Botuesi i gazetës “Bulevard” në Durrës, Artur Llana, është dhunuar fizikisht, pas një konflikti për shkak të punës. Përplasjet me shtetasin Redi Kodra bënë që ky i fundit të ushtronte dhunë ndaj Llanës. Sipas botuesit të “Bulevard”, ka qenë ora 15:30, kur në zyrat e gazetës ka hyrë forcërisht Kodra, duke nisur me fyerje dhe sharje e duke përfunduar me goditje ndaj tij. Ky reagim, sipas botuesit të “Bulevard”, ka ardhur ndaj një shkrimi të botuar për njeriun e familjes, që sot ka një post si drejtoreshë e ISKSH-së në Durrës. Në vendngjarje ka shkuar edhe policia, e cila mori dëshmitë në lidhje me këtë ngjarje. U krye kallëzimi penal në polici dhe në organin e akuzës, ndërkohë që i kaluan prokurorisë materialet për kryerjen e veprës penale të “goditjes për shkak të detyrës” dhe “fyerje për shkak të detyrës”. Policia po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe kapjen e autorit, i cili është shpallur në kërkim.