Tiranë- Ankesat e qytetarëve për vendosje të gjobave nga policia pa dijeninë e tyre ka bërë që Policia e Shtetit të ndërtojë një faqe online ku gjithësecili mund ti shohë gjobat e tij.

Gjatë një deklarate për shtyp zëdhënësja e policisë, Klejda Plangarica, e ka komunikuar ndërtimin e kësaj faqeje dhe ka shpjeguar se si qytetarët të kenë akses aty.

“Gjithashtu Policia e Shtetit, për ti ardhur në ndihmë qytetarëve, ka bërë të mundur verifikimin online të kundravajtjeve rrugore të kryera gjatë përdorimit të mjetit, të cilat janë akoma të palikujduara. Të gjithë të interesuarit mund të klikojnë tek faqja e Policisë së Shtetit në internet, ku në rubrikën Shërbime për qytetarët është vendosur linku Kontroll për kundravajtjet rrugore. Duke klikuar në këtë link, qytetari lidhet automatikisht me sistemin elektronik të administrimit të kundravajtjeve rrugore e-gjoba të Policisë së Shtetit dhe bën të mundur verifikimin e detyrimeve të pashlyera që qytetari ka në të gjithë Shqipërinë”,- tha Plangarica.

Gjatë këtij viti ankesa e qytetarëve për gjoba të vënë pa dieninë e tyre kanë qenë të shumta, dhe ata e kanë marrë vesh vetëmnë momentin kur kanë bërë kualidimin e makinës.