, spinaqi

Zinku: guacat, peshqit, mishi

Bakri: bananet, dardhat, kumbullat, tharma e birrës, kakaoja

Hekuri: pemët e thara, spinaqi, vezët



A e dini se?

Flokët tona përmbajnë mesatarisht 120 mijë qime, ndërkaq është e natyrshme që në ditë të bien deri në 100 sosh

Brenda një muaji flokët rriten mesatarisht gjysmë centimetri - më shpejt rriten verës sesa dimrit

Flokët ngjyrë të errët përherë duken më të shkëlqyeshme, nga ato ngjyrë të çelët, sepse ngjyra e errët është më e dendur dhe thith më shumë dritë

Frizeri nga distanca prej një kilometri mund të zbulojë femrën që pi shumë duhan, jo vetëm nga aroma e flokëve por edhe nga pamja e tyre. Pirja e duhanit i than flokët dhe i bën më pak të shkëlqyeshme.



Faqja 19



Floku edhe trajnimi i tij sipas formës



Floku i gjatë



Kujdesja për flokun e gjatë fillon që me lyerjen. Ngjyra që preferohet më shumë në periudhën dimërore është kafe me nuancat e saj si; kafe e errët, e hapur, ngjyrë çokollatë me fije. Në modë është përdorimi i teknikës së nxjerrjeve të fijeve që dalin në formën e shiritave. Nuk janë më në modë fijet e shumta në të gjithë kokën por fijet e theksuara në formë shiriti që në gjuhën e parukierisë quhen Flash. Emërtimi vjen lidhur me kontrastin që krijojnë me pjesën tjetër të flokut. Nuancat e bumerakut kryesisht janë në ngjyrë, bezhë, platini, të kuqe, në ngjyrë të florinjtë. Ky trajtim mund të bëhet në flokun e gjatë por edhe atë të shkurtër. Një formë e tillë floku shoqërohet me një truk të lehtë të nuancave të ngjyrës kafe. Moda e fundit e trukut janë ngjyra të afërta me ngjyrën e flokut. Nëse moda është kafe edhe tualeti i syrit varion po në këtë kolor. Pjesa e nënposhtme e vetullës zakonisht bëhet në kolorin e errët të flokut, ndërsa lyerja e bishtit të syrit duhet të harmonizohet dhe të kombinohet me kolorin e fijeve- shirit. Buzët me kontur të lehtë floriri dhe i kuqi i buzëve në ngjyrë kafe të lehtë e shkëlqyese. Për pjesën e mollëzave të faqeve, ndryshe e quajtur pjesa ruzh këshillohet të përdoret krem pudër gjithnjë e kombinuar me lyerjen e buzëve dhe ngjyrën e flokut.

Floku i shkurtër

Një tjetër prerje praktike dhe që nuk kërkon kujdes maksimal është prerja e shkurtër e flokut, me shkallëzim të theksuar. Kolori mund të jetë në ngjyrën kafe, në nuanca të ndërthurura të kafes, në vishnje, në të zezë me nuancë vishnje ose blu. Por, zakonisht aplikohen nuancat e hapura ose të errëta të ngjyrës kafe. Një prerje praktike si për vajza të moshës së re ashtu dhe për femra që janë amatore të flokut të shkurtër. Kjo prerje përshtatet në çdo veshje

dhe shoqërohet me një makijazh tepër të lehtë

Floku me onde

Ndryshe nga floku i drejtë, floku me onde, i shkurtër apo i gjatë qoftë ai, gjithmonë ka nevojë për një trajtim më të kujdesshëm. Këtë gjë ju mund ta realizoni lehtësisht dhe të bëheni profesionistë në trajtimin e tyre të përditshëm. Në qoftë se pas lyerjes flokut i bëjmë një larje shumë të mirë dhe ky proces shoqërohet me Final kolor, i cili duhet të përdoret gjithmonë pas lyerjes, do të shohim se floku, edhe në ditët më pas, do të ketë një ngjyrë më të qartë, më

të ëmbël. Për flokun me onde këshillohet përdorimi i shkumës së flokut që i mbron nga rrezet e diellit. Në përgjithësi për flokun e lyer, të gjatë, të shkurtër, të drejtë apo me ond, këshillohet krem flokësh që përdoret pas larjes.



6 looks më modern të flokëve

Si të ngjaj me perëndeshat e sfilatave? Si të realizoni formën e dëshiruar të flokëve, që propozojnë për këtë verë stilistët botëror? Shumë thjesht. Për të mësuar të gjitha këto ndiqni këshillat tona.

Në ritmin e viteve gjashtëdhjetë

E rëndësishme është që flokët tuaj të jenë të jenë të gjata dhe të keni balluke. Ndani balluket në mes, ndërsa të gjithë flokët e tjera i mbështillni prapa, pak mbi qafën, pa i krehur. I kapni me një llastik dhe në vazhdim rrotulloheni bishtin derisa të krijohet një si topuz pas qafës. E lidhni që të mos hapet. Disa minuta më pas, lironi pak nga flokët e lidhur, pikërisht në pjesën e parme të fytyrës. Rregulloni ndarjen në mes të ballukeve dhe i lyeni flokët me llak me qëllim që kjo formë të mbajë sa më shumë orë.

Vajzëror dhe praktik

Ky look është një zgjidhje e zgjuar në rast se flokët tuaj janë as shumë të shkurtër por as të gjatë dhe njëkohësisht kërkoni të duken të natyrshëm dhe të kenë onde. Pasi t’i keni larë dhe kanë kulluar, i lidhni me bikutina dhe i thani me tharësen e flokëve. I lini të ftohen për disa minuta dhe më pas hiqni bikutinat. Në fund, me ndihmën e shkumës i jepni fryrje dhe valëzim. Përdorni përsëri tharësen ose thjesht gishtat.

I thjeshtë dhe elegant

Ideal dhe i thjeshtë për punë zyre (nëse flokët tuaj janë të drejta). I lani dhe më pas vendosni në to një produkt ushqyes. I ndani me vizë në anë. I thani duke përdorur furçë dhe nëse dëshironi i kaloni pas veshit.

Femëror dhe seksi

Rikthim tek feminiliteti. Për këtë look do të keni nevojë patjetër për xhel. E fërkoni atë në pëllëmbët e duarve dhe e kaloni nëpër të gjithë flokët. I thani me tharësen e flokëve duke përdorur gishtat. I drejtoni për nga prapa dhe i kapni pas kokës.

Stil i “fortë” i flokëve

Është një look që thekson shumë sytë. Duke përdorur tharësen e flokëve dhe një krehër të rrumbullakët, pak pas larjes së flokëve, filloni t’i drejtoni ato tek rrënjët. Ndërsa kur të vini në fund të flokëve iu jepni drejtim për nga jashtë. Të njëjtën gjë bëni edhe me balluket. Me qëllim që të mbajë forma i lyeni flokët me llak për mbajtje të fortë.

Në ritëm sportiv

Në palestër ose në shëtitjen paradite mund të përdorni këtë look. Veçse është e domosdoshme ekzistenca e një llastiku që zakonisht vendoset në kokë, por kalon nëpër pjesën e ballit. Ndërkaq, do të lini balluket që të bien mbi të. Më pas, do të keni nevojë për xhel me qëllim që të theksoni fundet e flokëve dhe formën e prerjes së tyre.

















24 Maj 2008