Gjuha shqipe si e folur dhe e shkruar ka pësuar ndryshime. Ndonjëherë për modë e ndonjëherë bashkë me teknologjinë, shumë fjalë të huaja kanë zënë vend në gjuhën shqipe. Tendencat e fjalëve të huaja shihen jo vetëm në bashkëbisedimet e të rinjve me njëri-tjetrin (në sms apo në komunikimin online nëpërmjet internetit), në biseda zyrtare e institucionale, por edhe në emërtime rrugësh, emra dyqanesh apo lokalesh. Përveç fjalëve të huaja, edhe fjalë me dialekt për qejfin e një pronari apo një biznesmeni, shpesh i shohim si emra në tabela para biznesit të tyre. Duke i hedhur një sy emërtimeve të ndryshme në mënyrë instiktive duhet të kujtosh që kjo lexohet si në anglisht, italisht, frëngjisht apo ndonjë gjuhë tjetër.



Gazetari i "Fiks Fare", për mënyrën se si bëhej vendosja e emërtimeve, pyeti drejtorin e "Dekor Tirana", Isa Dajën. Ai shprehet se në ditët e sotme, zakonisht tabelat janë në gjuhë të huaj, sepse ashtu ka dashur pronari i dyqanit. Daja thotë se për këtë, sot nuk ka ndonjë standard. Para shumë vitesh, Instituti i Gjuhësisë na sillte një listë ku thuhej p.sh., "Këndi i lojërave" jepte standardin si duhej shkruar dhe ne respektonim atë, pas viteve ‘90 kjo listë nuk është më në fuqi.



Ndërkohë studiuesi dhe drejtori i Institutit të Gjuhësisë, Enver Hysi, i ka shpjeguar gazetarit të "Fiks"-it se probleme me gjuhën shqipe ne dëgjojmë edhe te politikanët apo parlamentarët që dalin çdo ditë në televizor.



Për çdo njeri që i dëgjon, politikanët janë një shembull i keq, gjuha e tyre është e mbushur me fjalë të huaja. Nuk i shkon politikanëve dhe drejtuesve të partive apo të parlamentit forma dialektore. Profesor Hysi shprehet se ka mungesë kujdesi, si në gjuhën e shkruar dhe atë të folur, ka vërshim të fjalëve të huaja. Një problem tjetër është shkrimi i gabuar i fjalëve, p.sh. tek emisioni "T‘kam zemër" në TVSH, titulli është gabim dhe model i keq për nxënësit që shikojnë TV dhe për publikun.



Hysi thotë se, kur të jepet licenca për biznes, duhet të jetë edhe një komision i posaçëm për emërtimin e tabelave, duhet të vendoset tabela shqip dhe më poshtë shitësi do mund të vendosë dhe emërtimin e huaj. Përveçse kur është në gjuhë të huaj, problem është edhe kur tabelat janë në shqip, por janë të shkruara gabim. P.sh. kemi "Rruga Durrësit" është gabim, duhet "Rruga e Durrësit" pasi standardi i shqipes për këtë është në rasën gjinore. Tabelat e rrugëve të ministrive janë një model i mirë kur janë të shkruara në rregull dhe i keq kur janë të shkruara gabim.