• ELBASAN - Dy personat e akuzuar për vrasjen e biznesmenit Sokol Çapja dënohen nga Gjykata e Elbasanit me 41 vjet heqje lirie.

Seanca e fundit gjyqësore ndaj dy të pandehurve Armand Hasani dhe Gentian Meta u zhvillua me dyer të mbyllura dje në Gjykatën e Rrethit, ku dy të akuzuarit janë shoqëruar në masa të larta sigurie. Burime zyrtare të gjykatës së rrethit thanë se, trupi gjykues, i cili drejtohej nga Zihni Shahu dënoi me 23 vjet burg të pandehurin Hasani dhe me 18 vjet burg bashkëpunëtorin e tij, në këtë krim Gentian Meta. Të njëjtat burime pohuan se prokurori i çështjes, Agim Dilko kërkoi nga 25 vjet heqje lirie për dy të pandehurit. Tashmë, pas dhënies së dënimit dy të dënuarit do t'i kalojnë vitet e dënimit në qelitë e burgut të Peqinit, ndërkohë që avokatët e tyre mësohet se do të bëjnë apelimin e çështjes. Sokol Çapja, pronari i një hoteli luksoz në Elbasan u ekzekutua mbrëmjen e 26 dhjetorit të vitit 2005, teksa qëndronte në një lokal, pranë godinës së universitetit "Aleksandër Xhuvani". Nga hetimet intensive që u kryen nga ana e Prokurorisë së rrethit të Elbasanit, në bashkëpunim me policinë u gjetën prova të mjaftueshme se dy të dënuarit ishin autorë të ekzekutimit të Sokol Çapjes. Vdekja e Çapjes u shoqërua me një tjetër krim të rëndë në qytetin e Elbasanit, i cili sipas policisë u krye në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e biznesmenit të njohur të qytetit.   a.k