Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë ka zhvilluar sot seancën e radhës ndaj Dritan Dajtit, të akuzuarit për vrasjen e 4 policëve në gusht të vitit 2009.


Në seancën e sotme, vetë i akuzuari ka kërkuar gjykim të shkurtuar dhe pavlefshmëri të akteve ligjore por Gjykata i ka rrëzuar të dyja kërkesat e tij.


Pas rrëzimit të kërkesave të tij, Dritan Dajti ka akuzuar Gjykatën se po shtyn në pafundësi gjyqin ndaj tij dhe është larguar nga salla.


Por trupi gjykues ka hedhur poshtë akuzat e të pandehurit duke thënë se faji për shtyrjen e gjyqit bie mbi Dajtin, që nuk pranon avokatë mbrojtës


Ndërkohë, seanca e fundit gjyqësore ndaj Dajtit është zhvilluar në datën 23 shtator, gjatë së cilës ai ka kërkuar t’i vihej në dispozicion, fletëdalja e armës së policit të vrarë prej tij, Fatos Xhanit, kërkesë që iu mohua.


Dritan Dajti akuzohet se më 7 gusht 2009, ekzekutoi efektivët e policisë, Saimir Duçkollari, Altin Dizdari, Fatos Xhani dhe Kastriot Feskaj, pjesë e skuadrës speciale operacionale, të cilët tentuan ta arrestonin të shumë kërkuarin.