Jonida Tashi



Skandal me shitjen e kuponëve për mbrojtjen e Anglishtes në shtet. Mjaft të interesuar për të mbrojtur një gjuhë të tillë pranë Fakultetit të Gjuhëve të Huaja në kryeqytet akuzojnë drejtuesit e këtij të fundit se po i shesin në treg të zi kuponët e regjistrimit. Sipas aplikantëve që duan të mbrojnë Anglishten tek Gjuhët e Huaja, disa prej të cilëve kanë tre muaj që presin t’u jepet një mundësi e tillë, kuponët e regjistrimit që lëshon Fakulteti u jepen kandidatëve të tjerë në mënyrë abuzive. Ndërkohë, mësohet se e njëjta situatë është përsëritur edhe ditën e djeshme në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja. Kështu, megjithëse ditën e djeshme, vetë Fakulteti e kishte shpallur si afat regjistrimi për të interesuarit, në orën 11.00 të paradites së kaluar, në sekretarinë e Gjuhës Angleze nuk gjendej më asnjë kupon regjistrimi. Në këtë situatë të vazhdueshme, ata që janë indinjuar më shumë janë kandidatët që kanë disa muaj që presin t’i nënshtrohen provimit të mbrojtjes së Gjuhës Angleze në shtet, pasi përveç avarive të nxjerra nga Fakulteti, një pjesë e mirë e tyre, që janë të punësuar, jo vetëm që u është dashur të braktisin për disa orë punën, por ky penalizim i padrejtë, sipas tyre, po u “djeg” edhe mundësinë e specializimeve pasuniversitare, të cilat kërkojnë dëshmi të Anglishtes.

Radhët

Përveç shitjes së kuponëve të regjistrimit në mënyrë abuzive dhe jo sipas aplikantëve që paraqiten te Gjuhët e Huaja për të mbrojtur Anglishten, në oborrin e këtij Fakulteti 15-ditshin e parë të çdo muaji të zë syri qindra kandidatë që presin në radhë për mbrojtjen e gjuhëve të huaja. Kështu, në këtë Fakultet ndodh shpesh që brenda tri ditëve të plotësohen 100 vendet e vëna në dispozicion vetëm për mbrojtjen e Anglishtes. Ndonëse nga Departamenti i Mbrojtjes së Gjuhëve, afati i regjistrimit për të dalë para komisionit, është caktuar data 1 deri në datë 15 të çdo muaji, dje ishin zënë të gjitha vendet që në orët e para të mëngjesit. Ata më të mirinformuarit kishin zënë radhën që në 7 e gjysmë të mëngjesit, ndërsa rreth orës 11.00 ishte e pamundur, që të kishe ndonjë shans për të kryer procesin e regjistrimit. Sipas sekretareve, fluksi i kërkesave ka nisur që muajin e kaluar, kjo edhe për faktin se gjatë periudhës dhjetor-janar një pjesë e konsiderueshme e aplikantëve kërkojnë ta mbrojnë këtë gjuhë për të vijuar studimet e ciklit të dy të apo të tretë. Fluksi i kërkesave për të mbrojtur Anglishten është disa herë më i lartë karshi gjuhëve të tjera të huaja si Italishtja e Gjermanishtja. Më pak të kërkuara mësohet se janë gjuhët e tjera të huaja, të cilat nuk është se kërkohen si kusht përzgjedhës për studime të mëtejshme apo vende pune. Sekretaret sqarojnë se për gjuhët e huaja si Rusishtja apo Turqishtja regjistrimet nuk plotësohen asnjëherë. Ndërsa përsa i përket kandidatëve që kërkojnë të mbrojnë Anglishten, burime nga Fakulteti i Gjuhëve të Huaja, shpjegojnë se pjesa më e madhe e personave, që regjistrohen janë studentë, por midis tyre nuk mungojnë edhe të punësuarit në shtet e privat.

Mbrojtja

Për të marrë certifikatën e mbrojtjes së një gjuhe të huaj të caktuar, sipas rregullave të vendosura nga departamenti përkatës në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, duhet të kalosh dy prova. E para është testi i gramatikës me shkrim, ndërsa e dyta është dalja para komisionit ku kandidati referon me gojë. Në bazë të këtyre dy provave, vendoset nota përfundimtare. Por çdo muaj këtë procedurë nuk mund të kryejnë më shumë se 100 persona për çdo gjuhë. “Regjistrimet mbyllen pasi numri i kandidatëve arrin 100 vetë”,- thuhet në njoftimin e afishuar të Departamentit të gjuhëve. Ky proces nuk mund të kryhet nëse pranë sekretarisë i interesuari nuk dorëzon mandat pagesën prej 3 000 lekësh, një dokument identifikimi dhe fotokopje të diplomës (për ata që kanë mbaruar arsimin e lartë. Veç tyre, duhen edhe dy fotografi personale. Pas regjistrimit, deri në datë 15 të çdo muaji, para komisionit kandidatët dalin çdo datë 25 të tij. Ndërsa certifikatat përkatëse tërhiqen muajin që vjen. Kjo dëshmi njihet zyrtarisht nga shteti dhe nga privati.





Dokumentet

Dokument identifikimi

Mandat pagese prej 3000 lekësh në bankë

Fotokopje diplome (për të diplomuarit)

Vërtetim të punës apo shkollës që ndjek (për ata që s’kanë diplomë)









Historiku Katedra e gjuhës Angleze

Katedra e gjuhës Angleze është themeluar në shtator të vitit 1960. Kjo ishte katedra e dytë e gjuhëve të huaja që hapej në Universitetin shtetëror të Tiranës, pas asaj të gjuhës ruse. Destinacioni i vetëm ishte përgatitja e mësuesve të ardhshëm të gjuhës angleze dhe Gjuhës e Letërsisë shqipe për shkollat e mesme dhe tetëvjeçare. Duke filluar nga viti 1965, katedra filloi punën e saj për hartimin e programeve të reja mësimore, si dhe për hartimin e teksteve bazë të shumë lëndëve. Në këtë mënyrë, ajo filloi të formësohet jo vetëm si njësi administrative më vete, por edhe si njësi mësimore e shkencore e pavarur. Duhet theksuar se, duke filluar nga kjo periudhë, pedagogët e kësaj katedre kanë punuar jo vetëm në fushën e mësimdhënies, dhe në fushën e kualifikimit të mësuesve të Anglishtes, por edhe në atë të kualifikimit të tyre të mëtejshëm, sidomos në fushën e mbrojtjes së disertacioneve, përpilimit të fjalorëve të ndryshëm, përkthimeve, etj. Në mënyrë që të plotësohen më mirë kërkesat e kohës, si dhe ato të tregut të punës për specialistë të profilizuar, gjatë periudhës 1997-1998, në vazhdim të përpjekjeve të mëparshme, në Departamentin e Anglishtes u hartuan plane të reja mësimore, të cilat parashikonin futjen e dy profileve të reja, përkatësisht: Përkthim-interpretim dhe Studime britanike e amerikane. Planet e reja mësimore u zbatuan për herë të parë gjatë vitit akademik 1998-1998 dhe vijuan deri në vitin akademik 2004-2005. Duke filluar nga viti akademik 2005-2006 Departamenti i Gjuhës Angleze filloi zbatimin e kurrikulave të reja në kuadrin e procesit të Bolonjës.





16 Shkurt 2010